VLEN: 1.000 denarë zbritje mujore në faturat e energjisë për familjet më të rrezikuara!

Në një konferencë për media, VLEN prezantoi sot një masë të re të mbështetjes sociale që synon të ndihmojë familjet më të ndjeshme me furnizimin me energji elektrike.

“Sot nuk po ndajmë vetëm një lajm teknik apo një vendim administrativ, sot ndajmë një lajm zemre dhe ndërgjegjeje, një hap përpara drejt drejtësisë sociale, një dëshmi konkrete se fuqia e shtetit duhet të jetë në shërbim të njerëzve që kanë më shumë nevojë”, tha përfaqësuesi i VLEN-it, Driton Sulejmani.

Qeveria, përmes Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, ka publikuar shpalljen për mbështetje financiare në energjinë elektrike, duke shpërndarë në total 42.3 milionë denarë si zbritje direkte prej 1.000 denarësh në muaj për një vit, për amvisëritë ku jetojnë persona me aftësi të kufizuara, persona tërësisht të verbër ose të shurdhër, si dhe përfitues të kompensimit të veçantë sipas Ligjit për Mbrojtje Sociale.

“Ky vendim e prek jetën reale të një nëne që rrit një fëmijë me aftësi të kufizuara, të një pensionisti që jeton me ndihmë sociale, të një qytetari që për dekada është ndjerë i harruar. Ky është një hap modest në vlerë monetare, por shumë i madh në simbolikë. Sepse me këtë themi: ‘Shteti është këtu për ty. Nuk je vetëm’”, tha Driton Sulejmani nga VLEN.

Sulejmani shtoi: “Energjia nuk është thjesht kilovat. Energjia nuk është thjesht megavat. Energjia është jetë. Energjia është siguri. Energjia është solidaritet. Duke e orientuar mbështetjen aty ku dhimbja është më e thellë, ne po krijojmë një sistem ku drita nuk është luks, por e drejtë. Ku ngrohja nuk është privilegj, por domosdoshmëri.”

VLEN i bëri thirrje qytetarëve të informojnë familjet, miqtë dhe fqinjët që mund të përfitojnë nga kjo masë, duke theksuar se aplikimi është i hapur dhe se qëllimi është që të mos mbetet askush pas.

“Besojmë se një shoqëri është vërtet e fortë vetëm atëherë kur më i dobëti prej nesh ndihet i mbrojtur. Së bashku po ndërtojmë një shtet që VLEN për të gjithë!” përfundoi konferenca.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button