Ibrahimi në Medresenë “Isa Beu”: Historia e saj është tashmë një histori suksesi!

Kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, mori pjesë në panel diskutimin për drejtësi dhe dije të organizuar nga Medreseja “Isa Beu” në Shkup, bashkë me kandidatin për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, si dhe deputetin Bekim Sali.
“Medreseja ‘Isa Beu’ sot është një histori suksesi”, theksoi Ibrahimi gjatë fjalës së tij përshëndetëse, ku pranoi edhe një mirënjohje nga drejtuesit e institucionit.
Ai përmendi tre periudha të rëndësishme që kanë shënuar rrugëtimin e kësaj medreseje:
“Momenti i parë është medreseja deri në periudhën e shkollimit të Azem Moranës. Momenti i dytë është ai i kataklizmave dhe zvarritjes së çështjes së saj. Momenti i tretë është viti 2025, kur me ligj zgjidhet problemi i medresesë”.
Sipas tij, me ndryshimet ligjore të fundit, “nxënësit e kësaj shkolle në aspektin juridik janë të barabartë me nxënësit e të gjitha shkollave private dhe publike brenda dhe jashtë Maqedonisë së Veriut”.
“Falënderoj përzemërsisht drejtuesit e medresesë për mirënjohjen dhe për përkushtimin në edukimin e brezave të rinj”, përmbylli Ibrahimi.