A do të ketë ndalesë të rrjeteve sociale për fëmijët tek ne?

Nga 10 dhjetori Australia u bë vendi i parë në botë që prezantoi ndalesën për përdorimin e mediave sociale për personat nën 16 vjet. Ligji i ri parasheh bllokimin e qasjes në platformat si Facebok, Instagram, Snapchat, ТikTok, X, YouTube dhe Reddit, ndërsa aplikacionet e mesazheve si WhatsApp për momentin mbeten të disponueshme, transmeton Dojçe Vele (DW).
Çfarë mendon RMV-ja për modelin australian?
Maqedonia e Veriut për momentin nuk po planifikon ndalesa radikale si modeli australian, por çështja po shqyrtohet, konfirmoi ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski.
“Çdo ndalesë ka dy efekte. Nëse nuk arrini ta zbatoni deri në fund, disa do gjejnë mënyrë se si ta anashkalojnë atë, ndërsa të tjerë do të dalin plotësisht jashtë kontrollit. Pastaj, a është gati shoqëria për një hap të tillë?” tha Andonovski.
Sipas tij, zgjidhja qëndron tek edukimi dhe bashkëpunimi me prindërit për ta drejtuar përdorimin e telefonave celularë drejt përmbajtjeve të dobishme, e jo drejt garave ose aktiviteteve pa qëllim.
Efekte dhe opinione të ndryshme
Andonovski është i mendimit se projekti australian vështirë se do të ketë sukses të plotë, sepse tashmë po gjenden mënyra për ta anashkaluar ndalesën përmes pajisjeve dhe lidhjeve teknike.
Në Maqedoninë e Veriut përmes Qendrës për internet më të sigurt po punohet për mbrojtjen e fëmijëve.
“Çdo media sociale ka një kufizim për fëmijët nën 16 vjet. Nëse prindërit e zbatojnë këtë, atëherë fëmijët nuk do të kenë qasje në algoritme dhe përmbajtje që janë të dëmshme për ata. Nëse prindërit nuk e bëjnë këtë, është shumë më e vështirë për shtetin të ndërhyjë në zgjedhjen e lirë të çdo qytetari dhe familjeje”, tha ministri.


