Statuja dhe komente

Heronjtë-identitarë duhen parë edhe si pasqyra. Një humorist do shohë te ta shakanë, një serioz, seriozitetin. Një eurofil do shohë atje atë element, një sovranist atë tjetrin. Provokatori do shohë provokimin, patjetër. Mbase edhe duhet të na shqetësojë fakti se në dekadat e fundit po shtohen zërat që evidentojnë se Skënderbeu paska luftuar vetëm për “botën” e jo për “vendin e vet”, siç kanë qenë shqetësuese para disa dekadash koret e zërave që thoshin se Skënderbeu luftonte vetëm për “vendin e vet” e jo për “botën”.
Arbër ZAIMI, Tiranë
Çdo hero i ka dy kohë, kohën politike dhe kohën identitare. Koha politike lidhet me veprën e tij dhe jehonën e saj, gjatë kohës kur ai rron e në vitet konsekuenciale. Gradualisht e me kalimin e brezave dhe shekujve, koha e tij politike shuhet, ndryshimet shoqërore transformojnë sferat publike e kulturore dhe shumica e heronjve harrohen, sepse aftësia e njerëzimit për të prodhuar histori, pra politika, nuk ndalet e ajo prodhon ngjarje e heronj të tjerë. Në raste të rralla, ata bëhen pjesë e miteve e legjendave në kulturat orale paramoderne ose janë rimarrë prej letrarëve romantikë e modernistë, në përpjekjet e tyre për të krijuar identitete të politizueshme. Kjo e dyta, në larminë e formave të veta, është koha e dytë e heroit, pra koha identitare.
Me kohën e parë të heroit merren si profesion hulumtuesit e historisë e të arkivave, të cilët përpiqen ta përparojnë dijen me metoda shkencore, jo thjesht përmes zbulimit të artefakteve e teksteve, por sidomos edhe përmes vendosjes së tyre në kontekst. Puna shkencore, sidoqoftë, nuk mëton arritjen e së vërtetës së patundur monumentale, që do të ishte edhe “fundi i dijes”. Përkundrazi, pohimet të cilave nuk mund t’u dëshmohet rrejshmëria, pra pohimet e pakundërshtueshme, nuk janë pohime shkencore. Shpesh kjo punë kërkon shtrim hipotezash që mandej presin kundërhipoteza, mandej hulumtimet e përimtimet që i përkasin nënfushave të specializuara, shpesh operojnë duke theksuar njërën nuancë e duke zbehur të tjerat, në një formë që lexuesit “të përgjithshëm” mund t’i duket edhe e padrejtë edhe e pasaktë. Por, rrugët e shkencës janë këto, të kufizuara e të fundme, pavarësisht se gjithnjë në zgjerim.
Me kohën e dytë të heroit, pra me kohën identitare, në forma të ndryshme, ftohen të merren të gjithë pjesëmarrësit në identitet. Forma më e përhapur, ndoshta edhe më e lashta, është ajo e adhurimit të figurës së mitizuar (por edhe të zbrazur) të heroit. Formë tjetër për t’u marrë me heroin-identitar është edhe vënia në lojë, tallja e tij, në shfaqje të ngjashme me karnevalet “perëndimore” ose teatrin “lindor” të karagjozëve, edhe kjo shumë e lashtë. Gjithaq të lashta janë instrumentalizimet politike të heroit-identitar, të përdorura nga lëvizje e pushtete, për përbashkime ose për përçarje, për mobilizime, legjitimime, reforma e kundërreforma. Më të vona e më moderne janë përpjekjet e sociologëve, filologëve, antropologëve, politologëve për t’i studiuar shkencërisht fenomenet e mësipërme, por edhe përpjekjet populiste për të krijuar shkencë vulgare, për të kundërshtuar shkencën me “çka na u ndodh”, për të letrarizuar heronjtë, për të shndërruar mitin në histori apo historinë në mit, e kështu me radhë. Këto të fundit shpesh shfaqen si fenomene “antielitiste” e të tilla ka pasur në shumë shoqëri të të gjitha kohërave, por jo rrallë këto tendenca “antielitiste” instrumentalizohen nga duart e fshehura të elitave.
Në 18 shkurt 2014, pra më se 11 vite më parë, në një zonë fshatare pranë Tiranës që quhet Qafë-Kashar, në mes të natës e errësirës, një kamion i vogël shkarkoi një statujë të madhe në tokën e një fshatari. Të nesërmen fshatari e thirri policinë i shqetësuar. Në arën e tij kishte gjetur një satir tre metra të gjatë, me brirë dhie, me organe seksuale të ekspozuara, me bishtin e një kali e me elemente të tjera shtazore. Statuja monstruoze, që s’dihej se kush e kishte punuar e pse, u interpretua se i dedikohej Skënderbeut, dikush tha se e mbante edhe emrin e heroit të mbishkruar. Policia nisi hetimet, por kurrë nuk u bë e qartë se cili qe rezultati i hetimeve. Zhurma dhe skandali, si zakonisht, zgjati vetëm disa ditë dhe u mbulua nga zhurma e skandale të reja. Skena mediale nuk lejon trajtime më serioze se kaq. Sot, për këtë ngjarje askush nuk di asgjë më shumë, mbijetojnë vetëm paragrafët e thatë të mediave online. Më interesante se ato janë sektorët e komenteve, që jo se sjellin informacion mbi ngjarjen, por tregojnë një “fotografi” të botëkuptimeve e fantazmagorive që e shoqërojnë raportin e shqiptarëve me identitetin e tyre dhe heroin si shenjues të tij.
I ftuar nga Ismail Sinani, kryeredaktori i revistës “Shenja” për të shkruar për Gjergj Kastriotin, heroin kryeidentitar të shqiptarëve, nuk desha të kuturisem në fusha që u takojnë specialistëve të historisë, por vendosa të shkruaj diçka pikërisht për funksionin identitar të Skënderbeut dhe raportin e shoqërisë e të politikës me këtë funksion.
Nëpër komentet “e lashta” dallohet, për nga shumica, moskokëçarja. Me siguri do ketë qenë ndonjë artist postmodern që ka dashur të provokojë me artin e tij, po s’ka patur guxim të ballafaqohet me publikun. Ose ndonjë skulptor i dështuar e amator, që është nisur për kushedi se çfarë synimi fisnik, por i ka dalë rezultati keq dhe ka dashur vetëm ta flakë diku punën. Pastaj dallohen disa të tjerë, që kanë qasje identitare të ndryshme nga shumica. Dikush thotë se me siguri këtë statujë do ta kenë bërë “korrakët” (fjala greke për korbat ose lëkurëzinjtë, esmerët) që qenkan “bijtë e turqve”, të cilët nuk mund ta duan Skënderbeun, se dihet që ai ua mundi sulltanët dhe ua luftoi myslimanët. Dikush shton edhe se myslimanët duan të na prishin me Perëndimin dhe se Skënderbeu e Nënë Tereza janë shenja perëndimore që atyre u pengojnë, pa iu bërë vonë se Skënderbeu shkollimin dhe aftësitë e larta në profesionin ushtarak i mori në “Lindje”, ndërsa Nëna Terezë e Kalkutës bamirësitë për të cilat u shenjtërua dhe e respekton bota bashkë me ne, i bëri edhe më në “lindje”. Një tjetër i përgjigjej logjikës raciste me një tjetër version racist – shkruante se ai është vetë mysliman, por është bjond dhe sykaltër, ndryshe nga grekët që janë esmerë, pra shtronte një logjikë të racializuar për të thënë se Skënderbeu, pra vetë Europa, i përket më shumë një myslimani arian sesa një kristiani gjakpërzier. Një tjetër nuk pajtohet me këta dhe thotë se me siguri statuja është porositur nga qarqe ortodokse serbe ose greke, pikërisht për të mbjellë ndër shqiptarë fitne (fjala arabe për përçarjen e madhe popullore). Një tjetër thotë se me siguri bishti i Skënderbeut të Kasharit tregon se porositësit janë serbët, duke iu referuar tezave antishqiptare të botuara nga Vlladan Gjorgjeviqi në librin “Arnautët dhe fuqitë e mëdha” (1913), ku ai shkruante se shqiptarët deri vonë kanë patur bisht dhe kanë jetuar nëpër pemë.
Vlladan Gjorgjeviqi, sa për të informuar shkurt lexuesit tanë, bashkë me të birin e Ilija Garashaninit, ka qenë bashkëdrejtues i Partisë Progresiste Serbe (e cila edhe sot sundon në Serbi nën drejtimin e Aleksandar Vuçiqit). Ka qenë gjithashtu kryetar i Bashkisë së Beogradit, ka qenë ambasador i Serbisë ne Athinë e Stamboll, si dhe kryeministër i Serbisë në vitet 1897-1900. Qeverisja e tij ka qenë me tendenca të forta autoritare, e përngjashme me ato që janë rikthyer në modë në vitet e fundit. Në Serbi, Gjorgjeviqi njihet si themeluesi i Kryqit të Kuq Serb, pra si filantrop i madh. Kryqi i Kuq i Serbisë u themelua gjatë luftës serbo-turke të viteve 1876-1878, një kohë kur dhjetëra mijëra shqiptarë u spastruan dhunshëm prej sanxhakëve të Nishit e të Toplicës, ndërsa pasardhësit e të mbijetuarve sot jetojnë në Kosovë ku njihen ende si “muhaxherë” (refugjatë). E, pra, ja që qenka e mundur që një organizatë bamirëse, si Kryqi i Kuq, t’u shërbejë spastrimeve, kur vihet nën kontroll të nacionalistëve, ja që qenka e mundur që filantropi të jetë racist i thekur. Madje, është e mundur edhe që serbomadhi të mos jetë serb fare, siç ndodh në rastin e Vlladan Gjorgjeviqit, i cili në fakt ishte vllah dhe emrin e kishte Ipokrat, por që vendosi të konformohej me frymën e kohës që po dominonte në vendin ku kishte lindur e ku jetonte.
Pra, komentet e anonimatit, që u ngjallën nga statuja pa autor, lidheshin edhe me përimtime të historisë jo fort të lashtë të fqinjëve e tonën. Nuk debatojmë me komentet dhe mirëkuptojmë se grimca vërtetësie, po më shumë grimca sinqeriteti keqdashës apo mirëdashës, ka te shumë prej tyre. Nuk është për t’u habitur që kishte kaq shumë këndvështrime nëpër komente. Kjo do të ndodhte kudo. Shënjuesit kryesorë identitarë tërheqin vëmendjen, e ato shihen prej pikave të ndryshme subjektive, kudo. E habitshme do të ishte po të mos tërhiqej vëmendja fare, gjë që do të tregonte se heroi ose imazhi i trajtuar a i keqtrajtuar nuk është i rëndësishëm për identitetin, por ky nuk ishte rasti. Shqetësuese do të ishte nëse pikëvështrimet e komentuesve do të ishin të gjitha të ngjashme, gjë që do të linte të kuptohej se jetojmë në një shoqëri të uniformizuar përmes indoktrinimit ose diktatit, e as ky nuk ishte rasti. Pati boll komentues që shtruan edhe teori të tjera, ndër të cilat edhe ajo e zakonshmja, dikush e ka bërë për të shkaktuar zhurmë, që të hiqet vëmendja nga ndonjë gjë tjetër. Ky shpjegim, i cili duket si i bajatshëm ose tepër konspirativ, shpesh nuk është fort larg të vërtetës. Inxhinieringu politik modern shpesh e përdor si mjet për menaxhimin e opinionit publik krijimin e “stuhive në gotë”. Nuk është krejt rastësi që, sa herë shfaqet ndonjë “majë ajsbergu” në detin e opinionit publik, dikush plas edhe ndonjë provokim identitar, që njerëzit të mos e kthejnë kokën nga ajsbergu a nga të tjerë fenomene të mbuluara, por në ndonjë drejtim tjetër.
Komente të ngjashme kanë ndodhur edhe në raste të tjera. Më 25 korrik 2017 mediat njoftuan se ambasadori i Shqipërisë, Arian Spasse, e kishte vizituar atelienë e skulptorit hungarez Mihal Gabor, për të parë nga afër maketin e skulpturës së Skënderbeut që planifikohej të vendosej në Budapest përballë monumentit të prijësit tjetër të shquar antiosman, Janosh Huniadit, fisnikut të mbretërisë hungareze me etni vllahe (rumune), që deshi të bashkohet me Skënderbeun për një betejë të madhe kundër osmanëve, por që u pengua nga prijësi serb Gjuragj Brankoviq, i cili ishte edhe nip i “car” Llazarit (i biri i së bijës së Hrebeljanoviqit), edhe dhëndër i familjeve perandorake bizantine Kantakuzeni, Duka e Paleologu, por edhe aleat dhe vjehërr i sulltan Muratit të Dytë, personalitet kompleks që nuk u përshtatet fare ideologëve të nacionalizmit serb që thjeshtëzojnë e deformojnë dhe na e paraqesin Serbinë mesjetare si djep të antiotomanizmit e shqiptarët rëndom si shërbëtorë të osmanëve. Nejse, statuja e Skënderbeut, e konceptuar nga skulptori hungarez nuk i pëlqeu komentariatit anonim. Ky vetëm serb, bullgar ose hungarez mund të jetë, por jo shqiptar, shkruante njëri, duke lënë të kuptohet se shtatorja kishte tipare aziatike e jo autoktone. Skulptorë e profesorë të ndryshëm shqiptarë u çuan e shkruan se statuja e propozuar nuk kishte dinjitetin që lyp një simbol kombëtar. Ambasadori i mjerë u detyrua të dalë e të thotë se kjo nuk është ende statuja përfundimtare, e se do të gjendet një zgjidhje që i respekton shqiptarët. Si përfundim, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ia dhuroi Budapestit dhe publikut shqiptar një kopje të bustit ikonik të konceptuar nga Odhise Paskali. Ky gjest i kryebashkiakut që asokohe ndodhej jashtë burgu, i platiti zemrat e revoltuara. Jo vetëm që Skënderbeu si hero-identitar është i paprekshëm, por edhe imazhi i krijuar nga Odhise Paskali është i paprekshëm. Nuk dëshirojmë të shohim imazhe të tjera.
Në vitin 2019 një tjetër statujë e Skënderbëut u vu në Prizren. Statuja u financua nga komuna dhe autori u zgjodh me konkurs e tender publik. Sipas komisionit fitues, ishte propozimi i një autori prizrenas të quajtur Sinan Aliaj. Skënderbeu i tij ishte në këmbë, pa kalë, jo me shpatë a me armë në dorë, por me një kartë të mbledhur rul. Mediat asokohe shkruanin se autori me profesion nuk ishte skulptor, por berber ose, në të folmen e Kosovës, “frizer”. Pati boll komentues që ndoshta edhe pa dashje i përsëritën fjalët se piktori i lashtësisë, Apellesi, i pati thënë një këpucari “kundraxhi, mos shko përtej kundrave”. Edhe këta e këshilluan berberin të rruajë lesh, por jo mjekrën e Skënderbeut. Kryetari i Komunës, të cilin e takova vetë asokohe, më tha se nuk mund të përzihej në këtë çështje, pasi komisionet e pavarura marrin vendim e se fatkeqësisht kur prin koncepti i zgjidhjes së opsionit më të lirë, rezultatet janë edhe të tilla. Megjithatë, ardhja e Skënderbeut në Prizren në vetvete është një ngjarje me rëndësi për identitetin shqiptar të atij qyteti. Statuja, mbase, nuk i përmbushte pritshmëritë muskulare të krijuara prej një publiku të edukuar nga Odise Paskali, por të paktën nuk ishte aq rrumbullake e obeze sa ajo fatkeqja e vendosur në Dibër…
Jo fort larg, por një vit më parë, një shoqatë patriotike shqiptare në Zvicër me emrin “Hora e Skënderbeut”, e financoi realizimin dhe vendosjen e një monumenti të heroit në fshatin e madh e të rëndësishëm Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Siçili. Për ta realizuar punën u pajtua skulptori shqiptar nga Kosova, Gëzim Muriqi. Me t’u vënë statuja, nisën komentet, shumica anonime, që kritikonin ngjashmërinë e fytyrës së shtatores me atë të kryeministrit Edi Rama. Ca të tjerë merreshin edhe me dhelprën që skulptori ia kish vënë në shpatull heroit – ç’ne heroi ynë dhelpër?; ai njihej si trim e guximtar po jo si dinak. Me siguri, thoshin, dhelpra tregon se statuja në fakt është Rama, por jo Gjergji. Dëshirën e Ramës për të rimuar me figura të rëndësishme identitare e kanë vënë në dukje edhe të tjerë, mjekra e tij e bardhë ismailqemaleske përforcohet nga vendimi për të vënë në çdo zyrë të shtetit imazhin e Ismail Qemalit e jo atë të presidentit aktual, siç është zakonisht protokolli republikan. Shkrimtari austriak Robert Menasse, madje, në vitin 2019 botoi një triller politik të titulluar “Zgjerimi” (të shkatërruar nga përkthimi në shqip), pikërisht mbi këtë temë. Në atë libër Edi Rama i trilluar kërkon ta vërë përkrenaren e Skënderbeut për të kërcënuar Europën, e cila nëse nuk e integron Shqipërinë shpejt, atëherë do të përballet me nacionalizmin shqiptar. Pra, Skënderbeu që në dekadat e fundit propagandohet si mbrojtës i Europës, mund të përdoret edhe për ta sulmuar kontinentin, thotë Menasse.
Dikujt kjo mund t’i duket rrëmujë, por, siç thamë, dëshira për të vendosur uniformitet mbi identitetin jo doemos i bën mirë demokracisë, ndërsa demokracia u bën mirë komuniteteve pa të cilat identiteti nuk rron dot.
Heronjtë-identitarë duhen parë edhe si pasqyra. Një humorist do shohë te ta shakanë, një serioz, seriozitetin. Një eurofil do shohë atje atë element, një sovranist atë tjetrin. Provokatori do shohë provokimin, patjetër. Mbase edhe duhet të na shqetësojë fakti se në dekadat e fundit po shtohen zërat që evidentojnë se Skënderbeu paska luftuar vetëm për “botën” e jo për “vendin e vet”, siç kanë qenë shqetësuese para disa dekadash koret e zërave që thoshin se Skënderbeu luftonte vetëm për “vendin e vet” e jo për “botën”. Këto zëra, sidoqoftë, reflektojnë “zeitgeist-in” dhe nuk e ndryshojnë të shkuarën. Madje, siç vë në dukje një filozof bashkëkohor, prirja e publikut për t’u marrë me riinterpretimin dhe rikuptimësimin e të shkuarës është një shenjë që “dikujt” i intereson të mos merret po ai publik me të ardhmen. Kur duhet të shihet e ardhmja si e paracaktuar, e pandryshueshme dhe e vendosur, atëherë serviret për publikun një e shkuar e hapur. “Merruni me të shkuarën, e jo me të ardhmen!”, një sllogan me nëntekst oruellian e që fatkeqësisht sot jehon më fort se në kohën për të cilën shkruante Orwelli.