Evakuohen banorët pas përmbytjes së portit nga cunami në ishujt Kuril të Rusisë

Banorët në Lindjen e Largët të Rusisë u evakuuan sot pasi një cunami përmbyti pjesërisht portin e Severo-Kurilsk dhe ambientet e ndërmarrjes së peshkimit Alaid, njoftoi Ministria e Situatave të Emergjencave, transmeton Anadolu.
Një tërmet me magnitudë 8.8 ballë goditi sot Gadishullin Kamchatka të Rusisë, duke gjeneruar paralajmërime për cunami në të gjithë rajonin e Oqeanit Paqësor, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS).
Epiqendra ishte në një thellësi prej 20.7 kilometrash (12.8 milje), 119 kilometra (73.9 milje) në lindje-juglindje të Petropavlovsk-Kamchatsky, informoi USGS. Akademia Ruse e Shkencave tha se ishte tërmeti më i fortë që ka goditur rajonin që nga viti 1952.
Tërmeti ishte i cekët dhe mjaftueshëm i fuqishëm për të shkaktuar valë ose një cunami. Guvernatori i Kamchatka-s, Vladimir Solodov, tha në Telegram se tërmeti “ishte serioz dhe më i forti nga lëkundjet në dekada”.
Ndërsa ministri rajonal i shëndetësisë Oleg Melnikov për agjencinë shtetërore të lajmeve ruse Tass njoftoi se disa njerëz në Kamchatka u plagosën pas tërmetit. Tass raportoi veçmas se rreth 2.700 njerëz u evakuuan në zona të sigurta në Ishujt Kuril pas tërmetit të fuqishëm.
“Të gjithë pacientët janë në gjendje të kënaqshme. Nuk janë regjistruar lëndime serioze për momentin”, citohet të ketë thënë Melnikov.
Një urdhër evakuimi u shpall për qytetin e vogël Severo-Kurilsk në rajonin Sakhalin pas një paralajmërimi për cunami. Valët e cunamit përmbytën pjesë të qytetit të Severo-Kurilsk pas tërmetit të fuqishëm, raportoi RIA Novosti, duke cituar Ministrinë e Situatave të Emergjencave të Rusisë.
Një gjendje e jashtëzakonshme u shpall në Severo-Kurilsk pas tërmetit, raportoi Tass.