Midis vasalitetit, sovranitetit dhe kryqëzatës

Historia e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut zakonisht rrëfehet si një epope heroike kundër Perandorisë Osmane. Megjithatë, prapa sfondit të lavdisë ushtarake qëndron një realitet tjetër, më kompleks: përpjekja e tij për të konsoliduar pushtetin brenda vetë botës shqiptare, përballë një aristokracie që kishte jetuar për shekuj me një ndjenjë të trashëguar autonomie.
Xhafer SADIKU, Tiranë
Historia e shqiptarëve gjatë periudhës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut nuk është thjesht një epope lufte kundër Perandorisë Osmane, siç zakonisht përfytyrohet, por edhe një kapitull kompleks i marrëdhënieve ndërkombëtare, ku diplomacia, aleancat dhe interesat lokale shpesh ishin po aq vendimtare.
Në peizazhin e ndërlikuar politik, Skënderbeu u detyrua të manouronte midis katër fuqive të rëndësishme: Perandorisë Osmane, Mbretërisë së Napolit, Republikës së Venedikut dhe Selisë së Shenjtë. Ajo që shpesh humbet në rrëfimin romantik të epokës është pikërisht fakti se nuk u jepet rëndësi marrëveshjeve, traktateve dhe aleancave që ishin armët e tjera të kohës. Lloji i tyre dhe pozita juridike e palëve në to e përcaktonin rolin politik dhe peshën që secili e kishte në raport me tjetrin.
Në atë periudhë, me “Perëndim” kuptoheshin kryesisht shtetet italiane, ndërsa me “Lindje” perceptohej Perandoria Bizantine dhe, më pas, ajo Osmane. Shqiptarët kishin marrëdhënie kryesisht me këto fuqi, duke u përfshirë në aleanca, luftëra ose paqe, sipas rrethanave historike.
Kur Skënderbeu u kthye në Krujë, pas largimit nga ushtria osmane, zotërimet e tij ishin të kufizuara: qyteti i Krujës, krahinat e Matit dhe një pjesë e Dibrës. Në të kundërtën, pjesa më e madhe e qyteteve bregdetare ndodhej nën kontrollin e Republikës së Venedikut. Më 1446, republika e zotëronte Lezhën, Ulqinin, Tivarin, Drishtin, Budvën dhe Danjën, ndërkohë që i paguante Sulltanit një tribut vjetor për të mbajtur nën administrim qytetet strategjike të Shkodrës dhe Lezhës.
Traktati i Gaetës (26 mars 1451) – një kontratë vasaliteti
Në janar të vitit 1450, pas humbjes së Sfetigradit dhe më pas rënies së Beratit, rreziku qëndronte tashmë mbi Krujën. Skënderbeu, i vetëdijshëm për pamundësinë e përballjes së gjatë me osmanët pa ndihmë të jashtme, i dërgoi një ofertë Venedikut: dorëzimin e Krujës në këmbim të mbrojtjes së saj. Një sakrificë që vetëm një prijës i dëshpëruar mund ta bënte. Por, Republika reꬵuzoi për shkak të një marrëveshje, nënshkruar më 23 shkurt 1446 në Adrianopojë me Sulltanin, një traktat që garantonte sigurinë e anijeve, tregtarëve dhe skllevërve në gjithë Mesdheun Lindor.
Mbretëria e Napolit, nën Alfonsin e Aragonës, dukej si një shpresë e re dhe Skënderbeu i oꬵroi vasalitetin. Në mars të vitit 1451, në Gaetë, u firmos një traktat midis mbretit të Napolit dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Traktati, i hartuar në formën e një akti noterial, ishte një marrëveshje që e vinte Skënderbeun në pozitën e vasalit të kurorës napolitane. Nëpërmjet traktatit, Skënderbeu dorëzonte de jure sovranitetin mbi zotërimet e tij në Shqipëri tek mbreti Alfons. Ai nuk vepronte më si princ i pavarur, por si përfaqësues i pushtetit të Mbretit të Napolit në territorin shqiptar. Mbreti, në këmbim, e njihte Skënderbeun si zot të tokave të tij, por nën juridiksionin e kurorës.
Një klauzolë me rëndësi të madhe ishte ajo që i jepte të drejtë Skënderbeut që, në emër të mbretit, të pushtonte, nënshtronte dhe përvetësonte tokat e tjera shqiptare, me kushtin që ato të përfshiheshin nën kurorën aragoneze. Ky nen i dha Skënderbeut mbështetje juridike për aksionet e tij kundër princërve të tjerë shqiptarë.
Skënderbeu kishte detyrimin që, sa herë ta kërkonte mbreti, të vinte forcat e tij në shërbim të Napolit, në çdo konflikt ushtarak të brendshëm ose të jashtëm. Ky ishte një detyrim tipik i marrëdhënieve feudo-vasale. Në këmbim të vasalitetit, mbreti merrte përsipër të garantonte mbrojtjen ushtarake të Skënderbeut dhe territoreve të tij, në rast se ato sulmoheshin nga ndonjë armik i jashtëm, kryesisht Perandoria Osmane.
Në thelb, ishte një akt vasaliteti klasik: Gjergj Kastrioti pranoi t’u nënshtrohej urdhrave të mbretit, t’i paguante tributin që dikur ia jepte Sulltanit dhe të blinte kripë – mall strategjik në atë kohë – vetëm nga magazinat napolitane. Nga një zot i lirë, u bë vasal i kurorës së Aragonës.
Venecia, rivale me mbretërinë e Napolit, reagoi me shpejtësi: ndërpreu pensionin që i jepte Skënderbeut prej vitit 1448 dhe nxiti armiqësinë e Dukagjinëve, të lidhur me politikën e saj.
Papa Kalisti III, që kishte plane për kryqëzatën, ndërhyri personalisht për t’i pajtuar. Me ndërmjetësimin e arqipeshkvit të Durrësit, më 25 tetor 1452, në prani të venecianëve, u arrit një marrëveshje pajtimi mes Skënderbeut dhe Nikollë e Pal Dukagjinit.
Ndërkohë, Venediku e mbante kursin e tij: më 31 dhjetor 1454, Senati i Republikës vendosi ta ruante paqen me osmanët, i bindur se edhe Sulltani kërkonte të njëjtën gjë prej tyre.
Në këtë klimë të paqartë, Skënderbeu u përball me një tjetër urdhër nga Napoli. Në përmbushje të traktatit të Gaetës, më 26 korrik 1455, Alfonsi e urdhëroi të niste fushatën për rimarrjen e Beratit. Rezultati qe tragjik: një humbje e rëndë, me mbi 6.000 të vrarë e të zënë rob. Humbja e dëmtoi reputacionin e Skënderbeut dhe i vuri në dyshim premtimet e kurorës napolitane.
Në nëntor 1456, si simbol i përkushtimit ndaj aleancës, Skënderbeu e ngriti flamurin e Alfonsit në Krujë, duke ia dorëzuar de jure edhe këtë fortesë.
Politika e brendshme e Skënderbeut dhe përplasja me fisnikërinë shqiptare
Historia e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut zakonisht rrëfehet si një epope heroike kundër Perandorisë Osmane. Megjithatë, prapa sfondit të lavdisë ushtarake qëndron një realitet tjetër, më kompleks: përpjekja e tij për të konsoliduar pushtetin brenda vetë botës shqiptare, përballë një aristokracie që kishte jetuar për shekuj me një ndjenjë të trashëguar autonomie.
I mbështetur nga traktati me mbretin Alfons të Napolit, i cili i garantonte ndihmë politike dhe ushtarake, Skënderbeu u gjend në një pozicion të favorshëm për të shtrirë autoritetin e tij në dëm të principatave të tjera shqiptare.
Bujarët shqiptarë, të mësuar me statusin e lirisë dhe një shkallë të lartë vetëqeverisjeje, e panë me dyshim këtë përqendrim pushteti, edhe pse i ardhur nga një bashkëkombës. Disa prej tyre nisën të afroheshin me Venedikun, në kërkim të një mbrojtjeje alternative. Të tjerë u orientuan drejt osmanëve.
Në kujtimet e tij, fisniku Gjon Muzaka e përshkruan Skënderbeun si uzurpator të pasurive të aristokracisë shqiptare. Nga të dhënat historike rezulton se Skënderbeu kishte burgosur vëllezërit Balsha dhe i kishte dërguar në Napoli, duke u marrë principatën e tyre ndërmjet Krujës dhe Lezhës. Moisi Golemit, një aleat i hershëm, ia kishte rrëmbyer zotërimet në qendër të Dibrës dhe i kishte dhënë në një zonë periferike. Hamza Kastriotit, nipit të vet, nuk ia kishte njohur pjesën e trashëgimisë që i takonte. Muzakëve u mori Myzeqenë e Vogël dhe kështu princave të tjerë më të vegjël.
Pika e dytë e traktatit të Gaetës parashikonte qartë se të gjitha zotërimet që Skënderbeu do të pushtonte në Shqipëri, do të konsideroheshin prona të kurorës së Napolit. Ai vepronte, pra, si vasal i mbretit, i ngarkuar për të rritur autoritetin napolitan në Shqipëri, dhe për këtë përfitonte një fuqi që shtrihej përtej asaj të një prijësi lokal.
Edhe në rastet kur nuk i dëbonte drejtpërdrejt bujarët nga tokat e tyre, Skënderbeu u mohonte çdo të drejtë politike apo ushtarake mbi to.
Kjo politikë e ashpër dhe përjashtuese nuk mbeti pa pasoja. Më 31 korrik 1457, Marko Diedo, kapiten i Durrësit, i shkruante dozhit të Venedikut për një situatë kritike:
“I vë në dukje kthjelltësisë suaj se gjithë vendi është bashkuar me Turkun. I madhërueshmi Skënderbe ka marrë malet për të shpëtuar kokën. E kanë braktisur të gjithë krerët kryesorë të rrethit të vet që shkuan të bashkohen me Turkun…” Kjo dëshmi tronditëse flet për një braktisje masive të Skënderbeut nga vetë elita shqiptare.
Kësisoj, politika e brendshme e Skënderbeut, sado që synonte konsolidimin e një autoriteti qendror përballë një rreziku të jashtëm, në thelb krijoi ndarje të thella. Mungesa e konsensusit me aristokracinë dhe përdorimi i forcës kundër saj e dobësoi unitetin kombëtar dhe i ofroi Perandorisë Osmane një terren më të ꬵavorshëm për ndërhyrje dhe përparim.
Traktati i harruar i Skënderbeut me Sulltanin: një paqe e përkohshme
Pas vdekjes së mbretit Alfons të Aragonës më 27 qershor 1458, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u çlirua nga detyrimet që i kishte marrë me traktatin e Gaetës. Ky ndryshim i situatës politike i hapi rrugë një politike më të pavarur dhe manovrimi më të lirë në skenën ndërkombëtare. Në pranverë të vitit 1459, ai pushtoi fortesën e Satit, një pikë me rëndësi të madhe në bregdetin shqiptar. Venecia, e interesuar për këtë vend strategjik, kërkoi ta blinte dhe Skënderbeu, që synonte afrimin me Republikën, pranoi t’ia shiste.
Në këtë kohë, Sulltan Mehmeti II i ofroi një marrëveshje paqeje. Shqiptarët, të rraskapitur nga luftërat dhe uria, e prisnin me shpresë një periudhë qetësie. Edhe princat e Lidhjes së Lezhës e panë këtë si një mundësi për t’u rimëkëmbur. Por, megjithë këtë klimë favorizuese, Skënderbeu nuk veproi menjëherë – kërkoi më parë mendimin e Papës. Reagimi nga Selia e Shenjtë ishte i ashpër. Më 29 qershor 1460, Papa Piu II i shkroi Skënderbeut se paqja me osmanët ishte e papranueshme nga pikëpamja e Kishës. Por, kjo nuk e ndali kreun shqiptar. Në prill të vitit 1463, kur Sulltani e përsëriti ofertën, Skënderbeu e pranoi pa kushte dhe pa e njoftuar Vatikanin. Traktati parashikonte një armëpushim dhjetëvjeçar, shumë i ꬵavorshëm, dhe u mirëprit nga shumica e shqiptarëve.
Traktati me Sulltan Mehmetin II e njihte sovranitetin e plotë të Skënderbeut dhe respektohej me përpikëri nga osmanët. Në shenjë serioziteti, Sulltani ndëshkoi disa banda që kishin sulmuar territoret shqiptare dhe ia ktheu Skënderbeut pasuritë e grabitura.
Megjithatë, Skënderbeu dërgoi Tanush Topinë, që ishte në krye të partisë së paqes, për të njoftuar Papën. Tanush Topia e inꬵormoi me hollësi Papën për situatën në vendin e tij, por Papa ia preu shkurt, duke i thënë se interesat europiane ishin më të rëndësishme. Selia e Shenjtë i kërkoi të dërguarit shqiptar të mbështeste Gjergj Kastriotin për prishjen e traktatit me sulltanin. Ndërkohë, Papa autorizoi Pal Engjëllin që të negocionte me Republikën e Venedikut një aleancë të re.
Nën presionin e Vatikanit, Venediku pranoi një marrëveshje ushtarake me Skënderbeun. Kjo marrëveshje, tepër sekrete, përmbante disa pika kyçe:
– Skënderbeu do të rifillonte luftën kundër osmanëve me forcat e veta, ndërsa Venecia do ta mbështeste me trupa, veçanërisht me këmbësorë italianë, sipas nevojës.
– Çdo vit, gjatë periudhës prill-qershor, kur ushtria osmane vinte në Shqipëri, një anije luftarake veneciane do të vendosej në brigjet shqiptare për të mbrojtur vijën bregdetare nga sulmet osmane.
– Në rast të një traktati të ri paqeje me osmanët, Skënderbeu dhe aleatët e tij nuk do të përjashtoheshin nga negociatat.
– Gjoni, djali tetëvjeçar i Skënderbeut, do të pranohej në radhët e fisnikërisë veneciane.
– Nëse Skënderbeu do të detyrohej të largohej nga atdheu, atij do t’i akordohej një zotërim në territorin e Republikës së Shën Markut ku do të jetonte me shpresën e kthimit.
Pas marrëveshjes ushtarake me Republikën e Venedikut, Skënderbeu prishi traktatin e paqes që kishte nënshkruar me Sulltanin. Më 27 nëntor 1463, ai nisi një fushatë të ashpër në territoret kufitare të zotërimeve të tij që ishin nën Perandorinë Osmane, duke sulmuar me shpejtësi dhe duke rrëmbyer mijëra krerë bagëti të banorëve, kryesisht shqiptarë. Sulltani, i befasuar nga kjo kthesë, kërkoi rivendosjen e paqes, por këtë herë Skënderbeu refuzoi.
Kryqëzata e fundit dhe fundi i një epoke
Në vitin 1463, Papa Piu II shpalli një bullë papnore, duke ftuar botën e krishterë në një kryqëzatë të re kundër Perandorisë Osmane. Si pikë grumbullimi u caktua qyteti i Ankonës, në brigjet e Adriatikut. Por, kjo nismë nuk ishte e para në përpjekjet e Vatikanit për ta mobilizuar Perëndimin kundër rrezikut osman. Që në janar të vitit 1453, Papa kishte shpallur një enciklikë, ku thirrte për një kryqëzatë drejt Lindjes.
Sipas planeve të hartuara nga Selia e Shenjtë, Ballkani do të riartikulohej politikisht sipas interesave të aleatëve: Venecia do ta përfitonte Beotinë dhe Atikën; Skënderbeut do t’i njihej Maqedonia; Hungaria do të shtrihej mbi Serbinë, Bullgarinë dhe Vllahinë; ndërsa territoret bizantine, që kishin mbetur, do t’u riktheheshin princave lokalë grekë. Shqipëria, e drejtuar nga Gjergj Kastrioti, u shpall, në mars të vitit 1464, si baza qendrore për operacionet e ardhshme ushtarake. Kryqëzata merrte kësisoj një formë konkrete, së paku në plane dhe në letra.
Në qershor, vetë Papa u nis drejt Ankonës për të ndjekur nga afër përgatitjet. Por, në vend të një ushtrie të organizuar, e priti një realitet i trishtë: mungesë fondesh, kaos logjistik dhe një pjesëmarrje e zbehtë. Vetëm ata që kishin mundësi të luftonin me shpenzimet e veta u lejuan të qëndronin. Të tjerët u kthyen në shtëpitë e tyre, duke marrë me vete vetëm indulgjencat e premtuara.
Më e dhimbshmja ndër të gjitha ishte braktisja që Papa pësoi nga aleatët e tij më të mëdhenj – përfshirë Mbreti i Napolit dhe shtetet italiane, të cilat vendosën të mos e ndjekin më idealin papnor. Më 15 gusht 1464, Papa Piu II vdiq në Ankona pa parë asnjë betejë, pa ngjallur entuziazmin që kishte ëndërruar. Me vdekjen e tij, u shua përfundimisht edhe shpresa për një ndërhyrje të përbashkët europiane kundër Perandorisë Osmane.
Ky dështim nuk duhet parë vetëm si pasojë e mungesës së organizimit. Ai shënon fundin e një epoke: epokës së luftërave të shenjta të modelit mesjetar, ku bota e krishterë ngrihej nën një flamur të përbashkët. Në vend të saj kishte filluar epoka e interesave kombëtare, e shteteve laike dhe kalkulimeve politike, ku idealet fetare po zëvendësoheshin nga logjika e pushtetit dhe e kapitalit. Në vend të luftërave të Krishterimit, u bënë luftëra kombëtare.
Në këtë sfond historik, veprimtaria diplomatike e Skënderbeut dhe traktatet që ai nënshkroi me Mbretërinë e Napolit dhe Republikën e Venedikut nuk ishin thjesht marrëveshje politike. Ato ishin mjete për ndërtimin e një autoriteti të centralizuar, të mbështetur nga një kurorë e huaj, por me pasoja afatgjata për unitetin politik të shqiptarëve. Sepse, përballja e tij nuk ishte vetëm me Sulltanin, por edhe me rendin tradicional të fisnikërisë vendase, të mësuar me autonomi të trashëguar dhe autoritet të decentralizuar. Në atë periudhë Skënderbeu dhe elita politike shqiptare patën pak mundësi të zgjidhnin, pasi u ndodhën mes rivalitetit të Lindjes dhe Perëndimit, në realitetin e vasalitetit, sovranitetit dhe kryqëzatës.