Adem Demaçi dhe Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve

Në rrethana kur shqiptarëve u mungonte mbrojtja institucionale, një grup studentësh shqiptarë në Prishtinë shprehën idenë për themelimin e një organizate ilegale politike, e cila si qëllim primar do ta ketë çlirimin e viseve shqiptare nën Jugosllavi dhe bashkimin me Shqipërinë. Gjithnjë duke u mbështetur në burimet sekrete jugosllave, shohim se kjo ide rrodhi nga Adem Demaçi, i cili në një takim të mbajtur në vitin 1958 në Prishtinës me shoqatën letrare të studentëve shqiptarë në Universitetin e Beogradit, ndër të tjerash, ishte shprehur se “nga ana e pushtetit” jugosllav “bëhen padrejtësi të shumta ndaj kombit shqiptar”, se “shqiptarët po shpërngulen për Turqi, sepse pushtetarët përmes kësaj shpërnguljeje dëshirojnë ta përvetësojnë Kosovën dhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavi.
Qerim LITA, Shkup
Siç është e njohur, në fillim të vitit 1951, Josip Broz Tito dhe klika e tij e ripërtërinë procesin e shpërnguljes së shqiptarëve për në Republikën e Turqisë, i cili qe ndërprerë me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore dhe shpërbërjes së Jugosllavisë së Versait. Në fakt, ky proces u shfrytëzua nga Beogradi, pasi paraprakisht autoritetet turke e shtruan kërkesën që disa shtetasve të Jugosllavisë t’u mundësohej shpërngulja për në Turqi me qëllim të bashkimit familjar, numri i të cilëve ishte tejet i vogël. Ndërkohë, çështja e shpërnguljes së popullsisë shqiptare mori një karakter të gjerë. Në janar të vitit 1953, në vizitë zyrtare në Jugosllavi qëndroi ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Fuat Kyprili. Në takimin e fshehtë, të mbajtur në Split midis tij dhe Titos, u arrit marrëveshja gojore, sipas së cilës planifikohej që brenda periudhës kohore 1953-1959 nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Sanxhaku për në Turqi të shpërnguleshin rreth 400.000 banorë myslimanë, pjesa dërrmuese e tyre të përkatësisë etnike shqiptare. Rrjedhimisht, nga pjesa e dytë e atij viti filloi procesi i shpërnguljes masive, së pari në Maqedoninë Veriperëndimore, ndërsa nga viti 1956 do të përhapet edhe në Kosovë, Luginë të Preshevës, Sanxhak dhe Mal të Zi. Numri i përgjithshëm i të shpërngulurve deri në mars të vitit 1959, siç pohojnë dokumentet e proveniencës policore e partiake jugosllave, ishte 143.800 banorë, ndërsa deri në vitin 1966 ky numër u rrit në mbi 250.000 banorë.
Në rrethana kur shqiptarëve u mungonte mbrojtja institucionale, një grup studentësh shqiptarë në Prishtinë shprehën idenë për themelimin e një organizate ilegale politike, e cila si qëllim primar do ta ketë çlirimin e viseve shqiptare nën Jugosllavi dhe bashkimin me Shqipërinë. Gjithnjë duke u mbështetur në burimet sekrete jugosllave, shohim se kjo ide rrodhi nga Adem Demaçi, i cili në një takim të mbajtur në vitin 1958 në Prishtinës me shoqatën letrare të studentëve shqiptarë në Universitetin e Beogradit, ndër të tjerash, ishte shprehur se “nga ana e pushtetit” jugosllav “bëhen padrejtësi të shumta ndaj kombit shqiptar”, se “shqiptarët po shpërngulen për Turqi, sepse pushtetarët përmes kësaj shpërnguljeje dëshirojnë ta përvetësojnë Kosovën dhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavi. Në rast se shqiptarët ngelin në Kosovë, atëherë pushtetarët e kanë të qartë se Kosovën e kanë të humbur”. “Me qëllim të përvetësimit të Kosovës”, vazhdon Demaçi, “pushtetarët jugosllavë zbatuan aksionin për grumbullimin e armatimit dhe përmes dhunës dhe terrorit t’i detyrojnë shqiptarët të shpërngulen për Turqi, me çka përfundimisht shqiptarët do ta humbnin Kosovën”. Si formë të vetme për t’iu kundërvu kësaj fushate të egër të udhëheqjes komuniste jugosllave, Demaçi e shihte në unitetin e inteligjencës së re shqiptare dhe në veprimtarinë e saj përmes ndonjë organizate të fshehtë revolucionare. Krahas Demaçit, të kësaj ideje ishin edhe një numër i konsiderueshëm i studentëve shqiptarë në Universitetin e Beogradit, si: Azir Shala, Mehmet Surdulli, Nuri Bashota, Agim Gjakova etj.
Së shpejti, organet e sigurimit shtetëror, e zbuluan grupin në fjalë dhe e arrestuan Adem Demaçin, i cili në vitin 1959 u dënua me tre vjet burg të rëndë. Duhet të vëmë në dukje faktin se, përkundër zbulimit të grupit nismëtar dhe burgosjes së Demaçit, autoritetet e atëhershme komuniste të Beogradit, Prishtinës dhe të Shkupit, nuk arritën ta shuajnë këtë lëvizje. Në një dokument, të zbuluar në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë së Veriut, thuhet se një “aktivitet bukur i madh propagandues në baza nacionalist-irredentiste zhvillohej edhe në mesin e studentëve të kombësisë shqiptare në universitetin e Shkupit”, ku në shumicën e rasteve “bartës ose nxitës të aktiviteteve të tilla ishin studentët nga Kosova, të cilët një pjesë ishin pjesëtarë të organizatave dhe grupeve ilegale irredentiste”. “Përbërja e këtillë dhe aktiviteti i studentëve nga Kosova”, thuhet në dokument, “pati ndikimin e vet edhe ndaj disponimit te një pjese të studentëve nga kombësia shqiptare nga viset e RSM-së dhe, si rrjedhojë e kësaj, vetëm gjatë periudhës kohore 1960-1963 qenë zbuluar 5 grupe ilegale irredentiste, në të cilat, krahas studentëve, qenë përfshirë edhe disa nxënës të shkollave të mesme.”.
Menjëherë pas vuajtjes së dënimit të parë, Adem Demaçi vendosi lidhje me disa atdhetarë shqiptarë nga Prishtina, Peja, Gjakova, Mitrovica, Gjilani etj., ashtu që për një kohë shumë të shkurtë arriti ta formojë organizatën ilegale, e cila mori emrin “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”. Mbledhja nismëtare, siç njoftojnë dokumentet e kohës, u mbajt më 23 maj 1963 në Prishtinë, në të cilën u vendos të formohet “Komitetit Revolucionar për Kosovë”, si trup udhëheqës, i cili do të organizonte dhe përcaktonte tërë veprimtarinë e Lëvizjes. Me këtë rast është zgjedhur komiteti prej 7 anëtarësh. Komiteti Revolucionar, menjëherë iu qas formimit të komiteteve komunale në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë dhe Gjakovë. Komitetet komunale numëronin tre deri pesë anëtarë, ndërsa anëtarët e tyre i kishin këto detyra:
“- kryetari i komitetit komunal i organizatës kujdeset për çështjet ushtarake, furnizimin e armatimit, përgatitjen e anëtarëve për përdorimin e armës dhe organizimin e aksioneve diversante-terroriste;
– sekretari i komitetit komunal i organizatës ka për detyrë që të veprojë politikisht, të punojë në masivizimin e organizatës dhe t’i përcjellë dhe sqarojë ngjarjet politike;
– zbuluesi ka për detyrë të kryejë hetime se cili duhet pranuar në organizatë, t’i përcjellë veprimet dhe lëvizjet e anëtarëve të pranuar dhe t’i zbulojë anëtarët e dyshimtë. Anëtarët e tjerë të komitetit komunal të organizatës kanë detyra të herëpashershme”.
Përveç komiteteve komunale, në të gjitha vendbanimet më të mëdha dhe nëpër fshatra të Kosovës u formuan grupe dhe celula të posaçme sulmuese në kuadër të Lëvizjes, të cilët patën detyra të caktuara. Grupe të tilla u krijuan në disa fshatra përreth Prishtinës, në Gjilan u formua celula “Mujo Ulqinaku”, ndërsa në Gjakovë celula u quajt me emrin “Haki Taha”.
Organizata pati programin dhe statutin e vet të shkruar. Në pjesën hyrëse të programit thuhej se lufta e Lëvizjes ka “karakter të unitetit kombëtar dhe të çlirimit nacional. Prej katër kushteve themelore, të nevojshme, që një popull të shndërrohet në komb: të jetë i bashkuar në aspektin territorial; të ketë ekonomi dhe treg të përbashkët; të ketë gjuhë letrare të përbashkët; dhe të ketë ndjenja dashurie ndaj solidarizimit të vërtetë dhe vëllazërisë së përbashkët, kombi shqiptar i plotëson vetëm dy të fundit”. Më tej, në program thuhej se bashkimi i kombit shqiptar me Shqipërinë nuk mund të pritet vetëm nëpërmjet lidhjeve me cilëndo fuqi botërore apo të OKB-së (Organizata e Kombeve të Bashkuara), porse duhet kërkuar në radhë të parë nga vetë kombi shqiptar, në përfshirjen dhe angazhimin e shtresave të ndryshme të tij në luftën e ardhshme.
Rol të rëndësishëm në program i jepej inteligjencës shqiptare, e cila, siç thuhej, “nuk përfshinte më shumë se 1% të popullsisë shqiptare”, mirëpo “roli i saj dhe ndjenjat nacionale janë në piedestalin më të lartë, në krahasim me shtresat tjera në Kosovë…”. Duke e përshkruar gjendjen reale të shqiptarëve nën Jugosllavi, në program thuhej se “sipas një statistike” ende të papërfunduar “nga viti 1945 deri 1960 para gjyqeve famëkeqe jugosllave kanë dalë më shumë se 500 organizata, grupe të vogla e të mëdha apo individë, të cilët janë gjykuar për veprimtari rreth çështjes së çlirimit të Kosovës” e të viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi dhe “bashkëngjitjen me Shqipërinë”. Shqiptarët në Kosovë, sipas programit, nuk ishin përfshirë në “përmasa të mjaftueshme në organet e pushtetit, trupave vetëqeverisëse e ngjashëm”, përkatësisht potencohet se “me qëllim janë nëpërkëmbur”. “Në anën tjetër”, thuhet më tej, “serbët dhe malazezët kryesisht gjenden në vende udhëheqëse drejtuese e administrative, që kjo iu sjellë të ardhura shumë më të larta”.
Në një nënkapitull të veçantë të programit bëhej fjalë për strategjinë e organizatës, ku – veç tjerash – thuhej se “lufta e tyre do të jetë e gjatë”, se e njëjta duhet “t’i përfshijë të gjitha shtresat e kombit shqiptar”, pastaj ajo duhet të zhvillohet “nën kushtet dhe rrethanat që mbisundojnë brenda kombit shqiptar si edhe kushteve dhe rrethanave që mbisundojnë në mbarë botën e sotme”, si dhe atë se “mbështetja kryesore e luftës duhet të jenë forcat e saja të brendshme, ndërsa ndihma nga jashtë do të shfrytëzohet si faktor i ndihmës plotësuese”. Për taktikën e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve në program ishin paraparë pesë pika, edhe atë: “1) Në asnjë moment të mos na zë gjumi; 2) Puna e sotme të mos lihet për nesër, por edhe e nesërmja të kryhet sot; 3) Veprimtaria e Lëvizjes të përqendrohet në ato shtresa, ku do të ketë më shumë sukses; 4) Forma e Lëvizjes të zgjerohet dhe të krijohet Lëvizje e gjerë kombëtare; 5) Duhet vepruar deri në bindjen e plotë, sepse në fund armiku do të pësojë, por në asnjë moment nuk duhet nënçmuar armiku dhe ndihmësit e tij.”.
Duke e parashtruar pyetjen se a thua lufta e tyre është e drejtë, hartuesit e programit përgjigjen pozitivisht dhe nënvizojnë se ata nuk kërkojnë “asgjë më tepër se atë që e gëzojnë popujt e Europës”, e kjo është që kombi shqiptar të bëhet i barabartë. “Si në aspektin perëndimor, po ashtu edhe në demokracinë socialiste, drejtësia është në anën e kombit shqiptar”, thuhej veç tjerash në program.
Siç u tha më lart, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve e pati edhe statutin e saj, i cili ndahej në dy pjesë kryesore: në pjesën e përgjithshme dhe atë organizative. Në pjesën e parë të statutit flitej se qëllimi i lëvizjes ishte “sigurimi i së drejtës për vetëvendosje deri te shkëputja e territoreve të banuara me shumicë shqiptare, të cilat ende gjenden nën administratën jugosllave…. dhe bashkimin me nënën Shqipëri”. Që të arrihej deri te kjo “… Lëvizja do t’i përdorë të gjitha mjetet dhe metodat …. nga propaganda politike …. e deri te lufta e armatosur dhe kryengritjes së përgjithshme kombëtare”. Në statut, më tej, thuhej se “Lëvizja nuk e orienton aktivitetin e vet në luftë kundër sistemit shoqëror-politik të RSFJ-së, por se aktiviteti dhe lufta e saj do të vazhdojë dhe do të arrij deri në atë shkallë, përderisa viset shqiptare, të aneksuara nga Jugosllavia, të çlirohen dhe të bashkohen me Shqipërinë…”.
Në pjesën e dytë të statutit thuhej se “anëtari i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve mund të jetë secili që i vendos interesat e përgjithshme mbi interesat personale… duke e flijuar jetën e vet, duke luftuar dhe ndihmuar pa rezervë çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve”. Në fund vihet në dukje se tradhtari “e dënon vetë me vdekje vetveten”, që e përcakton Komiteti Revolucionar dhe ndërmerr masa “për zbatimin e dënimit të pafalshëm”.
Ndërkohë, në pjesën e parë të vitit 1964, organet e sigurimit shtetëror jugosllav, me ndihmën e disa veglave të tyre, arritën ta zbulojnë veprimtarinë e Lëvizjes, me ç’rast u arrestuan mbi 300 vetë, prej tyre 41 u dënuan me burg të rëndë nga 3-15 vjet, ndërsa 40 të tjerë për kundërvajtje. Natyrisht, Adem Demaçi, si udhëheqësi kryesor i LRBSH-së, mori dënimin maksimal prej 15 vitesh heqje lirie. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe veprimtari i shquar i çështjes shqiptare, arsimtari Fazli Grajçevci, i cili, si pasojë e dhunës dhe terrorit të kryer nga ana e oficerëve të UDB-së, vdiq më 17 gusht të atij viti. Menjëherë pasi përfundoi procesi gjyqësor kundër 42 krerëve udhëheqës dhe anëtarëve të LRBSH-së, shërbimi sekret jugosllav (UDB) hartoi një dokument me titull “Veprimtaria armiqësore të elementeve reaksionare”, ku theks të veçantë i kushtonte veprimtarisë së Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, ku veç tjerash në të thuhej:
“…Gjatë kohës së ekzistimit, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve ka kryer disa aksione ilegale armiqësore në Kosovë. Kështu, kanë vendosur që para 1 majit 1964 ta vendosin në të gjitha vendbanimet e Kosovës flamurin shqiptar, që e kanë përgatitur vetë anëtarët e organizatës. Këtë aksion e kanë jetësuar në vepër në mbrëmjen 12 e 13 prillit dhe me këtë rast kanë vendosur 58 flamuj, në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Kosovës, Gjakovë, Gjilan dhe në disa fshatra. Përveç kësaj, organizata kishte planifikuar edhe disa aksione. Kështu, janë kryer përgatitjet që në fillim të qershorit këtë vit të kryhet aksioni i shpërndarjes së afisheve me përmbajtje armiqësore në mbarë Kosovën. Kanë vendosur që afishet e para t’i lëshojnë në Shkup, që të krijohet përshtypja se i tërë aksioni ka filluar atje. Është biseduar edhe për furnizimin e eksplozivit për minimin e disa objekteve ekonomike në Kosovë.
Me qëllim të ndërprerjes së aktiviteteve të mëtutjeshme të kësaj organizate në Kosovë, më 7 qershor 1964, filluam me burgosjen dhe hapjen e hetuesisë mbi anëtarët e organizatës. Gjithsej janë burgosur 43 persona, ndërsa hetimet janë kryer sipas grupeve, sipas vendbanimeve të arrestuarve, ndërsa në liri janë trajtuar 36 persona. Gjatë hetuesisë është dëshmuar se në veprimtarinë e organizatës ilegale ‘Lëvizja Revolucionare për Bashkimin Shqiptar’ kanë marrë pjesë ose kanë pasur njohuri për ekzistimin dhe veprimtarinë e saj rreth 300 persona, prej të cilëve 35 janë anëtarë të LK-së, që përbën 12% nga numri i përgjithshëm i personave të përfshirë në hetuesi. Gjatë arrestimit të pjesëtarëve të kësaj organizate janë konfiskuar: katër ekzemplarë të programit të organizatës, dy fletore të procesverbaleve për mbledhjet e mbajtura të organizatës e të grupeve, 1 ditar për punën e organizatës në Pejë, lista me emra të 36 personave që udhëheqja e organizatës i ka karakterizuar si agjentë të UDB-së, më shumë harta gjeografike për vendbanimet në territorin e Kosovës dhe një numër më i madh i publikimeve dhe materialit tjetër të botuar me përmbajtje irredentiste, që është marrë nga Shqipëria dhe nga emigracioni shqiptar nga Perëndimi.
Gjatë kohës së hetuesisë mbi pjesëtarët e arrestuar të kësaj organizate ilegale, disa përfaqësues të organizatës, të cilët kanë ngelur në liri, duke menduar se veprimtaria e tyre në organizatë nuk është zbuluar, vazhduan me aktivitetet armiqësore. Kjo pjesë e organizatës ilegale ka kryer edhe disa aksione në Kosovë: në mbarim të qershorit të këtij viti kanë vendosur 5 flamuj, ndërsa midis 3 e 4 korrikut, 37 flamuj shqiptarë janë vendosur në Prishtinë dhe midis 5 e 6 korrikut një flamur shqiptar është vendosur në afërsi të stacionit hekurudhor në Podujevë. Më 12 qershor, në afërsi të Normales në Prishtinë, është fshirë parulla ‘Rroftë 1 Maji’, e cila ishte e shkruar me shkumës të bardhë dhe në vend të saj është shkruar parulla ‘Rroftë Shqipëria’. Organizatorët e këtyre aksioneve janë zbuluar më pas dhe janë arrestuar.
Gjatë procedurës penale kundër anëtarëve të kësaj organizate ilegale, penalisht janë paditur 44 pjesëtarë. Administravisht janë dënuar 36 pjesëtarë të organizatës. Të paditurit penalisht janë dënuar me burg të rëndë edhe atë: Adem Demaçi, udhëheqës i organizatës me 15 vjet, me 14 vjet 1, me 13 vjet 2, me 12 vjet 1, me 11 vjet 3, me 10 vjet 7, më 9 vjet 6, më 8 vjet 2, më 7 vjet 5, më 6 vjet 1, më 5 vjet 4, me 4 vjet 6 dhe me 3 vjet 4 persona. Një nuk është dënuar për shkaqe shëndetësore (Adem Gajtani, alias “Gojko” – Q.L.). Me dënime administrative janë dënuar gjithsej 36 anëtarë të organizatës, midis të cilëve 2 ishin anëtarë të LKJ-së…”.
Ndërkohë, gjatë vitit 1965 në Kosovë u zbuluan edhe 9 grupe të tjera ilegale shqiptare, me ç’rastu u burgosën 78 vetë, që të gjithë, siç pohonte sekretari i atëhershëm Krahinor i Punëve të Brendshme të Kosovës, Miço Mijushkoviç, vepronin sipas direktivave të Adem Demaçit, i cili asaj kohe e vuante dënimin në burgun e Nishit. I njëjti burim vë në dukje se midis harkut kohor 1951-1965, nga ana e gjykatave të Kosovës u dënuan 5.000 shqiptarë për vepër penale “veprimtari armiqësore kundër shtetit dhe popullit”. Numri më i madh i tyre u dënuan përmes proceseve të montuara nga ana e UDB-së, siç ishte rasti i “Procesit të Prizrenit” në vitin 1956, ose rasti i arrestimit të Ibrahim Tërnavës gjatë vitit 1954, i cili asaj kohe e mbante pozitën e kryetarit të Këshillit të Rrethit të Drenicës dhe të deputetit federativ, por edhe shumë raste të tjera.
Është e rëndësishme të theksohet fakti se problemi shqiptar në RSFJ, në përgjithësi, e ai i Kosovës në veçanti, përkundër premtimeve të shumta, nuk pati një epilog të pritur edhe pas mbledhjes së IV të KQ të LKJ-së (1 korrik 1966), nga e cila, siç dihet, ra nga skena e atëhershme politike jugosllave ultranicionalisti serb Aleksandër Rankoviq dhe klika e tij serbomadhe. Përkundrazi, kërkesat e inteligjencës shqiptare, si për shembull: përdorimi dhe ngritja e flamurit shqiptar; kremtimi i 28 Nëntorit; sjellja ndaj gjuhës së vetme letrare; sjellja ndaj personaliteteve nga historia kombëtare; sjellja ndaj krijimtarisë bashkëkohore kulturore-artistike dhe kombëtare etj., nga disa qarqe të atëhershme brenda strukturave partiake jugosllave jo që nuk përfilleshin, por madje konsideroheshin si “reaksionare”, “nacionaliste” dhe “irredentiste”. Sekretariati Krahinor i LK të Kosovës, në analizën e hartuar gjatë muajit janar 1968, vlerësonte se gjithë ajo vinte si rrjedhojë e mossqarimit të duhur nga ana e vet udhëheqjes komuniste “se çfarë nënkuptohet e çfarë nuk nënkuptohet irredentiste”. “Insistimi, thuhej në analizë, që këto probleme të sqarohen dhe zgjidhen në kuptimin e barazisë së plotë të kombësive, nuk mund të karakterizohen si irredentiste. Përkundrazi, moszgjidhja e këtyre problemeve… krijon hapësirë për veprimtari të elementeve nacionaliste dhe reaksionare…”.
Në mbarim të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar në Shkup u vendosën dy veprimtarë të shquar të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve: Teki Dervishi dhe Jusuf Gërvalla. Vendosja e tyre, sipas UDB-së maqedonase, ishte me porosi të “liderit shpirtëror të tyre, Adem Demaçit”, i cili në atë kohë e vuante dënimin prej 15 vitesh burg të rëndë. Është e rëndësishme të thuhet se Gërvalla dhe Dervishi atëbotë u punësuan në gazetën e atëhershme në gjuhën shqipe “Flaka e Vëllazërimit”, gjë që shkaktoi pakënaqësi edhe më të madhe te disa qarqe të Shkupit zyrtar. Në një informatë të shërbimit sekret maqedonas, ndër të tjerash, thuhej se: “’Flaka e vëllazërimit’ po bëhet grumbulluesja e personave të njohur për veprimtarinë e tyre armiqësore”. Për kalimin e Teki Dervishit në Shkup njoftonte edhe shërbimi sekret i Prishtinës, ku shprehimisht thuhej: “Marrim veshtë se Teki Dervishi është punësuar si gazetar në redaksinë e Flakës së Vëllazërimit në Shkup. Në Shkup është shumë i afërt me Alush Kamberin. Përndryshe, rrethi i Tekiut përbëhet nga: Ymer Shkreli, gazetar nga Prishtina, Beqir Musliu (me këtë veçmas është i afërt, ndërsa Beqiri ka qenë i burgosur), gazetar në Zërin e Rinisë, Mazllum Sanaja, student i albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, Bujar Rexha, mësues në fshatin Ramoc, Hasan Hasani, student në Fakultetin Filozofik – grupi albanologji, Nexhmedin Soba me prejardhje nga Gjakova, tash në redaksinë e Flakës së Vëllazërimit”.
Qarqet e sigurimit shtetëror të Shkupit e të Prishtinës e përcillnin në hap veprimtarinë e Teki Dervishit. Në një dokument tjetër të këtij shërbimi, ndër të tjerash, përshkruhej veprimtaria e tij që në periudhën e hershme, përkatësisht në kohën kur ai i vijonte mësimet në gjimnazin e Gjakovës e deri në burgosjen e tij në vitin 1964. Ja se çfarë thuhej në të: “Teki Dervishi, që në kohën si nxënës ka shkruar vjersha me përmbajtje nacionalist-shoviniste. Në gjimnazin e Gjakovës së Kosovës ka vazhduar me shkrime dhe është pranuar nga profesorët Avni Luma dhe Kadri Kusari. Për shkak të veprimtarisë së këtillë Tekiu është përjashtuar nga gjimnazi. Në vitin shkollor 1963/64 Tekiu u regjistrua në gjimnazin e Pejës, ku u njoftua me Ramadan Shalën, i dënuar për shkak veprimtarisë armiqësore. Përmes tij u bë anëtar i organizatës ilegale irredentiste ‘Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve’. Me detyrën që e merr nga organizata, në Gjakovë formon grupin, me të cilin udhëheqë personalisht ai. Për shkak të këtij aktiviteti më 8 gusht 1964 nga Gjyqi i Qarkut në Pejë u dënua me 3 vjet burg të rëndë. Në kohën e fundit posedojmë të dhëna se Tekiu vepron edhe në territorin e Maqedonisë me aktivitetin e tij armiqësorë në planin nacionalist-irredentiste…etj”.
Në raportin me nr. 360, të datës 5 gusht të vitit 1971, i përgatitur nga një oficer i sigurimit shtetëror jugosllav (shqiptar), komentohet artikulli i zgjeruar i Dr. Xhelal Mitrovicës, botuar në gazetën “Atdheu”, organ i organizatës kombëtare shqiptare “Legaliteti”, që vepronte në shtetet perëndimore. Në këtë artikull, hartuesi i raportit në fjalë, Xhelal Mitrovica, flet për shpërnguljen e popullsisë shqiptare nga “RS e Maqedonisë, Kosova e Mali i Zi” për në Turqi, që ka qenë një “intrigë e maqedonasve, malazezëve dhe serbëve”, se kombi shqiptar në Jugosllavi “është shpërngulur në Stamboll dhe në Anadoll me urdhër të UDB-së”, se maqedonasit dhe serbët “nuk kanë lejuar të prosperojë ky komb” në mënyrë të barabartë në radhët e veta dhe se shqiptarët nën regjimin e Titos dhe robërisë komuniste “ende po maltretohen duke mos i gëzuar të drejtat e tyre kombëtare dhe se janë nën kushte të dobëta ekonomike të jetesës, nën mjerim”. Më pas, Mitrovica ndalet në konceptin e inteligjencës së re shqiptare, përkatësisht për ndjenjat kombëtare të shqiptarëve nën Jugosllavi, ku si shembull e merr Teki Dervishin, gazetar në “Flakën e Vëllazërimit”, për të cilin thotë se ai është një intelektual i ri shqiptar, i cili ka guxim “të shkruajë në opinion” për t’i dalë në mbrojtje kombit të vet, sepse “e njeh të kaluarën e shqiptarëve”, e njeh “rrugën e emigracionit shqiptar” dhe se mendimet e tij janë identike me idetë e emigracionit. “Kanë ndjenja të njëjta dhe luftojnë për qëllimet e njëjta”, theksohet ndër të tjerave në raport, për të shtuar: “si i tillë renditet dhe vlerësohet Tekiu nga ana e personaliteteve të caktuara të emigracionit” dhe si shembull merret një pjesë e reportazhit të tij “Prespanët po ikin”, botuar në “Flakën e Vëllazërimit”, i cili nga redaksia e asaj gazete “fitoi çmimin e reportazhit më të mirë”. Në fund raportuesi ndalet në veprimtarinë dhe në qëndrimet e Teki Dervishit, ku shprehimisht thotë: “Reportazhin që e ka shkruar Teki Dervishi në ‘Flakën e Vëllazërimit’ nga data 17 dhjetor 1970 e kam lexuar edhe unë. Për qëndrimet e tij ekstreme në përgjithësi i kam njoftuar dhe jam konsultuar me disa shokë nga operativa, për shkrimet e Tekiut në romanin Skedaret (ku e përshkruan jetën e tij në Goli Otok/, ai shfaqet në mënyrë ekstreme dhe nacionaliste edhe në shumë artikuj tjerë që ai i shkruan në mënyrë të paqartë dhe ironike… Teki Dervishi përcillet në lëndën DL që e përpunon SKPB të Kosovës në Prishtinë. Ndërsa këtu në Shkup është personaliteti dhe lidhja kryesore e personaliteteve irredentiste në RSM dhe Kosovë (për të cilin dinë shumë pak shokët nga UDB-ja). Ky është një rast mjaft i pazakontë dhe interesant që meriton vëmendjen tonë dhe të informohet UDB-ja e Prishtinës. Për Tekiun ka se çfarë të thuhet, veçanërisht tash kur është përkrahës dhe bashkëmendimtar i personaliteteve shqiptaro-madhe dhe me ndikim të emigracionit në SHBA, Kanada dhe në Perëndim”.
Gjithnjë duke iu referuar burimeve arkivore, shohim se dy misionarët e kauzës kombëtare, Jusuf Gërvalla dhe Teki Dervishi, për një kohë të shkurtër arritën të krijojnë në Shkup një bërthamë të shëndoshë, e cila përbëhej kryesisht nga ish veprimtarë të NDSH-së, si dhe nga shtresa e atëhershme intelektuale dhe e rinisë studentore, siç ishin: Xhafer Gjurishevci, Hamzë Gjinolli, Rexhep Bunjaku, Ramadan Nika, Ahmet Dërguti, Nazmi Dashi, Qemal Bunjaku, Ilmi Begraca (Ejupi – Q.L.), Taip Ibrahimi, Gjungjuz Jusufi, Mehmet Bajraktari, Asllan Breza, Hajriz Kajolli, Nehat Orana, Ramadan Hogoshi, Xhelal Orana, Rustem Agushi, Murat Rustemi, Adnan Agai, Nehas Sopaj, Osman Shala, Murat Zherka, Mehmedali Hoxha, Halil Zeneli, Jak Nikolla, Tahir Seferi, Petrit Jegeni, Abaz Shala, Ahmet Ahmeti, Abedin Bina etj.
Ndërkohë, Jusuf Gërvalla e braktisi “Flakën e Vëllazërimit”, për të kaluar në “Rilindje” të Prishtinës. Kalimi në këtë gazetë shqiptare, sipas UDB-së jugosllave, nuk ishte i rastësishëm, por erdhi me “porosi të Adem Demaçit”, me qëllim të koordinimit sa më të mirë të veprimtarisë ilegale. Në Prishtinë, siç vihet në dukje në një dokument arkivor, tashmë në Lëvizje ishin përfshirë një numër i madh i atdhetarëve dhe intelektualëve shqiptarë, si: Vesel Rexhepi, Qamil Brovina, Shaban Llozana, Qamil Luzha, Raif Halimi, Fadil Bujari, Beqir Musliu, Hasan Hasani, Musa Ramadani, Shaip Beqiri, Agim Vinca, Qani Mehmeti, Mehmet Kraja, Imer Imeri, Remzi Izairi, Rihan Ismaili, Mehmet Emërllau, Xhemail Mustafa, Ibraim Kadriu, Beqir Sulejmani, Kadri Hoka, Iliaz Kadriu, Ramadan Agushi, Selman Brisollci, Sabit Llashtica, Riza Rukovci, Hilmi Dulla, Nazmi Kryeziu, Musa Peja, Zeqir Groshi, Rexhep Gashi, Nexhmedin Soba etj. Gjatë vitit 1974, në një ndër takimet e fshehta të Jusuf Gërvallës dhe Mehmet Emërllahut me aktivistët e Lëvizjes ishte marrë vendimi që Lëvizja të shtrihet edhe në viset shqiptare të Maqedonisë Perëndimore. Ky vendim së shpejti u bë realitetet, sepse në organizatë do të përfshihen një numër i konsiderueshëm i atdhetarëve dhe intelektualëve shqiptarë nga Kumanova e deri në Strugë.
Për sa u tha mësipër, shihet qartë se Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve e vazhdoi veprimtarinë, edhe pse udhëheqësi shpirtëror i saj ishte i burgosur. Madje, udhëheqja e atëhershme komuniste jugosllave, demonstratat e vitit 1981 i shihte si vazhdimësi e veprimtarisë së Lëvizjes së Adem Demaçit. Në dokumentin me titull “Vlerësimet dhe qëndrimet rreth ngjarjeve kundërrevolucionare në Krahinën Autonome Socialiste të Kosovës”, të miratuar nga Këshilli Federativ për Mbrojtjen e Rregullimit Kushtetues më 23 prill 1981, ndër të tjerash thuhej: “Është e qartë se aksioni i tanishëm kundërrevolucionar në Kosovë paraqet vazhdimin e logjikshëm të veprimtarisë së organizuar e në vijimësi të armikut. Aksionet e para propaganduese pas demonstratave të vitit 1968 në Prishtinë janë shfaqur në disa vende në Kosovë gjatë vitit 1973. Aktorët ishin mbështetësit të zbuluar të organizatës së dënuar ilegale dhe armiqësore ‘Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve’ të Adem Demaçit. Më pas, në vitin 1974, ky grup, vazhdoi me shpërndarjen e pamfleteve propaganduese, ndërsa numri i tyre, sipas të dhënave të SPB-së, arriti në afërsisht 100 persona. Një numër u zbulua dhe u dënua, por teknika e shumëzimit të materialit propagandues nuk qe zbuluar.”.
Në përmbyllje të këtij punimi studimor, kushtuar veprimtarit të shquar të çështjes shqiptare, Adem Demaçit, dhe Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, duhet theksuar se përkundër faktit se konsiderohej si një lëvizje e majtë, në të qenë përfshirë një numër i konsiderueshëm i veprimtarëve të organizatës së mëhershme Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH). Deri te kjo erdhi për shkak se programi i Lëvizjes nuk e përjashtonte ndihmën e faktorit demokratik të Europës Perëndimore e të SHBA-së. Për këtë, gjithsesi, më meritori ishte udhëheqësi shpirtëror i Lëvizjes në fjalë, Adem Demaçi, por edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, për të cilët u fol më sipër.
Krejt në fund po i referohem një pjese të fjalimit të udhëheqësit të Lidhjes Kosovare, Prof. Luan Gashit, në Kongresin e Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Europiane, i mbajtur me 6-8 tetor 1978 në Luksemburg, ku veç tjerash do të shprehet: “Burgjet famëkeqe në Beograd, Nish, Mitrovicë të Sremit dhe në vendet tjera janë të mbushur me kosovarë, të cilët atje janë dërguar me apo pa proces gjyqësor, vetëm për shkak se kanë marrë guximin të insistojnë që t’i kenë të drejtat e njëjta si qytetarët tjerë. Z. Mihajllo Mihajllov, autor i dalluar dhe disident politik, i cili situatën në Jugosllavi dhe deklarata e tij është publikuar në Congressional Report /raport i Kongresit/ më 1 gusht 1978. Po i referohem vetëm një pjese të deklaratës së z. Mihajllovit, në të cilën ai flet për një shqiptar të burgosur: ‘Adem Demaçi, nacionalist shqiptar, shkrimtar i cili është i pari në Jugosllavi që botoi roman në gjuhën shqipe, qëndroi tre vjet në burg (1960-63), për shkak të propagandës armiqësore, përkatësisht për shkak vërejtjeve që kanë pasur karakter kritik. Në vitin 1964 u dënua me 15 vjet heqje lirie për shkak se ka marrë pjesë në shpërndarje të broshurave, mirëpo pas rënies së shefit të policisë sekrete jugosllave Rankoviq, dënimi u zvogëlua në 10 vjet. Dënimin e vuajti deri në fund dhe u lirua nga burgu në vitin 1974. Në fund të po këtij viti përsëri u burgos dhe në vitin 1975 përsëri u dënua me 15 vjet nën akuzën se përsëri ka shpërndarë broshura me propagandë armiqësore. Tash gjendet në burgun më famëkeq në Stara Gradishkë të Kroacisë.”.