E pandashmja

Qëllimi i Jezuit, merret me mend lehtësisht, nuk ishte ndarja e fesë prej jetës publike dhe pushtetit/qeverisjes, pikërisht ndarja që u ba realitet ma vonë dhe vazhdon edhe sot në forma të ndryshme. Pra, Jezui nuk nënkuptoi aspak që besimi është vetëm çështje private dhe se jeta jonë socio-politike duhet me u drejtu nga të tjera parime, të ashtuquajtura laike apo shekullare. Domethanë, me besu tjetër gja e me jetu sipas nji tjetër gjaje, çka në thelb i bie të jetë hipokrizi.

Edison ÇERAJ, Tiranë

Nji prej çështjeve ma domethanëse në veprën e Shekspirit (Shakespeare) është fenomeni i keqkuptimit, ku jeta dhe vdekja, komikja dhe tragjikja ose dashuria dhe tradhtia përcaktohen prej tij, jashtë vullnetit të personazheve ose pritshmërisë së lexuesit/publikut. Madje, as autori sikur nuk ka pushtet mbi keqkuptimin si fat i pashmangshëm i personazheve në kërkimin e tyre për kuptim dhe plotni.

Këtu ka nji të vërtetë të madhe: pavarësisht përpjekjeve, planeve apo pritshmërisë sonë, e ardhmja vjen gjithmonë e ndryshme nga parashikimi ynë.

Nji keqkuptim me shumë ndikim, i cili vijon me trajtësu realitete edhe sot, veçmas në vendet e krishtera, është ky:

“Na thuaj, pra, ç’mendon ti: “A është e lejueshme t’i jepet taksë Cezarit, apo jo?” Por, Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: “Pse më tundoni, hipokritë? Më tregoni një monedhë të taksës.” Ata i sollën një dinar. Dhe, ai u tha atyre: “E kujt është kjo figurë dhe ky mbishkrim?” Ata i thanë: “E Cezarit.” Atëherë ai u tha atyre: “Jepini, pra, Cezarit atë që është e Cezarit dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë.” Kur e dëgjuan këtë, u mahnitën; dhe e lanë dhe ikën.” (Mateu, 22: 17-22)

Qëllimi i Jezuit, merret me mend lehtësisht, nuk ishte ndarja e fesë prej jetës publike dhe pushtetit/qeverisjes, pikërisht ndarja që u ba realitet ma vonë dhe vazhdon edhe sot në forma të ndryshme. Pra, Jezui nuk nënkuptoi aspak që besimi është vetëm çështje private dhe se jeta jonë socio-politike duhet me u drejtu nga të tjera parime, të ashtuquajtura laike apo shekullare. Domethanë, me besu tjetër gja e me jetu sipas nji tjetër gjaje, çka në thelb i bie të jetë hipokrizi.  (“Pse më tundoni, hipokritë?”) Por, e vërteta është se kjo “hipokrizi” nuk mundet me zgjatë shumë, se njeriu ose ka me jetu sipas asaj që beson ose, me kalimin e kohës, ka me besu atë që jeton.

Këtu e ka origjinën meha e besimit të krishterë në Perëndim, veçan mbas Rilindjes e mbrapa, derisa me kalimin e kohës mënyra e jetesës ka ardhë duke u zhveshë prej parimeve dhe moralit fetar. Shek. XX e dëshmon qartë këtë.

Nji numër i madh kishash sot janë ma shumë muze sesa faltore, sepse nga procesi intensiv i shekullarizimit ka dalë nji qenie e re, që e sheh dhe i qaset fesë si fenomen kulturor, jo si besim dhe modus vivendi.

Kjo qe pasoja e braktisjes së botës “si mbretëri e djallit” dhe e lanies së çështjeve publike në dorën e “laikëve”.

Kjo ndarje/krisje, ky reduktim diktues i besimit/fesë në sferën private ose individuale, e ka tkurrë ndërgjegjen morale në minimumin e vet në fusha si arsimi, politika, ekonomia, shkenca e kështu me radhë.

Ndërgjegjja morale, fort e relativizuar tashma, është zëvendësu me përgjegjësinë ligjore, përgjegjësi e cila nuk vepron ndryshe, veçse nëpërmjet frikës. Po me të pushtetshmit, që kanë shumëçka në dorë e nuk kanë frikë ligjin, çfarë ndodh?

Historia është e mbushur me raste individësh (madje edhe qeverish e popujsh, si Izraeli) të cilët janë “mbi ligjin”.

“Të gjithë janë të barabartë, por disa janë edhe më të barabartë se të tjerët.” (Orwell)

Po kërkimet dhe eksperimentet shkencore, a kanë nji kufi, që të mos na kthehen kundër duke rreziku vetë jetën, së cilës besohet se po i shërbejnë?! A nuk është zëvendësu përgjegjësia morale me përgjegjësinë teknike, siç thotë Bauman-i?! Këtë përmbysje e ka sjellë kulti i suksesit, kult i cili nis qysh në fëmijëri, i imponuar nga prindërit përmes presionit të 10-tës në shkollë. Krejt edukimi i fëmijëve është reduktu te rezultatet e mira në shkollë! Sa ma e ethshme gara për sukses, aq ma shumë shtohet përplasja dhe agresiviteti. Këto plagë mund të shërohen vetëm atëherë kur suksesi ose arritjet të shoqërohen në mënyrë të pandashme me përgjegjësisë morale. “Sot është plotësisht e mundshme të marrim me mend sesi një njeri që ka kaluar të gjitha shkallët e arsimimit, të mos ketë dëgjuar në asnjë rast të vetëm se duhet të jetë njeri i mirë dhe i drejtë…” (Izetbegoviq)

“Kriza e besueshmërisë e universiteteve moderne ka lindur prej faktit se kampet e vdekjes dhe skema e tyre operacionale nuk ishin planifikuar dhe ndërtuar prej analfabetëve, injorantëve dhe njerëzve të pagdhendur e të pashkolluar. Qendrat e vdekjes ishin, sikurse shpikësit e tyre, produkte të atij që për breza me radhë kishte qenë një nga sistemet më të mira universitare të botës… Të diplomuarit tanë punojnë pa përjetuar ndonjë konflikt të brendshëm për Kilin social-demokratik ose për Kilin fashist, për juntën apo republikën greke, për Spanjën e Frankos ose Spanjën republikane, për Kinën, për kuvajtianët ose izraelitët, për Amerikën, Anglinë, Indonezinë ose Pakistanin… Kjo përmbledh, edhe pse në mënyrë të ashpër, rolin historik të teknikëve të shkolluar, të atyre që janë “edukuar” me indiferencën morale, etike dhe fetare të universitetit modern…” (Franklin H. Littell, cituar nga Bauman në Moderniteti dhe Holokausti)

Sa ma e madhe indiferenca morale, aq ma shumë harrohet shenjtëria e jetës, e diçka që humb shenjtërinë mund të cenohet e të shkilet lehtësisht.

Jeta është e shenjtë vetëm atëherë kur ajo i atribuohet Krijuesit të saj. Le ta kujtojmë Dostojevskin: “Nëse Zoti nuk ekziston, atëherë çdo gja është e lejuar.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button