Franca thekson fazën e re për Palestinën, kërkon paqe me dy shtete

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe rikonfirmoi angazhimin e Francës për një zgjidhje me dy shtete në konfliktin Izrael-Palestinë, bëri të ditur të mërkurën Ministria e Jashtme franceze.
“Ministri shqyrtoi situatën në Lindjen e Mesme. Ai përsëriti angazhimin e Francës për zgjidhjen me dy shtete, ku Izraeli dhe Palestina jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri,” thuhet në një deklaratë të ministrisë pas takimit në kuadër të konferencës së OKB-së për Palestinën në Nju Jork.
Ministria theksoi se njoftimi i Presidentit Emmanuel Macron për njohjen e mundshme të shtetit të Palestinës në shtator “shënon një fazë të re” si pjesë e një “dinamike politike globale të mbështetur nga konferenca”.
“Ministri dhe Sekretari i Përgjithshëm diskutuan gjithashtu edhe për situatën në Liban, në prag të negociatave të muajit gusht për rinovimin e mandatit të UNIFIL-it. Ministri theksoi rolin jetik që luan Misioni i OKB-së për sigurinë e Libanit dhe stabilitetin rajonal, si dhe përsëriti angazhimin e Francës përmes pjesëmarrjes së kontingjentit të saj ushtarak,” thuhet më tej në deklaratë.
Gjithashtu, të dy diskutuan mbi programin bërthamor të Iranit, duke bërë thirrje për një “zgjidhje të negociuar” brenda kornizës së Traktatit për Mos-përhapjen e Armëve Bërthamore.
“Franca është e gatshme të kontribuojë në këtë përpjekje, në bashkëpunim me partnerët e saj,” përfundon deklarata.