Izraeli zhvendos me forcë komunitetin beduin në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite dhe kolonët kanë nisur për herë të dytë brenda një muaji, zhvendosjen me forcë të palestinezëve nga komuniteti beduin Arab al-Malihat, në perëndim të Jerikos, në Bregun Perëndimor. Lajmin e konfirmoi sot për agjencinë Anadolu Muayyad Shaban, kreu i Komisionit të Rezistencës ndaj Kolonizimit dhe Murit, i lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO).

Sipas Shaban, dëbimi i banorëve u krye pavarësisht një vendimi të mëparshëm të gjykatës izraelite që lejonte komunitetin të qëndronte në tokën e vet. Ai e cilësoi ndërhyrjen si një “shkelje të qartë të ligjit” dhe akuzoi kolonët izraelitë për djegien e banesave dhe pronave, si dhe për sulme fizike ndaj banorëve dhe aktivistëve ndërkombëtarë.

Shaban paralajmëroi se ky veprim është pjesë e një strategjie më të gjerë për zgjerimin e vendbanimeve hebraike, e ndikuar nga figura të larta të qeverisë izraelite si ministri i Financave, Bezalel Smotrich, dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir. Ai shtoi se zona është e synuar për shkak të rëndësisë së saj strategjike, duke shërbyer si një nyje lidhëse ndërmjet Jerikos dhe pjesëve të tjera të Bregut Perëndimor.

Banorët e Arab al-Malihat kishin rindërtuar komunitetin të enjten e kaluar, pasi gjykata izraelite e njohu të drejtën e tyre për t’u rikthyer, pas dëbimit të parë më 4 korrik. Megjithatë, sulmet e kolonëve dhe operacionet e forcave izraelite janë intensifikuar që atëherë.

Sipas të dhënave zyrtare palestineze, vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, janë zhvendosur 38 komunitete beduine nga Bregu Perëndimor për shkak të dhunës së vazhdueshme nga kolonët izraelitë.

Në korrikun e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin e territoreve palestineze nga Izraeli të paligjshëm dhe kërkoi evakuimin e menjëhershëm të të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor. Megjithatë, vendimi i gjykatës duket se nuk ka ndikuar në ndalimin e zhvendosjeve të detyruara dhe të dhunës në rritje në territorin e pushtuar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button