Kongresistja amerikane sulmon AIPAC-un si ‘lob i huaj’ pasi e quajti luftën e Izraelit në Gaza ‘gjenocid’

Kongresistja amerikane Marjorie Taylor Greene është kundërpërgjigjur ashpër ndaj Komitetit Amerikan për Çështjet Publike të Izraelit (AIPAC), pasi ky grup lobues pro-Izraelit e akuzoi atë për “tradhti të vlerave amerikane” për shkak se tha se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza.

“Ndërsa AIPAC po u gënjen donatorëve të vet për mua, duke pretenduar se po ‘tradhtoj vlerat e mia amerikane’, E VËRTETA është se AIPAC 1,000,000% i shërben dhe bën lobim për një vend të huaj, Izraelin!!” shkroi Greene në një postim në rrjetet sociale të enjten.

“Unë jam po aq AMERIKANE sa mund të bëhet dikush! Nuk mund të blihem dhe nuk tërhiqem!! Le të vijë çfarë të vijë.”

Më herët, AIPAC kishte dërguar një email për mbledhje fondesh tek mbështetësit, ku shkruhej: “Ju prisni shpifje kundër Izraelit nga Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar. Por tani, Marjorie Taylor Greene i është bashkuar radhëve të tyre, duke përdorur të njëjtin retorikë të neveritshme dhe duke votuar kundër aleancës SHBA-Izrael.”

Të enjten, Greene iu kundërpërgjigj: “Unë jam një nga të paktët anëtarë të Kongresit që nuk merr para nga AIPAC, i cili jep shumë më shumë para për republikanët sesa për demokratët.”

Grupi lobues e quajti deklaratën e Greene “të neveritshme” dhe shtoi: “Le ta themi hapur: Marjorie Taylor Greene është anëtarja më e re e skuadrës anti-Izrael. Ajo mund të mendojë se kjo do t’i sjellë lavdërime nga e majta ekstreme ose nga radikalët online — por ne e shohim për atë që është: një tradhti ndaj vlerave amerikane dhe një shtrembërim i rrezikshëm i së vërtetës.”

Qëndrimet e fundit të Greene dallojnë nga ato të mëparshmet, por ajo ka udhëhequr një grup të rëndësishëm zërash konservatorë të linjës “Make America Great Again” (MAGA) në dënimin e luftës së vazhdueshme të Izraelit në Gaza, teksa numri i të vdekurve rritet çdo ditë.

Teksa në javët e fundit në media u publikuan pamje tronditëse të fëmijëve të uritur, Greene u shfaq si një nga figurat më të zëshme në SHBA që e dënoi veprimin e Izraelit në Gaza si asgjë më pak se gjenocid.

Viktima nga uria

Edhe Donald Trump, më 28 korrik, theksoi se “po ndodh një uri e vërtetë” në Gaza, duke kundërshtuar pretendimet e rreme të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Kur u pyet nëse ishte dakord me mohimin e Netanyahut se Izraeli po shkaktonte uri në Gaza, presidenti amerikan u përgjigj: “Ata fëmijë duken shumë të uritur… kjo është situatë e vërtetë urie.”

Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara e ka përshkruar situatën e fundit në Gaza si “uri e përhapur, kequshqyerje dhe sëmundje”, duke shkaktuar viktima nga uria.

Gjatë 22 muajve të fundit, Izraeli ka shkatërruar pothuajse të gjithë Gazën, ka zhvendosur në mënyrë të përsëritur popullsinë e rrethuar të enklavës, ka vrarë mbi 61,000 persona dhe ka vendosur një bllokadë shtrënguese që ka shkaktuar uri vdekjeprurëse në territor.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze WAFA, rreth 11,000 palestinezë dyshohet se janë ende nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara.

Megjithatë, ekspertët besojnë se numri real i të vdekurve është shumë më i lartë se ai i raportuar nga autoritetet e Gazës, duke e vlerësuar rreth 200,000.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitin 2024, e ka konsideruar të besueshme mundësinë që Izraeli të ketë kryer akte që shkelin Konventën për Gjenocidin. /TRT World/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button