Tri përmasat e një kryesimboli identitar

Figura e Skënderbeut ndërthur historiografinë, mitin dhe mitin letrar, duke mbrujtur kështu një identitet të jashtëzakonshëm kulturor për shqiptarët. Ndërmjet këtyre tre boshteve, figura e Skënderbeut nuk dobësohet, por, përkundrazi, fuqizohet. Ajo merr përmasa të ndryshme dhe rrezaton kuptime që shkojnë përtej kohës dhe hapësirës. Në këtë kontekst të gjerë ku miti, kujtesa dhe letërsia ndërthuren, figura e Skënderbeut qëndron si një epiqendër, si bërthamë e identitetit shqiptar. Skënderbeu, në radhë të parë, është figurë historike, ndërkohë që nëpërmjet kësaj përmase dhe dy përmasave të tjera, ai tashmë është pjesë thelbësore, etalon i përshpirtshëm i universit kulturor dhe identitar shqiptar.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Figurën e Skënderbeut gjithnjë duhet ta shohim në tre rrafshe semantike, në tri dimensione: në dimensionin historik, që nënkupton historiografinë si shkencë, në dimension të mitit dhe në dimension të letërsisë, në këtë rast të mitit letrar. Këto tri dimensione realisht e krijojnë figurën më të plotë të Skënderbeut, krijojnë një fushëpamje më të gjerë për ta dalluar dhe vlerësuar secilën përmasë në veçantinë e vetë. Për shkak se në të shumtën e rasteve ngatërrohet, Skendërbeu në radhë të parë paraqet figurë historike, ndërkohë që nëpërmjet kësaj përmase dhe dy përmasave të tjera, ai tashmë është pjesë qendrore e universit kulturor dhe identitar shqiptar.

Figurat historike, ndërmjet dokumentimit dhe mitizimit

Sipas interpretimeve moderne, miti është forma më e hershme me të cilën njeriu e ka artikuluar përvojën e tij përballë kaosit të botës. Miti paraqet një akt themelues të mendimit simbolik, një mënyrë për ta strukturuar të papërcaktuarën dhe për ta përjetësuar përvojën kolektive. Si rrëfim simbolik, miti shpesh nuk ka një burim të qartë historik dhe përcillet përmes traditës. Miti, për nga definimi, nënkupton perënditë, qeniet mbinatyrore ose ngjarjet t jashtëzakonshme që ndodhin në një kohë jolineare, të përjetshme. Miti nuk është i interesuar për faktin, por për kuptimin që sjellë rrëfimi. Ai përfaqëson një sistem rrëfimtar që, përmes shenjës, krijon rend dhe koherencë kulturore, pa u ngatërruar me sjellje rituale ose objekte simbolike.

Miti është universal dhe i pranishëm në çdo kulturë, sepse në thelb pasqyron mënyrën se si një komunitet e përfytyron vetveten. Sipas fjalorëve shpjegues, miti përfaqëson një formë të ndjenjave, aspiratave dhe ankthit kolektiv, duke ndërtuar një gjuhë të dytë me të cilën një shoqëri i flet vetes. Në këtë kuptim, letërsia bëhet një vazhdim i natyrshëm i mitit, duke trashëguar strukturën e tij dhe duke ripërpunuar kuptimet e tij përmes figurës artistike.

Në anën tjetër, një figurë historike i referohet jetës dhe bëmave të një protagonisti real, të dokumentuara në rrjedhat e historisë. Ajo që e dallon figurën historike nga miti është, në parim, dokumentimi. Sipas studiuesve, një figurë historike ka ekzistuar realisht dhe për të ekzistojnë burime, ndonëse jo gjithmonë të plota apo të paanshme. Në veçanti për figurat nga periudhat e hershme, legjendat që i rrethojnë janë aq të ngulitura në kujtesën kolektive, saqë ndarja midis faktit dhe mitit bëhet e paqartë.

Letërsia, në shumë raste, ripërshkruan një figurë historike në mënyrë që ajo t’u shërbejë qëllimeve morale, duke i atribuar veti të sforcuara, shpesh mitizuese. Kështu, ajo që nisi si përshkrim i një njeriu real, përfundon në një rrëfim të përmasave simbolike, ku fakti dhe trillimi bashkëjetojnë.

Në këtë mënyrë, ndërsa miti i përgjigjet nevojës për kuptim të thellë dhe strukturë simbolike, figura historike i referohet përpjekjes për ta njohur dhe kuptuar rrjedhën reale të ngjarjeve dhe njerëzve që i kanë formësuar ato. Megjithatë, midis këtyre dy skajeve shpesh krijohet një fushë e ndërmjetme, ku figura historike përthithet nga miti dhe kthehet në simbol, ndërkohë që miti gjen mishërim në emra të përveçëm historikë.

Dr. Manoj C. Zade, në studimin “Myth and history”, thekson se mitet nuk janë thjesht struktura të së kaluarës, por forma narrative që mbeten gjithnjë aktive në kuptimin kulturor dhe letrar. Duke u mbështetur në teorinë e Roland Barthes-it, Zade-ja thekson se mitet janë gjithëpërfshirëse dhe ndikojnë fuqishëm në letërsinë moderne jo vetëm përmes përmbajtjes, por edhe përmes formës dhe teknikës. Ato nuk shërbejnë domosdoshmërisht si imitim i së vërtetës historike, por si rrugë drejt një të vërtete më të thellë, simbolike dhe përbashkuese për ndërgjegjen kulturore. Miti, sipas këtij interpretimi, vazhdon ta ushqejë letërsinë me energji arketipale, duke i ofruar asaj një strukturë të lashtë me vlera aktuale.

Ky dimension arketipal vihet në qendër edhe nga Northrop Frye, i cili, siç thekson Zade-ja, e sheh letërsinë si një sistem të vetëformuar, ku mitet janë bërthama të përhershme. Për Frye-in, letërsia nuk është thjesht imitim i realitetit, por edhe imitim i vetvetes; çdo tekst ekziston në dialog me tekstet e mëparshme, duke ndërtuar një strukturë të brendshme të traditës.

Letërsia, përmes mitit, kthehet në një gjuhë universale të përbashkët, ku çdo formë është një shprehje e proceseve të civilizimit. Miti bëhet kështu jo vetëm burim i frymëzimit letrar, por edhe mjet për t’i kuptuar thellë strukturat mendore dhe shoqërore të njeriut në kohë të ndryshme historike.

Kujtesa kolektive dhe ndërtimi i identitetit 

Kujtesa kolektive është më shumë se mbajtja mend e së kaluarës. Ajo është një filtër ku shoqëria e përzgjedh, strukturon dhe rrëfen historinë sipas nevojave të saj. Ajo është ndërthurje e përjetimeve, projeksioneve, riteve dhe narrativave të përbashkëta. Në këtë kuptim, kujtesa historike është themeli mbi të cilin ngrihet identiteti kombëtar. Nuk ka vetëdije të qëndrueshme pa një të shkuar të përbashkët të rrëfyer dhe të përjetuar bashkërisht.

Kujtesa historike përbën një element themelor në procesin e ndërtimit të identitetit kombëtar, pasi nuk shërben vetëm si ruajtje e të kaluarës, por funksionon si një mekanizëm që e formëson të tashmen në funksion të nevojave të një kolektiviteti. Në një studim të tij, “National Identity and Historical Memory”, Uğur Kurtaran-i thekson se përvojat historike, të strukturuara përmes kujtesës kolektive, ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vetëdijen kombëtare dhe në ndjenjën e përkatësisë. Ai argumenton se kujtesa historike, e përpunuar nëpërmjet vlerave që një shoqëri i atribuon së kaluarës, ndihmon në forcimin e identitetit kombëtar duke i lidhur individët me rrënjët e tyre dhe duke i ngarkuar me një përgjegjësi të brendshme ndaj trashëgimisë së përbashkët. Kjo lidhje midis përvojës dhe vetëdijes aktuale është thelbësore për ta kuptuar se si kolektivitetet ndërtojnë vazhdimësi identitare dhe e legjitimojnë veten në histori.

Në këtë ndërveprim të kujtesës dhe identitetit, figurat simbolike luajnë një rol të veçantë. Ato nuk janë thjesht emra, por pika lidhjeje mes historisë, mitit dhe nevojave të së tashmes. Yael Zerubavel-i vë në dukje se kujtesa historike formësohet përmes figurave simbolike që përfaqësojnë pikëprerjet ndërmjet historisë, mitit dhe nevojave identitare.

Këto qasje e shpjegojnë edhe mënyrën se si kombet e rindërtojnë veten përmes kujtesës. Historia nuk është një arkiv neutral, por një sistem i përzgjedhur domethëniesh. Brenda saj, figura, siç është në rastin tonë figura e Skënderbeut, shfaqen jo vetëm si emra, por si forca mobilizuese që bartin me vete kuptim, ndjenjë dhe vizion.

Ne tashmë mund të flasim për një historiografi skënderbeane, e cila ka evoluar si pjesë përbërëse e diskursit identitar shqiptar. Kjo historiografi nuk është thjesht një përmbledhje faktesh rreth jetës dhe veprimtarisë së Gjergj Kastriotit, por një ndërthurje midis së kaluarës historike dhe formësimeve simbolike që i janë dhënë kësaj figure në funksion të nevojave kolektive.

Historiania franceze Nathalie Clayer, e njohur për studimin e nacionalizmit shqiptar, vë në dukje mënyrën se si rilindësit shqiptarë ndërtuan një lidhje simbolike mes figurës së Skënderbeut dhe aspiratave të tyre për pavarësi kombëtare. Sipas saj, figura e Skënderbeut u kthye në një trung ku u shkrinë idealet e së kaluarës dhe projektimet e së ardhmes, duke e bërë atë një figurë kyçe në artikulimin e një identiteti kombëtar të veçantë për shqiptarët.

Në këtë vijë interpretimi, Noel Malcolm-i, në librin e tij “Kosova: një histori e shkurtër”, thekson se Skënderbeu u shndërrua në një emblemë të qëndresës kombëtare dhe se simbolika e tij është rimodeluar vazhdimisht për të përmbushur nevojat ideologjike të çdo epoke. Malcolm-i e sheh figurën e Skënderbeut jo si një entitet të ngrirë në histori, por si një konstrukt dinamik, që ndryshon varësisht nga rrethanat politike e kulturore. 

Tri boshtet e figurës së Skënderbeut

Në këtë kontekst të gjerë ku miti, kujtesa dhe letërsia ndërthuren, figura e Skënderbeut qëndron si një lloj epiqendre, si kryeshtyllë e identitetit shqiptar. Studiuesja e letërsisë, Floresha Dado, në punimin e saj “Skënderbeu midis historisë, mitit historik dhe mitit letrar – një çështje debati shkencor”, thekson se diskutimi mbi thelbin e figurës së Skënderbeut dhe marrëdhënia mes shkencës së huaj dhe asaj shqiptare duhet të ndërtohet në bazë të tre boshtesh të qarta: dokumentimit historik, mitit historik dhe mitit letrar.

Skënderbeu, në dokumentimin historik, është figura që buron nga faktet, nga dëshmitë, nga dokumentet që kanë ardhur deri te ne. Këtu vendoset baza shkencore dhe përpjekja për ta kuptuar thelbin real të ngjarjeve. Është ky bosht që e ndan historinë nga mitizimi, por nuk e përjashton mundësinë e bashkëjetesës.

“Problem i mprehtë, që ka ngatërruar jo pak disa diskutantë mediatikë është interpretimi që i është bërë luftës së Skënderbeut si nacionalizëm, çka transformon synimet dhe vlerat historike të tij. Të quash figurën e Skënderbeut mit nacional të komunizmit, apo figurën e tij ta lidhësh me instrumentalizim nga politika e sotme, apo të predikosh çlirimin e mendjes së shqiptarëve nga ideologjia, do të thotë të imponosh një ideologji tjetër, personale; të thuash që kjo figurë u bë e famshme vetëm për hir të mitizimit do të thotë të humbasësh lidhjen me historinë, do të thotë të mos njohësh vlerësimet e jashtëzakonshme që mori ajo figurë, që në shekullin e XV e në vazhdim, nga personalitete të dokumentuar historikisht, gjatë më shumë se 550 vitesh”, thekson Floresha Dado.

Boshti i dytë, miti historik, përfshin rrëfimet ku historia ndërthuret me qëllime moralizuese, me përmasa epike dhe ndjenjë kombëtare. Ky mit nuk është trillim i pastër, por një formë interpretimi që pasqyron frymën e kohës.

“Sipas parimit të intertekstualitetit tekstet e mitit historik dhe mitit letrar janë lëvizje nëpërmjet së cilës ky i fundit, miti letrar, rishkruan dy tekstet e tjera: tekstin shkencor historik dhe tekstin e mitit historik. Nga ana tjetër, në letërsi miti i heroit lexohet simbolikisht dhe teksti letrar nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë, siç e ka historia me realen, por me modelin e reales. Atë që vepra historike e jep përmes faktit, dokumentit, interpretimit të drejtpërdrejtë shkencor, miti letrar e transformon botën që historia e jep si reale, në një botë imagjinare. Prandaj në letërsi, por pjesërisht edhe në veprat ku mbizotëron miti historik (Barleti), zgjerohet perceptimi në një dritë tjetër, zgjerohet përmbajtja e figurës (Te Barleti legjendat, konceptimi figurativ mitik), heroi u nënshtrohet formave më të sofistikuara të imagjinatës. Në dallim nga historia, këto dy forma të tjera synojnë të na përfshijnë jo thjesht në dimensionin faktik, por në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë emocionale”, thekson Dado.

Boshti i tretë, miti letrar, nënkupton krijimtarinë popullore dhe autorët artistikë që e lartësojnë Skënderbeun në një nivel të ri. Poezia epike, këngët popullore, romani dhe poema e shndërrojnë atë në një figurë të përjetshme. “Krijimtari popullore në shekuj dhe letërsi artistike kushtuar figurës së Skënderbeut (që janë dy llojesh: këngë e rrëfime popullore legjendare dhe krijimtari e mirëfilltë artistike), janë pjesë e mrekullueshme e intuitës krijuese popullore, nga njëra anë, dhe e poetëve e prozatorëve shqiptarë, por dhe shumë të huaj, që krijojnë një marrëdhënie specifike, jo thjesht dhe vetëm dokumentare, por mbi të gjitha shpirtërore, emocionale, që ndërtojnë një lidhje të fuqishme të brendshëm me lexuesin e çdo kohe”, thekson studiuesja Floersha Dado.

Ndërmjet këtyre tre boshteve, figura e Skënderbeut nuk dobësohet, përkundrazi, fuqizohet. Ajo merr përmasa të ndryshme dhe rrezaton kuptime që shkojnë përtej kohës dhe hapësirës. Letërsia nuk e shmang historinë, por e risjell në një gjuhë tjetër: gjuhën e shpirtit dhe të kujtesës. Në këtë formë, Skënderbeu nuk mbetet vetëm figurë e së shkuarës, por shndërrohet në shpresë, ndjenjë dhe vizion kolektiv për të tashmen dhe të ardhmen.

Sipas studiueses Floersha Dado, të tre këto burime, në qendër të të cilave është figura e Skënderbeut si personazh historik, si mit historik dhe si personazh letrar janë pasuri, që ndonëse kanë specifika të dallueshme, raporte të ndryshme me të vërtetën, i japin vlerë historisë sonë dhe krijimit mitologjik, popullor ose individual. Ato nuk janë sfida të njëra-tjetrës, thekson ajo, por burime të ndryshme të arsyetimit logjik dhe shpirtëror, këto dy aspekte themelore të ekzistencës sonë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button