Adem Demaçi i sakrificës së burgut dhe pas saj

Mospajtueshmëria dhe mosdëgjueshmëria e tij, si shprehje e karakterit me cilësinë më sublime, atë të prirjes për të flijuar gjithçka nga vetja për lirinë e popullit të tij, ishin mishërim i “reflektimit të dritës” që e pasqyronte bekimin e popullit shqiptar në atë periudhë me Adem Demaçin, për të vazhduar më pas bekimi i shqiptarëve me vizionin politik të Ibrahim Rugovës, më tej me rezistencën e sakrificat e Jasharëve, me në krye legjendarin Adem Jashari dhe UÇK-në e rinisë shqiptare, që sollën kurorëzimin e bekimit me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Arben LABËNISHTI, Strugë

Te shumë popuj që e kanë përjetuar zgjedhën e huaj, historia e procesit të flakjes së saj nxjerr në pah virtytin e disa personaliteteve të angazhuara, i cili karakterizohet jo vetëm nga ndjenja e nevojës për lirinë e popullit të tyre, por edhe nga cilësia morale e domosdoshme për ta përmbushur atë me detyrën e veprimit konkret të guximshëm dhe mungesën e frikës se do të përndiqen, arrestohen, riarrestohen dhe të vriten nga pushtuesit. Veprat e kësaj fryme të rezistencës për liri dhe pavarësi kanë qenë promotore të mjedisit që e ka ngritur vetëdijen kolektive për nevojën e lirisë dhe sakrificave për atë. Kështu janë rritur shpresat dhe i është shërbyer kauzës deri në jetësimin e qëllimeve të saj.
Personalitete me këto cilësi njeh edhe kauza kombëtare shqiptare. Në mesin e tyre, Adem Demaçi i ka të veçantat e tij, kuptimisht të rëndësishme, me të cilat e ndërtoi raportin me historinë, për të lënë gjurmë të simbolit të rezistencës dhe qëndresës antiserbe.
Nga viti 2018 ai nuk jeton më fizikisht, por vepra politike dhe letrare që la, për moralin dhe shembullin që përfaqëson në veprimtarinë për bashkimin e shqiptarëve nën zgjedhën sllave me Shqipërinë e gjymtuar nga Kongresi i Londrës më 1913, dhe për çështjet sociale, kulturore dhe politike të krijimtarisë së tij, vazhdon të diskutohet dhe të analizohet nga këndvështrime të ndryshme. Ajo që e bëri më shumë të njohur në gjirin e popullit të tij shqiptar, sllavëve të ish-Jugosllavisë dhe qendrave diplomatike e më gjerë në botë, ishte vuajtja e burgut politik për 28 vjet, në burgjet e Jugosllavisë komuniste, të qenit pas burgut i përkushtuar për liritë dhe të drejtat e njeriut, nderimi me çmimin “Saharov” nga Parlamenti i Bashkimit Europian (1991), nderimi me disa çmime të tjera jashtë Kosovës dhe të qenit përfaqësues politik i UÇK-së me seli në Prishtinë.

Sakrificë sublime

Ishte mars i vitit 1958. Në sallën e Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, ku trupi gjykues ishte mbledhur për ta dënuar me burg një djalosh 22vjeçar, sepse e deshte popullin e tij të lirë dhe të bashkuar me “Nënën Shqipni “, nga thellësia e shpirti dhe kthjelltësia e mendjes i dolën fjalët: “Prej këtu ku jam deklaroj se, nëse Serbia dhe Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia dhe të bashkohet me nënën e vet – Shqipninë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan e as në Jugosllavi. Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, do të vije koha kur ajo do të bëhet shkaktare për zhbërjen e krejt Jugosllavisë. Dhe, në fund, Serbia do të mbetet edhe pa Kosovën!”.
Kështu, pa frikë, i vendosur dhe i bindur në atë që e thoshte foli Adem Demaçi. E tha atë që e pasqyronte qëllimin e jetës së tij dhe vizionin që koha e dëshmoi se ishte i saktë. Pas tre dekadash, nisi jetësimi i atij vizioni kuptimplotë. Në vitin 1991 filloi shpërbërja e Jugosllavisë. Kosova doli nga pushtimi serb në vitin 1999, por nuk ndodhi ajo që ishte më e natyrshme, ashtu siç deshte ai kur dergjej burgjeve të pushtuesit – bashkimi i Kosovës me “Nënën Shqipni”. Fatmirësisht as ajo që parashtroi disa vite pas daljes nga burgu dhe si kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës – “Konfederata e Vogël Ballkanike”(Ballkania).
Si rezultat i interesave gjeopolitike të fuqive me peshë vendimmarrëse dhe mbështetjes së popullit të Kosovës e luftës së rinisë shqiptare (UÇK-së) për lirinë dhe pavarësinë e saj, ajo u njoh si shtet i pavarur. Sigurisht, arritje e madhe – e realizuar me shumë mund, përpjekje dhe sakrifica në një periudhë kohore pothuajse tetëdhjetë vjeçare – që hap një horizont tjetër për gjithësinë shqiptare.
Qëndrimi kritik dhe revolta, si shprehje e mospajtueshmërisë me sundimin e shqiptarëve nga Jugosllavia Federative dhe mosdëgjueshmëria e shprehur me mospërkuljen dhe qëndresën që dëshmohet me përndjekjen dhe vuajtjen e përsëritur me burg për 28 vite, janë shtyllat e virtytshme të Adem Demaçi, të cilat e bëjnë atë më të veçantin në mesin e të burgosurve politikë të kohës së tij në burgjet e Jugosllavisë.
Për atë, jeta merrte kuptim në çdo rrahje zemre dhe grahmë fryme të shpenzuar për lirinë e shqiptarëve të robëruar. Madje, jeta e të devotshmit e plotëson misionin e saj për lirinë, me aktin e flijimit, për të cilin ai s’njihet të ketë manifestuar frikë. Ai kurrë nuk u zmbraps, por, në kontinuitet, i papërkulur, i vazhdoi përpjekjet për kauzën së cilës i besonte, duke u burgosur e riburgosur – e lë nënën, fëmijët, bashkëshorten; ai është i gatshëm ta flijojë edhe jetën e tij.
Lëshimi nga hapësirat e burgut të Stara Gradishkës nuk e kishte kuptimin e lirisë, sepse ai u kthye në burgun ku vuante i gjithë populli i Kosovës. Për këtë shkruan: ”Që nga 21 prilli i këtij viti ndodhem në burgun më të madh në botë, që e njeh historia e njerëzimit – në burgun e Kosovës, ku më se dy milionë Shqiptarë nga regjimi hegjemonist-shovinist-terrorist janë zhveshur nga të gjitha liritë dhe të drejtat më elementare njerëzore e kombëtare.”
Mospajtueshmëria dhe mosdëgjueshmëria e tij, si shprehje e karakterit me cilësinë më sublime, atë të prirjes për të flijuar gjithçka nga vetja për lirinë e popullit të tij, ishin mishërim i “reflektimit të dritës” që e pasqyronte bekimin e popullit shqiptar në atë periudhë me Adem Demaçin, për të vazhduar më pas bekimi i shqiptarëve me vizionin politik të Ibrahim Rugovës, më tej me rezistencën e sakrificat e Jasharëve, me në krye legjendarin Adem Jashari dhe UÇK-në e rinisë shqiptare, që sollën kurorëzimin e bekimit me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kontradikta

Nuk mund ta themi nëse vërtet i ka besuar dhe ka qenë i bindur për atë që kishte thënë për Enver Hoxhën dhe Shqipërinë enveriste në intervistën për gazetën “Veçernji list” në vitin 1989, edhe pse intervista përmban elemente të mjaftueshme si dëshmi se ai ka pasur simpati për udhëheqësin komunist të Tiranës zyrtare të asaj periudhe. Në këtë interviste, për raportet e tij me Enver Hoxhën, ai shprehet: “Është e pabesueshme, por në thelbin e vet, edhe pse ka folur gjithnjë mirë për Stalinin, i cili nga ana e vet i pati dhënë një përkrahje të konsiderueshme Shqipërisë, Enveri më së paku ishte stalinist. Nuk iu ka përmbajtur skenave të Stalinit. E pati kuptuar shumë drejt vetëlëvizjen e përmbajtjes shqiptare dhe e pati zhvilluar në mënyrën e vet dialektike. Nga vendi më i prapambetur në Europë, nga një shembull për të keq, për gjithsejtë 40 vjet ai arriti të krijojë një shtet që sot mund të krenohet me vetveten. Prandaj, unë e respektoj atë si birin më të madh të popullit shqiptar dhe si një udhëheqës gjenial që, natyrisht i ka pasur edhe gabimet e veta, por asnjë gabim strategjik.” Ndërsa, pyetjes: “Kam përshtypjen se, edhe pse jeni intelektual, nuk i shihni ose nuk doni t’i shihni dobësitë e regjimit shqiptar që pati vendosur Enver Hoxha, duke filluar nga prapambeturia e gjithmbarshme ekonomike, gjer te totalitarizmi nga i cili njerëzit ikin.”, ai i përgjigjet kështu: “Nga çdo drith ka egjër. Nuk gjendet askund një shoqëri sterile që do t’i kënaqte të gjithë. Në Shqipëri mund të jenë të pakënaqur vetëm qelepiringjinjtë, kontrabandistët, spekulantët dhe eventualisht ndonjë kundërshtar politik me prirje burokratike. Mirëpo shtresa e burokratëve është më e holla sepse Enveri nuk ka lejuar që ajo të zhvillohet. Ka bërë seleksionim pozitiv. Për çdo 5 gjer 10 vjetët ka bërë spastrime, por jo në atë kuptim që ia mveshin. I ka hequr nga pozita të paaftit dhe i ka vënë në vend të tyre më të aftët, më të shkolluarit. Në Shqipëri sundon sistemi njëpartiak, mirëpo ajo parti zhvillon një politikë që i përgjigjet më së miri interesave të njerëzve punonjës dhe të inteligjencies.”
Ky mendim, duhet të ketë qenë produkt i intuitës dhe dëshirës së Adem Demaçit, që “Nëna Shqipni” dhe drejtuesi i saj të ishin ashtu si donte ai, sepse ashtu i duheshin Kosovës. Por, jo si rezultat i analizës që të sugjeron të kuptuarit e drejtë të këtyre çështjeve.
Nëse e marrim të mirëqenë se ai, gjatë vizitës së parë, në vitin 1991, që i kishte bërë Shqipërisë të dalë nga totalitarizmi komunist, është shprehur “… As Vasa Qubrilloviqi s’ja kish bo kështu si ja paska bo Enveri Shqipnisë…” (cituar sipas z. Shkëlzen Gashi në një debat televiziv), mund të besohet se, në heshtje – brenda ndërgjegjes së tij, ai e ka ndjerë dhe kuptuar dëmin që ia ka sjell Enveri shtetit shqiptarë dhe kombit, në përgjithësi. Kjo është koha kur ai ka filluar të reflektojë për këtë çështje. Më pas, nuk gjejmë as deklarim të tërthortë në mbështetje të figurës dhe politikës së diktatorit. Por, kemi denoncim të tij. Në një prononcim me rastin e 101 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, për “Shqiptarja.com, ai thotë: “Mua më duket se Shqipëria si trungu ynë, siç i kemi thënë ne nëna jonë, ka qenë e parapërcaktuar për të luajtur një rol pak më të mirë. Mirëpo edhe Shqipërinë forcat e huaja e kapën. E kapën Serbia me Zogun, Serbia me Enverin, Rusia me Enverin, kështu që asnjëherë Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të drejtohet në këmbë të veta dhe të jetojë vetë dhe të mos bëhet vasal i dikujt e të mos i mbështetet dikujt.” Në një intervistë tjetër, për gazetën “Shekulli”, me rastin e vizitës së Edi Ramës në Beograd, Demaçi deklaron: “Disa e kanë konsideruar vizitën e Ramës me atë që bëri Enveri në ’46 kur e vizitoi ish-Jugosllavinë, e cila ishte një vizitë e turpshme. Hoxha ishte një servil dhe ishte i përulur ndaj serbëve…”
Reflektimi për këtë të vërtetë, është edhe një e veçantë tjetër e virtytshme e Adem Demaçit, e cila, e dallon, e veçon dhe e bën të ndryshëm nga enveristët e deklaruar dhe kriptoenveristët, të cilët edhe në ditët e sotme janë aktivë.
Më poshtë do t’i radhis, të përgjithësuara, pa u zgjeruar me analizë, disa nga kontradiktat ndërmjet artikulimit të drejtë të Adem Demaçit për bashkimin e shqiptarëve të robëruar nga Jugosllavia me Shqipërinë dhe veprimtarisë së Enver Hoxhës në dëm të çështjes së Kosovës, të cilat nuk mund të mohohen si ngjarje dhe as të arsyetohen me përdorimin e çfarëdo metode studimi.
• Enver Hoxha dhe PKSH-ja, që në periudhën e Luftës së Dytë Botërore jo vetëm ishin pajtuar që Kosova të mbetej në administrimin Jugosllav, por kishin kontribuar për atë.
• Në fund të kësaj lufte, PKSH-ja i dërgoi në Kosovë partizanët e saj për të kontribuar në shuarjen e rezistencës kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës dhe në stimulimin e rekrutimit të shqiptarëve për në frontet larg saj.
• Regjimi komunist shqiptar i kishte përndjekur të gjithë ata që e deshën Kosovën të bashkuar me Shqipërinë dhe që kontribuonin për atë.
• I pari i komunistëve shqiptarë, Enver Hoxha, në vitin 1946 ishte dekoruar me urdhrin e Heroit të Popujve Jugosllavë.
• Prishja e komunistëve shqiptarë (Enverit) me ata jugosllavë (Titon) në vitin 1948 nuk ishte rezultat i mospajtimit ose kërkesave të Tiranës për çështjen e Kosovës, por mbajtje e anës së Bashkimit Sovjetik pas mospajtimeve të Stalinit me Titon. Nuk duhet harruar se Rusia staniliste, ashtu si regjimet e tjera të Rusisë më parë, as e kishte mbështetur dhe as e mbështeste, pas prishjes së saj me Beogradin, një status tjetër për Kosovën.
• Komunistët shqiptarë të Tiranës zyrtare asnjëherë nuk e shtruan çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve të tjerë nën Jugosllavi për diskutim në organizata dhe forume ndërkombëtare.
• Tirana komuniste, me përçarjen kombëtare dhe izolimin, me përndjekjen dhe luftën e klasave, me mungesën e potencialit politik e diplomatik, si dhe me varfërinë ekonomike, të cilat ishin si rezultat i përpjekjeve për ta ruajtur pushtetin e saj, e dëmtoi rëndë jo vetëm pjesën e kombit brenda këtij shtetit totalitar, por edhe atë pjesë të kombit që ndodhej nën pushtimin sllav dhe grek.

Gjilpëra e busullës politike të regjimit komunist shqiptare asnjëherë nuk e ka shënuar drejtimin e përpjekjeve reale për çështjen e Kosovës. Ajo, në kontinuitet, ka shënuar vetëm një drejtim – atë të përpjekjeve për ruajtjen me çdo kusht të pushtetit të saj, edhe në dëm të interesave kombëtare, ashtu siç kishte bërë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore për marrjen e tij.
Kauzën që e përfaqësonte Demaçi, regjimi komunist shqiptar i Tiranës jo vetëm që e kishte të munguar, por e kishte tradhtuar.

“Ballkania”

Jo vetëm për shqiptarët e angazhuar dhe popullin, por edhe për serbët dhe për diplomacinë ndërkombëtare, ideja dhe propozimi i Adem Demaçit, për formimin e një Konfederate Kosovë-Serbi-Mal i Zi (Ballkania) duhet të ketë qenë e papritur dhe të ketë provokuar habi. Besoj se jo pak shqiptarëve, në dëgjimin a leximin e parë, u është dukur edhe e pabesueshme dhe tronditëse, sepse autor i saj ishte sakrifikuesi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ai që deri atëherë kishte kërkuar rezistencë aktive dhe ishte kundërshtari më i madh i rezistencës paqësore si një veprim politik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Demaçi, në arsyetimin për këtë projekt të tij, ndër të tjera shkruan: ”Me qëllim që të ndërpritet gjakëderdhja e mëtejshme midis popullit shqiptar, në njërën anë dhe të popujve serb e malazez, në anën tjetër; me qëllim që t’i shmangemi edhe një gjakderdhjeje edhe më katastrofike se ajo në Bosnjë – Hercegovinë… me qëllim që të plotësohen kërkesat këmbëngulëse të faktorëve ndërkombëtarë për mosprishjen me dhunë të kufijve në hapësirën e ish-Jugosllavisë;… Vetëm me projektin Ballkania do të mund të anashkaloheshin mospajtimet e disa shteteve ballkanike, të cilat nuk pajtohen me bashkimin e Kosovës në një shtet me Shqipërinë, ose me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.”. Ky arsyetim të lë të kuptosh se arsyeja e këtij ndryshimi dhe largimi nga konceptet e tij, të cilat i kishte mbrojtur me ngulm dhe i kishte akuzuar ata që mendonin dhe vepronin ndryshe, ka qenë shqetësimi dhe frika se lufta në Kosovë do të kishte përplot masakra civilësh të nivelit të gjenocidit, me pasoja të rënda për Kosovën. Por, edhe të krijon përshtypjen se, në rrethanat e asaj kohe, ai s’ka besuar as në mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, as në pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Kontradikta e këtij propozimi ka qenë se ai sillej në një kohë kur politika përfaqësuese e Kosovës e ndiqte kursin e “rezistencës paqësore” dhe, tjetra, shumë më domethënëse, ajo që e afronte ai ishte nën nivelin e përcaktimit politik që mbështetej nga populli i Kosovës dhe kërkohej e ndërkombëtarizohej – “Kosova e lirë dhe shtet i pavarur, e hapur me Shqipërinë dhe Serbinë”. Ky projekt nuk u mbështet nga populli i Kosovës, ndërsa as SHBA-ja e aleatët e saj nuk treguan ndonjë entuziazëm për ta mbështetur atë. Koha dëshmoi se ai, në kuptimin e interesit të Kosovës, ishte i gabuar, sepse Kosova fitoi më shumë seç ofronte ai propozim. Ajo sot është shtet i lirë dhe i pavarur. Sigurisht, kaq sa unë kam shkruar nuk është një analizë e detajuar për “Ballkaninë”.
Për të vërtetën
S’ka asgjë të keqe nëse në një shkrim, një figurë të caktuar, edhe pas vdekjes, e përshkruajmë me konstruktivitet dhe arsyeshmëri, si shpjegim për të vërtetën, e cila është e nevojshme dhe ka ndikim edhe për të sotmen, por jo si qëndrimi kritik a shprehje e pakënaqësisë me inate, smirë dhe interesa egoiste personale ose klanore, për konceptin, cilësinë dhe mënyrën e politikëbërjes së një personaliteti. E dëmshme është rënia në grackën e “të kacagjeluem”, si i quante At Anton Harapi në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, pjesëmarrësit në duelet e polemikave të ulëta pa substancë, të cilat sjellin vetëm përçarje, e mbajnë të gjallë atë dhe kështu e thellojnë të keqendhe e rritin dëmin.
Në këtë shkrim për Adem Demaçin, përpos sakrificës së pakursyer të tij për lirinë e Kosovës, mospajtueshmërinë dhe mosdëgjueshmërinë, si cilësi të virtytit të tij, e kam kujtuar, me një shpjegim timin, edhe intervistën me simpatitë për diktatorin komunist Enver Hoxha dhe për projektin “Ballkania”, të cilat binin në kundërshtim me realitetin e kohës së tyre për Kosovën, për të cilat përfundimisht besoj se dëshmoi koha që vijoi.
Asnjëra nga këto të dyja nuk e cenon veprën madhështore të sakrificës së Adem Demaçit për lirinë e Kosovës. Në 28 vitet dergjje nëpër burgjet e Jugosllavisë, ai nuk u ligështua, qëndroi i papërkulur me papajtueshmërinë dhe padëgjueshmërinë ndaj pushtuesve sllavë.
E vërteta dhe pranimi i saj e përçojnë frymën e flakjes së përçarjes, por ajo edhe nxit mirëkuptim, bashkëpunim dhe vullnet për besëlidhje të sinqertë, të cilat na kanë munguar në procesin e konsolidimit tonë intelektual, politik, diplomatik, ekonomik, ushtarak, social dhe kulturor, për të drejtën tonë kombëtare, e cila si çështje vazhdon edhe në ditët e sotme.
Ademët janë e vërteta e sakrificës sublime për lirinë e Kosovës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button