A është i mundur një “kapitalizëm me ndërgjegje” në një shoqëri sekulare?

Në vitet e fundit, koncepti i kapitalizmit etik (ose i ndërgjegjshëm) është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm. Ideja qendrore e këtij koncepti është parimi se bizneset kanë potencialin të jenë një motor për përparim dhe një nxitës i zhvillimeve pozitive. Kjo filozofi shkon përtej gjenerimit të fitimeve, duke përfshirë një qëllim më të lartë, pra orientimin ndaj palëve të interesuara, lidershipin e ndërgjegjshëm dhe një kulturë të ndërgjegjshme.

Jyxhel SPAHI, Prizren

Në një periudhë kur sistemet ekonomike shpesh konsiderohen si të shkëputura nga çdo bazë morale që do t’u jepte legjitimitet dhe drejtim, lind një pyetje esenciale që e prek ndërgjegjen kolektive: a mund të imagjinohet një kapitalizëm i mbështetur në ndërgjegje morale në një shoqëri sekulare? Kjo temë është veçanërisht e rëndësishme për vende në tranzicion, si Kosova, ku sistemet ekonomike janë përvetësuar pa u shoqëruar nga një reflektim i thellë mbi vlerat dhe standardet që i bëjnë këto modele të qëndrueshme dhe të drejta.

Ky shkrim ka për qëllim ta shqyrtojë kompleksitetin e këtij problemi, të analizojë modele të kapitalizmit etik të mbështetura në vlerat, si dhe të propozojë një perspektivë të re të përshtatur me realitetin social e kulturor të Kosovës. Në këtë drejtim, do të shqyrtohet roli i shekullarizmit dhe etikës në zhvillimin ekonomik dhe institucional. Derisa disa studime argumentojnë se rritja e mirëqenies shoqërohet me ulje të ndikimit të religjionit në jetën publike dhe, rrjedhimisht, me një dobësim të lidhjes midis religjionit dhe zhvillimit socio-ekonomik (Lozano, 2017), studime të tjera tregojnë se shekullarizmi mund të shërbejë si një parakusht për zhvillim, sidomos kur mbështetet nga respekti për të drejtat individuale dhe pluralizmi (Ruck, Bentley, & Lawson, 2018).

Suksesi i një sistemi (modeli) ekonomik nuk përcaktohet vetëm nga ligjet në fuqi, por nga vlera të thella morale që burojnë nga kultura, besimi dhe traditat e një kombi. Shembulli i Kosovës tregon se kalimi drejt ekonomisë së tregut, pa u mbështetur në këto vlera të përbashkëta, krijon një boshllëk etik. Ky boshllëk nuk mund të mbushet me imponime, por kërkon një rikthim te parimet etike që i ofron trashëgimia jonë, të cilat janë thelbësore për një treg të drejtë dhe institucione të qëndrueshme. Si rrjedhojë, shekullarizmi nuk duhet parë si problem, por si një kontekst ku kultivimi i këtyre vlerave tradicionale bëhet edhe më i domosdoshëm për ta udhëhequr etikën ekonomike.

Me fjalë të tjera, pa një strukturë të brendshme morale, kapitalizmi rrezikon të degjenerojë në një sistem të padrejtë që i thellon pabarazitë. Kritikët më radikalë shprehen se vetë koncepti i kapitalizmit etik është kontradiktor, duke argumentuar se etika ka në thelb kujdesin për të mirën e përbashkët, ndërsa kapitalizmi shpesh është i ndërtuar mbi interesin individual (Anderson, 2019).

Shekullarizmi dhe ndikimi i tij në marrëdhëniet ekonomike

Diskutimet mbi ndikimin e shekullarizmit në marrëdhëniet ekonomike është i ndërlikuar dhe ka qenë temë e shumë studimeve. Sipas disa studimeve, me rritjen e të ardhurave personale, shoqëritë priren të bëhen më sekulare, gjë që mund ta dobësojë lidhjen me fenë dhe kjo mund të rezultojë në aspektin socioekonomik (Lozano, 2017). Teza e sekularizimit e parashtron idenë se rritja ekonomike mund të shkaktojë një ulje të besimit dhe praktikave fetare, megjithatë, është thelbësore të potencohet se ky proces nuk ndodh gjithmonë në mënyrë të njëtrajtshme ose kudo në botë. Ashtu siç argumenton Fernando A. Lozano (2017), me thellimin e procesit të sekularizimit në shoqëritë perëndimore, efektet pozitive që shoqërojnë përfshirjen fetare në jetën publike dhe individuale rrezikojnë të zbehen ose edhe të zhduken krejtësisht (Lozano, 2017). Nga një perspektivë tjetër, argumentohet se sekularizimi nuk është pasojë, por pararendës i zhvillimit ekonomik. Sipas një studimi të Universitetit të Bristolit (2018), ky proces ndodh vetëm kur mbështetet nga një klimë tolerance dhe respekti ndaj të drejtave të individit (Ruck, Bentley, & Lawson, 2018). Damian Ruck (2018), në artikullin e tij “Religious decline was the key to economic development in the 20th century”, argumenton se sekularizimi shpesh i paraprin zhvillimit ekonomik, duke sfiduar idenë e zakonshme se është zhvillimi ekonomik ai që çon në sekularizim. Megjithatë, ai thekson se ky proces prodhon rezultate pozitive vetëm kur mbështetet nga një kulturë e thelluar respekti për të drejtat dhe liritë individuale (Ruck, 2018). Në një shoqëri si Kosova, ku ndihma dhe respekti i ndërsjellë janë rrënjosur thellë në traditë, sfida reale nuk qëndron te shekullarizmi, por te ruajtja e harmonisë ndërnjerëzore. Një model ekonomik njerëzor ndërtohet mbi themelet e solidaritetit dhe tolerancës që shoqëria jonë i ka ushqyer prej shekujsh.

Ndikimi i shekullarizmit në zhvillimin ekonomik: një perspektivë globale

Disa studime argumentojnë se, edhe kur merret parasysh niveli i të ardhurave, një shoqëri që bëhet më sekulare, ka më shumë gjasa të përballet me probleme ekonomike dhe demografike (Lozano, 2017). Kjo tregon se ndikimi i shekullarizmit nuk është gjithmonë pozitiv dhe mund të varet nga konteksti specifik social dhe kulturor i një vendi. Për shembull, në shoqëritë ku feja luan një rol qendror në ofrimin e shërbimeve sociale dhe me mbështetje komunitare, një rënie e papritur e pjesëmarrjes fetare pa zëvendësimin e këtyre funksioneve nga institucione të tjera, mund të ketë pasoja negative ekonomike dhe sociale. Është, gjithashtu, e rëndësishme të theksohet se lidhja midis fesë dhe rritjes ekonomike mund të jetë e ndërmjetësuar nga faktorë të tjerë. Për shembull, feja mund të ndikojë në rritjen ekonomike përmes kanaleve, si kapitali njerëzor (edukimi), kapitali social (besimi dhe bashkëpunimi), institucionet (ligjet dhe rregulloret e bazuara në parime fetare) dhe shpërndarja e të ardhurave. Kështu, ndikimi i fesë në ekonomi është kompleks dhe nuk mund të reduktohet në një marrëdhënie të thjeshtë shkak-pasojë (CEPR, 2024).

Lidhja mes etikës dhe sistemit kapitalist shpjegohet në mënyrë të thelluar nga Max Weber-i në studimin e tij klasik, “Etika Protestante dhe Fryma e Kapitalizmit”. Sipas Weber-it, zhvillimi i kapitalizmit në Europë u nxit nga etika protestante, sidomos ajo kalviniste. Kjo etikë i nxiti njerëzit t’i përkushtoheshin punës në jetën e përditshme, të krijonin biznese dhe të grumbullonin pasuri për ta riinvestuar. Kjo etikë e theksonte punën e palodhur, kursimin dhe investimin, duke e parë suksesin ekonomik si një shenjë të favorizimit hyjnor. Së këndejmi, etika protestante e punës ishte një forcë e rëndësishme pas shfaqjes së paqëllimshme dhe të pakoordinuar të kapitalizmit modern. Në SHBA dhe Gjermani, ky themel etik, i mbështetur në traditat fetare, kontribuoi në formimin e një kapitalizmi që, pavarësisht kritikave, ka pasur një dimension etik më të theksuar. Kompanitë si “Patagonia” dhe “Whole Foods”, të cilat janë shembuj të kapitalizmit të ndërgjegjshëm, tregojnë se është e mundur të ndërtohet një kompani fitimprurëse duke vepruar në mënyrë etike dhe duke marrë parasysh interesat e të gjitha palëve të interesuara; punonjësit, aksionerët, furnitorët, klientët dhe komuniteti (Grand Canyon University, 2023). Këto kompani nuk e kufizojnë aktivitetin e tyre vetëm në krijimin e fitimit, por ato përqafojnë një mision më të lartë, duke ndërtuar kultura organizative të mbështetura në ndërgjegje, përgjegjësi shoqërore dhe respekt për të gjitha palët e interesuara. Në këtë mënyrë, ato tregojnë se është e mundur të harmonizohen interesat ekonomike me vlerat humane, duke e kthyer sipërmarrjen në një mjet për ndryshim pozitiv shoqëror (Grand Canyon University, 2023). Megjithatë, duhet theksuar se modeli i “kapitalizmit të ndërgjegjshëm” nuk përfaqëson zgjidhjen absolute, pasi kritika të shumta i sfidojnë vetë bazat e sistemit kapitalist. Siç është diskutuar më herët, forma neoliberale e kapitalizmit shpesh konsiderohet jo vetëm e paqëndrueshme, por edhe thelbësisht e papajtueshme me një etikë të qëndrueshme sociale (Danvers, 2024). Kjo tregon se edhe në shoqëritë me një histori të fortë të kapitalizmit etik ka nevojë për rishikim dhe përshtatje të vazhdueshme të parimeve etike në funksion të sfidave bashkëkohore.

Në vitet e fundit, koncepti i kapitalizmit etik (ose i ndërgjegjshëm) është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm. Ideja qendrore e këtij koncepti është parimi se bizneset kanë potencial të jenë një motor për përparim dhe një nxitës i zhvillimeve pozitive. Kjo filozofi shkon përtej gjenerimit të fitimeve, duke përfshirë një qëllim më të lartë, pra orientimin ndaj palëve të interesuara, lidershipin e ndërgjegjshëm dhe një kulturë të ndërgjegjshme (Grand Canyon University, 2023). Për ta pasqyruar këtë zhvillim në rritje drejt kapitalizmit të ndërgjegjshëm, duhet t`u referohemi disa të gjeturave që dëshmojnë ndryshimin e sjelljes konsumatore. Këto sondazhe, të kryera nga “OpenText” (2021) me 27,000 pjesëmarrës, kanë zbuluar se 88 për qind e konsumatorëve në mbarë botën preferojnë të blejnë produkte që janë prodhuar në mënyrë etike dhe të qëndrueshme. Për më shumë, 83 për qind e tyre kanë shprehur gatishmërinë për të paguar më shumë për këto produkte (Marquette University, 2023). Kjo pasqyron një ndryshim të qartë në sjelljen e konsumatorëve, duke i shtyrë bizneset të përdorin metoda më të etikuara dhe të hapura. Studimet tregojnë se 77 për qind e konsumatorëve janë të motivuar të blejnë nga kompani të përkushtuara për ta bërë botën një vend më të mirë, kurse 73 për qind e investitorëve deklarojnë se përpjekjet për ta përmirësuar mjedisin dhe shoqërinë kontribuojnë në vendimet e tyre të investimit (Harvard Business School Online, 2021). Këto shifra theksojnë se CSR (Përgjegjësia Sociale Korporative) nuk është vetëm një imperativ moral, por edhe një strategji e zgjuar biznesi që mund të sjellë përfitime të konsiderueshme. Kompanitë që përqafojnë kapitalizmin etik shpesh shfaqin performancë më të mirë financiare. Për shembull, kompanitë e listuara si “Kompanitë më Etike në Botë” nga “Ethisphere” e tejkaluan indeksin e kompanive globale me 7.8 për qind, nga janari 2020 deri në janar 2025 (Ethisphere, 2025). Këto kompani demonstrojnë se është e mundur të ndërtohet një kompani fitimprurëse duke vepruar në mënyrë etike dhe duke marrë parasysh interesat e të gjitha palëve të përfshira. “Patagonia”, për shembull, është e përkushtuar ndaj një zinxhiri furnizimi miqësor ndaj mjedisit dhe paguan punonjësit e saj me paga të drejta. “Whole Foods”, e bashkëthemeluar nga John Mackey, një nga themeluesit e lëvizjes së kapitalizmit të ndërgjegjshëm, ndjek parime etike që ushqejnë të gjitha palët e interesuara dhe promovojnë jetesën e shëndetshme (Grand Canyon University, 2023). Këto raste studimi dhe statistikat globale ofrojnë një provë bindëse se kapitalizmi etik nuk është një iluzion, por një model i zbatueshëm dhe i suksesshëm biznesi. Ato tregojnë se integrimi i etikës në thelbin e operacioneve të biznesit mund të sjellë përfitime të shumta, duke përfshirë rritjen e besnikërisë së klientëve, tërheqjen e investitorëve, përmirësimin e kulturës së kompanisë dhe performancën financiare. Për ekonomitë në zhvillim, si ajo e Kosovës, këto modele ofrojnë një udhërrëfyes për ndërtimin e një sistemi ekonomik që është jo vetëm efikas, por edhe i drejtë dhe i qëndrueshëm.

Ndërtimi i një modeli etik për Kosovën në një shoqëri sekulare

Në shoqëritë në tranzicion, si Kosova, përpjekja për një ekonomi etike ndeshet me pengesa të shumta dhe të veçanta, të cilat janë kryesisht rezultat i mentalitetit dhe strukturave të trashëguara nga sistemet e mëparshme. Pas tranzicionit, Kosova u veçua për një adoptim të shpejtë të ekonomisë së tregut, por shpesh pa i kushtuar vëmendjen e duhur dimensionit etik. Mungesa e një etike të brendshme, e cila nuk mund të imponohet nga shteti, por duhet të burojë nga kultura, feja dhe komuniteti, lë një boshllëk të madh në funksionimin e tregut dhe institucioneve shoqërore.

Një nga problemet kryesore në këtë proces është mungesa e një kuadri rregullator të fortë dhe e zbatimit efektiv të ligjit. Në kontekstin e shoqërive postsocialiste, ky problem ritete dhe, në të njëjtën kohë, e rrit korrupsionin dhe mungesën e transparencës. Rezultati është një klimë tolerance ndaj shkeljeve, ku bizneset gjejnë hapësirë për të vepruar pa përgjegjësi etike ose ligjore, duke minuar themelin e një tregu të drejtë.

Nga ana tjetër, mungesa e një kulture të fortë etike në biznes, e trashëguar nga periudha socialiste, kur ndërmarrjet ishin në pronësi shtetërore edhe nuk funksiononin sipas parimeve të tregut të lirë, e bën më të vështirë adoptimin e praktikave të kapitalizmit etik. Po ashtu, mungesa e një edukimi të bazuar në parime etike (morale) kontribuon në formimin e individëve që nuk janë të pajisur me përgatitjen e nevojshme për të marrë vendime etike në mjedisin e biznesit. Për ta kapërcyer këtë, është thelbësore të integrohet edukimi etik në kurikulat arsimore, duke theksuar parimet universale të etikës (Sinusoid, 2021).

Tranzicioni nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi tregu ka sjellë gjithashtu pabarazi të mëdha sociale dhe ekonomike. Këto pabarazi mund të nxisin praktika joetike, pasi individët dhe kompanitë mund të ndihen të detyruar t’i shkelin rregullat për të mbijetuar ose për të fituar një avantazh konkurrues. Për të adresuar këtë çështje, është e rëndësishme të zhvillohen politika sociale që synojnë reduktimin e pabarazisë dhe ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë.

Megjithatë, ka edhe mundësi për ndërtimin e një kapitalizmi etik tek shoqëritë në tranzicion. Roli i shoqërisë civile është thelbësor në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe praktikave etike të biznesit. Këto mund të shërbejnë si zë për qytetarët dhe të ushtrojnë presion mbi qeverinë dhe bizneset për të adoptuar standarde më të larta etike. Duke shfrytëzuar potencialin njerëzor, trashëgiminë kulturore dhe rolin e shoqërisë civile, Kosova mund të ndërtojë një model të vetin të kapitalizmit etik, të rrënjosur në vlerat e transparencës, përgjegjësisë, ndershmërisë dhe solidaritetit të rrënjosur në realitetin e saj kulturor dhe historik. Zgjidhja qëndron në rindërtimin e besimit si vlerë shoqërore dhe ekonomike. Kjo mund të arrihet përmes disa shtyllave kryesore, të cilat duhet të jenë të përshtatura me kontekstin e një shoqërie që ruan vlerat e saj thelbësore.

Në radhë të parë, transparenca në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe ekonomisë është thelbësore. Kjo përfshin transparencën në qeverisje, në biznes dhe në institucionet arsimore. Një mjedis i hapur e ul korrupsionin dhe e rrit besimin e qytetarëve dhe investitorëve. Transparenca ndihmon në ndërtimin e një mjedisi ku vendimet merren në mënyrë të hapur dhe llogaridhënëse, duke minimizuar mundësitë për abuzim dhe duke forcuar besimin publik në institucione.

Ndër të tjera, edukimi etik nuk duhet të jetë thjesht formal, por duhet të thellohet në bazat filozofike dhe praktike të etikës. Kjo duhet të fillojë që në shkollat fillore dhe të vazhdojë në universitete, duke përfshirë studime mbi etikën e biznesit, etikën sociale dhe etikën personale. Siç thekson Darya Sinusoid-i (2021), në një shoqëri sekulare, morali bazohet në vlera thelbësore si e vërteta (e bazuar në prova), dhembshuria, barazia, liria, guximi për të pranuar injorancën dhe përgjegjësia (Sinusoid, 2021). Kjo do të ndihmojë në formimin e individëve me ndërgjegje të fortë etike, të cilët do të jenë shtylla e një kapitalizmi të ndërgjegjshëm, duke u bazuar në parime universale etike.

Po ashtu, është e rëndësishme të frymëzohemi nga e kaluara dhe traditat lokale. Kosova ka një histori me tradita të pasura, të cilat mund të shërbejnë si burim frymëzimi për ndërtimin e një etike të brendshme. Vlerat tradicionale, si besa, ndershmëria, solidariteti dhe puna e palodhur, mund të riinterpretohen dhe të aplikohen në kontekstin modern ekonomik. Kjo nuk do të thotë kthim në të shkuarën, por përdorim i mençur i trashëgimisë kulturore për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Këto vlera mund të shërbejnë si një themel i fortë moral për zhvillimin e një kapitalizmi etik, duke e bërë atë të rrënjosur thellë në identitetin kombëtar.

Së fundi, duke qenë se etika nuk lind nga shteti, por nga kultura, feja dhe komuniteti, është domethënëse të inkurajohet dialogu dhe bashkëpunimi midis këtyre faktorëve për të ndërtuar një konsensus mbi vlerat etike që duhet të udhëheqin marrëdhëniet ekonomike. Koncepti i “Kapitalizmit Fetar”, i propozuar nga Ralph Leader-i (2024), ofron një kornizë ku etika dhe vlerat fetare integrohen në sistemet ekonomike kapitaliste, duke adresuar praktikat etike të biznesit dhe promovimin e drejtësisë sociale dhe ekonomike (Leader, 2024).

Vetëm duke ndërtuar një kapitalizëm që është efikas, i drejtë, i qëndrueshëm dhe i ndërgjegjshëm, Kosova mund të sigurojë një të ardhme më të mirë për qytetarët e vet dhe të kontribuojë në zhvillimin e një ekonomie globale më etike.

Referencat:

Anderson, K. J. (2019, May 3). On the Absurdity of Ethical Capitalism. Public Books. https://www.publicbooks.org/on-the-absurdity-of-ethical-capitalism/

CEPR. (2024, September 8). Religion matters for economic growth through various channels. https://cepr.org/voxeu/columns/religion-matters-economic-growth-through-various-channels#:~:text=Religion për qind20also për qind20impacts për qind20economic për qind20growth,predestined për qind20to për qind20go për qind20to për qind20heaven.

Danvers, J. (2024, June 12). Mindful ethics, capitalism and sustainability: invest in life, not death. Secular Buddhist Network. https://secularbuddhistnetwork.org/mindful-ethics-capitalism-and-sustainability-invest-in-life-not-death/

Ethisphere. (2025). World’s Most Ethical Companies.
https://ethisphere.com/ për qind20worlds-most-ethical-companies/

Grand Canyon University. (2023, May 22). Ethical Capitalism and the Role of Ethics in Business. GCU Blog. https:// www.gcu.edu/blog/business-management/ethical-capitalism-role-ethics-business

Harvard Business School Online. (2021, June 15). 14 Eye-Opening Corporate Social Responsibility Statistics. https://online.hbs.edu/blog/post/corporate-social-responsibility-statistics

Leader, R. (2024, June 8). Religious Capitalism. SSRN. https://papers.ssrn.com/sol3/papers.cfm?abstract_id=4857728

Lozano, F. A. (2017). The rise of secularism and its economic consequences. IZA World of Labor.
https://wol.iza.org/uploads/articles/384/pdfs/the-rise-of-secularism-and-itseconomic-consequences.pdf

Marquette University. (2023, June 22). Ethical Business Practices. https://online.marquette.edu/business/blog/ethical-business-practices

Ruck, D. (2018, July 24). Religious decline was the key to economic development in the 20th century. The Conversation. https://theconversation.com/religious-decline-was-the-key-to-economic-development-in-the-20th-century-100279

Ruck, D. J., Bentley, R. A., & Lawson, D. J. (2018). Religious change preceded economic change in the 20th century. Science Advances, 4(7), DOI: 10.1126/sciadv.aar8680
https://www.science.org/doi/epdf/10.1126/sciadv.aar8680

Sinusoid, D. (2021, April 3). Morality in a Secular Society: Is There Such a Thing? Shortform. https:// www.shortform.com/blog/secular-society/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button