Fatime Fetai nuk do të jetë kryeprokurore

Këshilli i Prokurorëve Publik njëzëri ka dhënë mendim pozitiv vetëm për kandidatin Lupço Kocevski për prokuror të ri publik të shtetit. Kandidatja Lidija Raiçeviq nuk ka marrë mendim pozitiv, ndërsa anëtarët e Këshillit nuk kanë diskutuar fare për kandidaten Fatime Fetai për shkak të dokumentacionit jo të plotë.
Kocevski është prokuror publik republikan, i zgjedhur në këtë pozitë një vit më parë. Raiçeviq është prokurore në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, ndërsa Fetai është prokurore në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup.
Sipas procedurës, Këshilli i Prokurorëve Publikë jep mendim pozitiv ose negativ për Qeverinë, pas së cilës Qeveria i propozon Kuvendit njërin nga kandidatët që ka marrë mendim pozitiv.
Prokurorin e ri publik të shtetit e zgjedh Kuvendi, me mandat gjashtë vjeçar.
Prokurorit aktual të shtetit Lubomir Joveski i ka përfunduar mandati më 25 dhjetor, ndërsa për ushtruese e detyrës u zgjodh përkohësisht prokurorja Sonja Simovska.


