A do të ketë zgjidhje për dinarin? Kosovë-Serbi, raund të ri bisedimesh në Bruksel

A do të ketë zgjidhje në takimin e Brukselit për çështjen e dinarit? Para takimit diplomatë perëndimorë i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren që ndalon përdorimin e dinarit. Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë takohen sot (04.04) në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së në një raund të ri bisedimesh për zgjidhjen e situatës së krijuar për dinarin e Serbisë.
Kërkesa nga SHBA e BE
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien më parë bisedoi përmes telefonit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe diskutimet lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë. James O’Brien shkroi në platformën X, se me presidenten Osmani diskutoi “rëndësinë e zbatimit të rregullave monetare nga Kosova në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetin pakicë serb, dhe që palët të përmbushin të gjitha zotimet e marra në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Për Kosovën kjo përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, shkroi O’Brien.
Kosova dhe Serbia qysh në vitin 2013 nënshkruan marrëveshjen ku Kosova zotohet se do ta formojë Asociaconin e Komunave me Shumicë Serbe, por, në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese konstatoi se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Kësisoj kjo çështje ka mbetur pezull, ndonëse, në marrëveshjen e vitit të shkuar për normalizimin që u arrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut përfshihet edhe Asociacioni. Marrëveshja për normalizim Kosovë-Serbi, parasheh marrëdhënie të mira fqinjësore dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës, ndërsa u kërkon palëve që të përmbushin të gjitha marrëveshjet e mëparshme./DW



