Skënderbeu i pashmangshëm

Skënderbeu ishte frymëzonjësi ynë gjatë atyre viteve të para e të mundimshme që shoqëruan lindjen e Shqipërisë. Skënderbeu frymëzoi poetët, historianët, skulptorët tanë. Ai po na frymëzon edhe sot e kësaj dite. Ngadonjëherë pyes veten i habitur nëse mund të ketë sot ndonjë njeri që të jetë po aq i gjallë sa Skënderbeu. (Fan S. Noli)

Skënderbeu është një model shqiptarie, një shkurtore e sistemit shqiptar të vlerave. (Roberto Moroco dela Roka)

Enis SULSTAROVA, Tiranë

Në qytetin e Dibrës, në Maqedoninë e Veriut, ndodhet një shtatore e Skënderbeut. Pak kilometra më tutje, në Peshkopi, qendra e Dibrës së Republikës së Shqipërisë, ndodhet një shtatore tjetër e Skënderbeut. Dallimi kryesor midis dy shtatoreve “dibrane” është se në Peshkopi Skënderbeu e ka hequr përkrenaren dhe e mban në dorë, si në një çast pushimi pas betejës. Shtatorja më e re e heroit u ngrit në shkurt të këtij viti në Lezhë, qytet që me sa duket nuk mjaftohej dot me mauzoleun e ngritur prej kohësh. Ndoshta lezhjanët nuk donin ta përfytyronin vetëm të shtrirë në varrin monumental, por edhe në këmbë, të gatshëm për betejën e radhës. Shtatore dhe buste të Skënderbeut gjenden në shumë qytete të tjera shqiptare: Tivar, Tuz, Preshevë, Prishtinë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Shkup, Kukës, Pukë, Mamurras, Burrel, Krujë, Tiranë, Korçë etj. Një shtatore është ngritur dhe në Horën e Arbëreshëve, ndërsa në “Sheshin Skëndebej” të Tiranës, si të mos mjaftonte shtatorja, po ngrihet edhe një ndërtesë shumëkatëshe që ka trajtën e kokës së Skënderbeut me gjithë përkrenare. Përmes përfaqësimeve të ndryshme (flamur, stema, piktura, fotografi, filma, kartmonedhë, romane, libra, suvenire, portale virtuale, pije alkoolike, pulla postare, ekip futbolli, letra loje etj.), Skënderbeu është i pranishëm në jetën e përditshme të shqiptarëve. Ai është shënjues i shqiptarisë, i identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Krijimi i mitit kombëtar të Skënderbeut ishte një veprim kolektiv i Rilindjes sonë Kombëtare. Nga moria e rrëfimeve për jetën dhe bëmat e Skënderbeut, sidomos nga jetëshkrimi i Barletit, autorë të Rilindjes – që nga arbëreshët, Naimi, Konica e deri te Noli e Fishta, krijuan një rrëfim qendror për ta kthyer këtë figurë historike në një hero me të cilin të identifikoheshin shqiptarët e shek. XIX-XX, pavarësisht prej ndarjeve të tyre krahinore, fetare e klasore. Për këtë ndihmoi edhe një përkim fatlum midis etnonimit “shqiptar” (“bir i shqiponjës”, sipas etimologjisë popullore) dhe simbolit të shqiponjës së derës së Kastriotëve, i cili u adoptua si flamur i kombit.

Kuptimi fillestar i mitit të Skënderbeut ishte ai i çlirimtarit, që guxonte të përballej me një “superfuqi” ushtarake për të rifituar lirinë dhe që deri në fund të jetës luftoi për ta mbrojtur atdheun dhe popullin e tij. Miti rezultoi tepër i dobishëm në përpjekjet e shqiptarëve për ta pasur shtetin e tyre kombëtar dhe për t’i mbrojtur territoret dhe lirinë kundër Perandorisë Osmane, shteteve ballkanike e pushtuesve të tjerë. Te kujtimet e tij, Ismail Qemali e përshkruan në këtë mënyrë ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912: “Ishte për mua një çast i paharrueshëm, duart e mia dridheshin nga shpresa dhe krenaria, duke parë në ballkonin e shtëpisë së vjetër Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. U duk sikur shpirti i atij heroi të pavdekshëm kaloi si një zjarr i shenjtë sipër kokave të njerëzve që brohoritnin” (“Kujtime”, Tiranë: Akademia Kulturore “Iliria”, 2007, f. 317). Për Qemalin dhe për shumë nga ata që e shoqëronin në ato ditë historike, bëhej fjalë për ringjalljen e shtetit të Skënderbeut: në po atë datë kur ky nisi kryengritjen kundërosmane, disa shekuj më vonë flamuri i tij po sinjalizonte një fillim të ri për kombin shqiptar. Disa dekada më vonë, më 28 Nëntor 1944, qeveria e dalë nga lëvizja partizane hyri në Tiranë dhe Enver Hoxha në fjalimin e tij theksoi se “dita e Flamurit u bë dy herë e shenjtë, dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar” (cit. te Kasem Biçoku, “Data e çlirimit të Shqipërisë”, Tiranë, 2009, f. 36). 28 Nëntori 1944 do të ishte shpallur festë zyrtare e çlirimit prej pushtuesve nazi-fashistë (“nëntori i tretë”), po të mos ishte për oportunizmin e Hoxhës dhe të krerëve të tjerë komunistë për të pasur 29 Nëntorin si datë të përbashkët përkujtimore me partizanët jugosllavë. Jetëshkrimet e komandantit Adem Jashari nisin me datën e lindjes – 28 Nëntor 1955 – që duket se i parashihte atij fatin që të bëhej një hero tjetër çlirimtar i kombit shqiptar.

Mitet jetojnë përmes interpretimit, për sa kohë që ato i japin domethënie një grupi njerëzor. Prandaj, “puna me mitin”, për të përdorur një shprehje të historianit dhe filozofit Hans Blumenberg, është e vazhdueshme: rrëfimet fillestare riinterpretohen dhe shndërrohen, miti pasurohet me kuptime, për të qenë i volitshëm në kushte të reja politike dhe shoqërore. Miti i Skënderbeut u bë miti themelues i shtetit shqiptar dhe i regjimeve politike. Zogu, me t’u shpallur mbret, u përpoq që të vendoste një lidhje midis paraardhësve të tij dhe pasardhësve të Skënderbeut. Luftën e tij ideologjike kundër imperializmit dhe revizionizmit Enver Hoxha e përqaste me “luftën në dy fronte” të Skënderbeut, si ndaj osmanëve, po ashtu edhe kundër Venedikut.

Me rënien e komunizmit nisi riinterpretimi për ta lidhur qëndresën e Skënderbeut me integrimin e Shqipërisë dhe të shteteve të tjera të Ballkanit me Perëndimin dhe Bashkimin Europian. Qëndresa shqiptare i pengoi ushtritë osmane që të sulmonin brigjet e Italisë dhe Skënderbeu lidhi aleanca me Papatin, Napolin dhe fuqi të tjera të kohës për të bërë një luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane. Kjo ndihmesë e shqiptarëve në historinë e Europës, gjatë tranzicionit demokratik, është interpretuar si një dëshmi e identitetit të tyre europian dhe si një lloj borxhi historik që Perëndimi i sotëm i ka kombit shqiptar. Aspekti antemurale i mitit të Skënderbeut, pra i ledhit për mbrojtjen e qytetërimit europian kundër “barbarëve” në fakt ka qenë zhvilluar nga Rilindja Kombëtare, por duke ia nënshtruar funksionit kryesor, atij të çlirimit të Shqipërisë dhe të themelimit të shtetit shqiptar. Ndërsa tani, sipas tezave të “integruesve” duket sikur Skënderbeu luftonte jo dhe aq për lirinë e vendit të tij, por më shumë për ta “integruar” Ballkanin e kohës me Europën Perëndimore mesjetare, prej së cilës shekuj më vonë do të lindte Bashkimi Europian – çerdhja e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe e mirëqenies ekonomike. Shkrimtari Ismail Kadare, zëri më autoritar në këtë riinterpretim, në esenë “Dantja i pashmangshëm”, nuk ka nguruar ta quajë Skënderbeun si një nga gjeneralët europianë që i kanë paraprirë NATO-s dhe në një tekst tjetër e paraqet heroin si vizionar të bashkimit të Ballkanit me Europën: “Është vizionari më modern, jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i Ballkanit. Ç’është Ballkani sot, po psherëtin mezi po pret të hyjë në Europë. Kush nga të parët prijës të Ballkanit ktheu sytë nga Europa? Nuk ka tjetër si Skënderbeu” (“Takimi im me Enver Hoxhën”, “Shekulli”, Tiranë, 29.11.2008).

Kadareja ka dhënë ndihmesë që puna me mitin e Skënderbeut të shtyhet në një pozicion më të skajshëm, prej nga heroi shfaqet si “kryqtari i fundit” që mbrojti krishterimin (katolicizmin) prej islamit, rol të cilin duhet ta rimarrin shqiptarët e sotëm, në radhë të parë duke e larguar islamin prej vetes, sepse ky i fundit është imponuar nga pushtuesi dhe është fe aziatike, ndërsa Europa, ku duam të integrohemi, i ka rrënjët te krishterimi. Studiuesi Aurel Plasari, për të mbështetur aspektin kryqtar të qëndresës së Skënderbeut, vëren se 28 Nëntori 1443 nuk ishte një datë rastësore për fillimin e kryengritjes së tij, por “ajo përfaqëson fillimin e kryqëzatave… më 28 nëntor 1095 papa Urban shpallte ‘Kryqëzatën e Parë’” (“Skënderbeu: Një histori politike”, Tiranë, 2010, f. 335). Sipas tij, pikërisht kryqëzata kundër turqve, për të cilën kreu i katolicizmit u bënte thirrje princave të Europës, është sfondi politik kundrejt të cilit duhen vendosur veprimet e Skënderbeut. Në sajë të Skënderbeut, arbrit e kohës u përfshinë në Europë dhe u identifikuan si europianë. Teza historiografike e “Skënderbeut si kryqtar”, e tërhequr në orbitën e mitit, kthehet në domethënie shoqërore dhe shërben si bazë për veprimin politik, siç po ndodh p.sh. në të ashtuquajturën “Lëvizje e Deçanit” për braktisje vullnetare dhe kolektive të besimit islam, jo në emër të bindjeve personale fetare, por në emër të “fesë së të parëve”, “fesë së Skënderbeut” e “vetëdijes europiane” të shqiptarëve.

Interpretimet “europianiste” dhe “kryqtare” të mitit të Skënderbeut janë derivime prej interpretimit fillestar dhe të gjithëpranuar të heroit çlirimtar të atdheut dhe popullit të tij. Po të mos ishte Skënderbeu miti qendror kombëtar i shqiptarëve, nuk do të kishte ndonjë interes për të investuar domethënie “europianiste” dhe katolikocentriste në të, me qëllimin për ta orientuar politikën dhe kulturën shqiptare në kohën tonë. Pra, “Skënderbeu i pashmangshëm” i të gjithë shqiptarëve është ai kombëtar dhe interpretime të tjera, që e zbehin domethënien kombëtare të figurës së tij në fakt po zhvlerësojnë vetë mitin. Abdi Baleta ka të drejtë kur na alarmon se po na shfytyrohet Skënderbeu që e kemi pranuar si hero kombëtar që nga Rilindja Kombëtare: “Sikur Skënderbeu të ngrihej nga varri pas pesë shekujsh, ai nuk do të njihte më veten me këto që po shkruhen për ‘europianizmin’ e tij. Ai nuk vlerësohet më aq shumë si princ që u përpoq për mbrojtjen dhe zgjerimin e principatës së tij, siç ishte rregulli në kohën e feudalizmit në Europë, por përshkruhet si të ishte një kalorës i Urdhrit të krishterë të Tempullarëve… Ai paraqitet si një shqiptar i formatit të madh, por me ide universaliste europiane, siç hiqej dhe Enver Hoxha lider idesh internacionaliste proletare. Skënderbeu në propagandën shqiptare pak nga pak po zhvishet nga tiparet e heroit që bëri shumë për krijimin e fizionomisë kombëtare shqiptare, për t’u zëvendësuar me një Skënderbe të panjohur, i cili qenka munduar të krijojë ‘identitetin europian të shqiptarëve’, në kohën kur askujt në Europë nuk i shkonte mendja për ndonjë identitet europian” (“Kronikë kohe”, vepra 17, Tiranë, 2024, f. 421-422).

Mitet janë ngjizës të identiteteve kolektive pikërisht për shkak të aspektit të tyre emocional dhe ndikimit që kanë te pavetëdija kolektive, te domethëniet e bashkëndara nga bashkësitë njerëzore. Puna me mitin është një punë intelektuale, që nuk jep fryte nëse miti nuk arrin të prekë emocionalisht grupe të gjera shoqërore. Vetëdija kombëtare e shqiptarëve në kohën moderne është formuar duke pasur si bosht mitin përbashkues të Skënderbeut si hero çlirimtar. Na pëlqen apo jo mania për të pasur shtatore e buste të tij nëpër vendbanime të shqiptarëve, nuk mund të mohohet se ekziston dëshira kolektive për ta pasur vizualisht Skënderbeun si pjesë të hapësirës publike. Përmes tij, ne pohojmë identitetin tonë. Mirëpo, kjo nuk mjafton, sepse na duhet që ta çojmë përpara projektin tonë për njësim politik, atë që nisi dhe Rilindja Kombëtare, duke e thirrur Skënderbeun nga thellësia e shekujve për t’i dhënë atij një jetë të dytë si hero i shqiptarëve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button