Nga trauma te mitologjia: përdorimi historiografik i një heroi

Prej vitesh, diskutimet mbi veprat historiografike janë intensifikuar ndjeshëm. Studiuesit, përmes analizave dhe kritikave, falë informacionit që arrijnë të zotërojnë, burimeve nga të cilat nxjerrin të dhëna, si dhe instrumenteve analitike që përdorin gjerësisht në akademi dhe jo vetëm, po çelin shtigje të reja interpretimi mbi ngjarjet e së kaluarës historike.

Fjolla SPANCA, Mitrovicë

Sipas Gabor Maté, trauma nuk është thjesht një ngjarje e dhimbshme që ndodh jashtë nesh, por një përvojë e brendshme, që na mbërthen, na shkund e trondit, duke lënë pas gjurmë, ndonjëherë të pashlyeshme, të cilat lëshojnë rrënjë gjerë në thellësitë e qenies sonë. Fjala “traumë”, e ardhur nga greqishtja, do të thotë “plagë” dhe, si e tillë, nuk lidhet domosdoshmërisht me dhunën fizike ose me tragjedi të dukshme, por me mënyrën se si trupi dhe mendja e përjetojnë një ndodhi që shpesh e kapërcen kapacitetin tonë për ta përballuar emocionalisht. Siç shprehet Gabori: “Trauma nuk është ajo që ndodh me ty, por ajo që ndodh brenda teje si pasojë e ndodhisë rrotull teje.” Me fjalë të tjera, nuk është goditja në kokë ajo që lë gjurmë, por tronditja e brendshme që kjo goditje shkakton, një përvojë e hidhur që na ndjek si hije pafundësisht dhe që nuk mund të fshihet lehtësisht.

Për Matén, trauma përfaqëson një shkëputje nga lidhja e natyrshme me veten, të tjerët dhe botën; një përkufizim ky që rrjedh nga përvojat e tij të hershme gjatë Holokaustit. Ndër to, më përcaktuese ishte ndarja nga nëna në foshnjëri, një veprim i domosdoshëm ky për të mbijetuar në rrethana të jashtëzakonshme, megjithëkëtë i përjetuar si braktisje e thellë emocionale.

Këto episode të hershme, edhe në mungesë të dhunës së drejtpërdrejtë, sipas Maté-s, mund të lënë plagë emocionale me pasoja afatgjata. Ai argumenton se trauma e fëmijërisë mund të manifestohet më vonë në jetë përmes vështirësive në ndërtimin e marrëdhënieve, zhvillimit të varësive, problemeve me vetëvlerësimin ose sfidave të tjera të shëndetit mendor.

Kështu, përjetimet e hershme, edhe në mungesë të dhunës së drejtpërdrejtë, sipas Gabor Mates, mund të shënjojnë gjurmë të thella në strukturën emocionale të individit, duke lënë pasoja afatgjata. Ai thekson se trauma e fëmijërisë shpesh riartikulohet më vonë në formën e vështirësive në krijimin e marrëdhënieve, zhvillimit të varësive, krizave të vetëvlerësimit ose shqetësimeve të tjera të shëndetit mendor. Më tej, Mate thekson se ajo që për të rriturit mund të përjetohet si një ndërhyrje e arsyetuar osee domosdoshme, për një fëmijë mund të përbëjë një paralizim emocional të brendshëm, që cenon procesin e formësimit të identitetit dhe ndjenjës së sigurisë emocionale. Në këtë kontekst, Maté nënvizon rëndësinë e veçimit/diferencimit mes vetë ngjarjes traumatike dhe mënyrës se si ajo përjetohet a ruhet në vetëdijen e individit.

Ai sjell si shembull përvojën e vet: pra, nëse plagët e tij janë trazuar ngaqë nëna qe detyrimisht e kushtëzuar për ta dorëzuar Gaborin e saj foshnje tek një i huaj në këmbim të jetës së të voglit nën trysninë e rrethanave ekstreme, atëherë duhet të kuptojmë dhe pranojmë se ky momentum ishte një ngjarje historike, një realitet i pandryshueshëm, veçmas sepse koha nuk mund të kthehet kurrsesi. Por nëse plaga, njëmendësisht është përjetimi i brendshëm i Gaborit, pra ndjesia e të qenit i padashur, i pavlefshëm ose i braktisur, atëherë kjo traumë është e natyrës psikologjike dhe, si e tillë, mund të shërohet.

Në këtë kuptim, plagët që burojnë nga ndjesitë e brendshme, që fëmija i ndërton për veten si reagim ndaj “goditjeve të jashtme”, janë të transformueshme dhe mund të adresohen në çdo fazë të jetës. Sepse, perceptimet dhe ndjenjat që kemi formuar për veten nuk janë të ngulitura përjetësisht; ato mund të rishikohen, të rikonceptohen dhe, me kohë e kujdes, madje të transformohen.

Në këtë perspektivë, ndjesitë që një fëmijë i zhvillon për veten si përgjigje ndaj traumës, sado të dhimbshme, ato janë edhe të shërueshme, ngaqë nuk janë të ngulitura në mënyrë të pakthyeshme. Përkundrazi, përqasja me fisnikëri, maturi e butësi ndaj plagëve që e kanë meremetuar udhëtimin në këtë jetë mund të kthehet në përvojë shëruese për çdo grimcë dhimbjeje. Kjo qasje e thellon kuptimin e traumës, duke e parë jo si një ngjarje të izoluar në të shkuarën, por si një proces dinamik që ndikon vazhdimisht në ndërtimin e identitetit dhe në mënyrën si ndërveprojmë me botën. Për ata që kanë kaluar përvoja të vështira në fazat formuese të jetës, si vetë Maté gjatë Holokaustit, kjo qasje nuk përfaqëson vetëm një interpretim psikologjik, por një mundësi reale për transformim, pajtim dhe rigjetje të vetes.

Mitrovicë. Viti, 2000.

Ish-refugjatë të pluhurosur. Të sapokthyer prej udhëve të largëta. Pa busull dhe pa ide, por me një baule plot andrra për të dashtunin Atdhe. Pa shtëpi, pa katandi, na mban shpresa se “ka me u ba mirë” në Liri. Lodrojmë, ndonëse të ndrydhur prej minave që i kanë zaptuar arat tona. Jetojmë sikur dita është e fundit orë e jona. Ne, kërkonjësit e paepur të qetësisë e sigurisë. Fëmijë, larg fëmijërisë. Me plagët e luftës dhe padrejtësisë jemi Fryma që lyp Za për t’i ba hije tiranisë.

Viti zero?

Në mungesë librash, fletoret me “vija të gjana” presin me u nusnue të tana. Po i avitemi shkollës. Stinët fluturojnë. Ca mësues kthehen ca të tjerë mungojnë … Mësimi nis të shtrihet nëpër klasa që tashmë janë përplot zemra. Nxënësit që nuk po kthehen, do të zëvendësohen më të rinj, ardhur rishtazi nga çdo anë.

Në vështrim të parë gjithçka duket e lehtë. Jeta sikur e ka rigjetur rrjedhën e vet, të moçme. Zilet bien, ne rreshtohemi dhe një nga një futemi nëpër klasa, bojëbore. Askush s’flet për barrën që e mbajmë në krahëror. Harresa është kryefjala e heshtur e secilës ditë. Viti zero për kujtimet dhe përjetimet.

Në vitin zero çdo gjë nis nga e para. Ose, mbase jo nga e para, por nga një syth që disa mund ta konsiderojnë si anën e drejtë të historisë. Zero-ja është pika e fillimit, prej ku kapilaret e frymimit shpërndajnë fjalë, numra, shpresë, kujtime, shenja e kandila. Për ne, të sapokthyerit në fole, viti zero qe përpjekje për të zverdhuar gjithë ç’kishim hequr e kaluar. 

Po nga u nisëm, vallë, ne?

Natyrisht me Barletin. Nga Skënderbeu dhe bajlozët që dilnin prej thellësive të detit, si hije të lashtësisë që përziheshin me legjendën.

Andej, buzë kufirit të paqartë mes historisë dhe mitit, u mësuam të kërkonim shpëtimin, krenarinë, besa edhe shenjtërinë.

Ndërkaq, Adem Jashari e dëshmorët e rënë për Liri e Pavarësi, mbetën, përkohësisht, në këngët që këndoheshin herë më 28 Nëntor, e herë më 17 Shkurt, si poezitë e një dhimbjeje që s’pat ende gjuhë për të folur kujtesën dhe plagën e vet.

Të rritesh mes hiperbolash dhe artificash historike

Në vitin zero, ndër të tjerash, në zeruam krejt çfarë na patën hapur plagë të thella, gjer në palcë. Zeruam kujtimet, i heshtnuam dhimbjet dhe vazhduam kërkimin për bajlozët që me ujë deti paskëshin shkretnuar tokat tona, ndër vise e mote.

Pra, e nisëm me përpjekjen titanike zhvelosjen e vuajtjeve historike të një populli stoik, në krye të të cilit një hero qëndronte si minierë krenarie, ku gojëdhënat mblidheshin e prej ku çelej qëndresa, guximi e shpresa për arbnorët.

Ashtu si çiliminj që ishim, me truma që na kishin lënë plagë të pagojë, mësonim për hordhitë turke që kishin pasë pushtuar Tokën tonë dhe s’kishin lënë mizori pa provuar mbi kurrizin e arbërve trimënor.

Lexonim Barletin thuajse me një frymë, nga Gjuhë-Letërsia, te Gjeografia e Historia. Dita-ditës, lëmshi që ne e kishim mbledhur prej granatave e piskamave, po zëvendësohej me një mllef të përçudnuar që zu të shtresohej deri në angështim. Skënderbeu, ngadalë, por qëndrueshëm, po kthehej në simbolin e rezistencës, krenarisë dhe zgjimit kombëtar; fanari mbarëshqiptar. Të këndoje vizionin historiografik të Barletit fill mbas luftës, kjo kërkonte përqendrim dhe pranim unanim të atyre që prezantoheshin si të vërteta të padiskutueshme, ndonëse rrëfenjat e tilla, kuptohej ca më vonë, kishin qenë të ngarkuara me hiperbolizime, trillime e iluzione që, edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të përdoren si argumente historike.

Rikonstruksioni historiografik i Skënderbeut: mit, identitet dhe ideologji

Prej vitesh, diskutimet mbi veprat historiografike janë intensifikuar ndjeshëm. Studiuesit, përmes analizave dhe kritikave, falë informacionit që arrijnë të zotërojnë, burimeve nga të cilat nxjerrin të dhëna, si dhe instrumenteve analitike që përdorin gjerësisht në akademi dhe jo vetëm, po çelin shtigje të reja interpretimi mbi ngjarjet e së kaluarës historike. Përplasjet e metaforave madhore me realitetin kanë bërë që shumë paragjykime dhe perceptime, veçanërisht për vizionet e ngurta kulturore dhe antropologjike, të kapërcehen, duke hapur rrugën për riinterpretim dhe riorganizim të vlerave dhe gjykimeve. Veprat e dikurshme mbi rënien ose shkëlqimin e perandorive dhe qytetërimeve, sot, në shumë katedra universitare e kanë humbur epitetin e veprave historike; ndaj, të tillat, shtjellohen dhe studiohen kryesisht për vlerat e tyre artistike dhe letrare.

Nëse, rastësisht, do të donim të hidhnim një vështrim mbi historiografinë shqiptare, e cila fillon dhe përmbyllet shpesh me rrëfenjat për Gjergj Kastriotin, do të vërenim një trajektore të vakët interpretimesh.

Ardian Vehbiu, në “Peizazhe të Fjalës”, në shkurt të vitit 2009, pasi debati mbi librin e Schmitt-it ishte ndezur në median shqiptare, shkruante mbi Skënderbeun si një figurë tipike polisemike, e cila, ndër të tjera, në periudhën e Rilindjes Kombëtare përfaqësonte frymëzimin për bashkimin kombëtar të arbërve nëpërmjet idealit të luftës kundër pushtimit osman të Arbërisë. Në periudhën totalitare, do të shpalosej aspekti “antifeudal” i Skënderbeut, pra i njeriut që detyrohej të luftonte me feudalët e vegjël, të cilët, të veçuar nga njëri-tjetri, ndiqnin interesa të pavarura nga interesi kombëtar.

Gjerësisht, mes shqiptarësh, Skënderbeu përmendet gjithaq si krijues i shtetit të parë arbëror me kryeqytet Krujën. Por, sipas Vehbiut, të dy kuptimet e sipërpërmendura janë përdorur sistematikisht si shtylla të mitologjisë kombëtariste shqiptare.

Në vazhdimësi, ndër të tjera, heroi kombëtar portretizohet edhe si mbrojtësi i mbarë Europës nga rreziku osman. Duke u nisur nga ky perceptim, Vehbiu madje përmend aspektin autarkik të “skënderbejadës” ose të luftës së gjithanshme, njëherazi kundër osmanëve dhe kundër Venedikut, çka nënkupton se Skënderbeu ndodhej vazhdimisht përballë gjithfarë armiqsh, duke e ngushtuar alternativën e mbijetesës vetëm tek aleanca ndërmjet arbërve, që kësisoj i afrohemi kultit të mbijetesës shqiptare në histori.

Më tej, Vehbiu shkruan se Skënderbeu paraqitet shpesh si figura që i pengon synimet osmane për shkombëtarizimin e shqiptarëve, sikurse mishëron në vetvete ortodoksinë, islamin dhe krishterimin ose, thënë ndryshe, të gjitha rrymat kulturore e fetare të shqiptarëve. Narrativa skënderbejane, e ushqyer kryesisht nga Ismail Kadareja, e ka paraqitur shpesh Gjergjin si përçues të përkatësisë perëndimore të arbërve dhe si flamurtar të katolicizmit në Ballkan, madje duke krijuar hapësirë për të komentuar “vërtetësinë” e shqiptarëve vetëm nëpërmjet krishterimit.

Ndër shumë kuptime që i janë atribuuar Skënderbeut qëndron padyshim edhe teza e Pashko Vasës si një formulë themeltare e kombëtarizmit shqiptar modern, sipas së cilës të gjithë i rezistuan pushtimit turk dhe se “feja e shqyptarit asht shqiptaria”. Për rrjedhojë, Vehbiu do të shkruante se mënyra e vetme për ta shndërruar Skënderbeun në kryeshenjues të mitologjisë dhe ideologjisë kombëtariste ishte pikërisht të lihej në heshtje karakteri fetar ose kryqtar i tij dhe të theksohej me forcë aspekti shtetformues dhe qartësisht arbëror i atyre përpjekjeve.

Nga trauma te mitizimi: Heshtja që krijoi/rrënoi një Hero 

Në mbarim të luftës, kur njeriu kthehet në konakun e të parëve, llogaritë dhe pritshmëritë për jetën marrin një kuptim thuajse hyjnor. Nuk është krisma e luftës trauma më e madhe që njeriu përjeton gjatë viteve të gjallërisë së vet, por janë ndjesitë, përvojat, ndijimet dhe përjetimet që ajo/ai detyrohet, pa vullnet, t’i shijojë në shpirtin e vet. Të tillat, po nuk u shëruan, po nuk u folën dhe po nuk u trajtuan, kthehen kollajshëm në greminë rrëmihëse, sidomos për fëmijët.

Po, kusuri i heshtjes? Harresa! Doemos, harresa. Kur ti nuk flet, detyrimisht shtrëngohesh që të harrosh. Dhe, duke harruar, një ditë përfundon, në mos, jo më njëri me dinjitet.

Kështu, edhe ne, duke mos folur për çfarë jetuam e pësuam dhe duke i rënë fort veç historisë së Skënderbeut, tok me të gjitha kontradiktat e saj dhe me potencialin përçarës që mbart, pa reflektim të thellë dhe pa guxim për ta çuar në mendje qasjen kritike, kemi përvetësuar një imazh thuajse surreal të një Njeriu as ish vigan as ish insan.

Thënë ndryshe, ne, të rënduar prej traumave që na ishin blatuar në zemër e mendje, hidheshim symbyllur nëpër ujna që, në vend se të na lehtësonin barrën, ato vetëm sa na qelbëzonin plagën. Dhe, s’është çudi që ne vazhdojmë, kuturu, ta përdorim Skënderbeun për t’i mbushur të gjitha boshllëqet që ia krijuam vetes nga padija dhe mosnjohja e historisë, mirëfilli.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button