Albanologjia në burime arkivore

Nuridin AhmetiAlbanologjia në Jugosllavi sipas dokumenteve të arkivave të Shqipërisë, vëllimet I dhe II, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2025, f. 700 + 640.

Prof. dr. Hysen Matoshi

Njëra ndër çështjet që i ka preokupuar studiuesit e periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore ka të bëjë me interesimin e shtetit amë lidhur me shqiptarët e mbetur nën Jugosllavi. Sikurse është e ditur periudha e Luftës së Dytë Botërore u karakterizua me njëfarë bashkëpunimi ndërmjet partive përkatëse komuniste, që vijoi në kontura pak a shumë të njëjta deri në prishjen e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave më 1948, për të pasuar periudha në të cilat raportet herë janë karakterizuar me ftohje marrëdhëniesh deri në ndërprerjen e tyre të plotë e herë të tjera me shtensionime madje edhe me faza të një afrimi, nga të cilat më së shumti ka përfituar popullata shqiptare në Jugosllavi. Të gjitha ngritjet dhe rëniet në këto relacione janë pasqyruar në një lëndë të pasur arkivore të institucioneve e mekanizmave të ndryshëm të shtetit shqiptar, të cilët, sikurse dihet, kishin në fokus të veçantë zhvillimet rreth shqiptarëve në Jugosllavinë federale. Viteve të fundit kanë dalë në shesh një varg dëshmish dokumentare që tregojnë për interesimin e shtetit shqiptar dhe të udhëheqjes së tij lidhur me zhvillimet në Kosovë e kudo në viset shqiptare përreth saj, lidhur me statusin e bashkëkombësve, trajtimin që u bëhej, pengesat, vështirësitë dhe arritjet e tyre. Ka një bindje dominuese se shteti amë kishte interesim, kur më të shprehur e kur më të vakët, për pjesën e kombit të mbetur jashtë kufijve të tij. Disa nga historianët tanë e kanë quajtur të mjaftueshëm këtë interesim dhe në përputhje me mundësitë reale, ndërsa ka edhe pikëpamje sipas të cilave shteti shqiptar, konkretisht udhëheqja e tij, nuk kanë bërë sa duhet në këtë drejtim dhe se më shumë bëhet fjalë për hapa simbolikë se sa për një qasje të vendosur e rrënjësore lidhur me nevojat e bashkëkombësve të mbetur nën sundimin e huaj. Përfundimet e këtilla të karakterit absolutizues shpeshherë e kanë burimin te një lëndë e paktë ose e pamjaftueshme e dëshmive dokumentare të kohës.

Burim me interes për historishkrimin e albanologjisë

Në saje të vëllimeve që po paraqesim, kësaj lënde dokumentare po i shtohet edhe një materie interesante që ka vënë në fokus interesimet e mekanizmave shtetërorë, institucionalë e profesionalë të Shqipërisë komuniste lidhur me zhvillimin e albanologjisë në Jugosllavi, gjegjësisht në Kosovë si pjesa me statusin më të avancuar kur është fjala për të drejtat e shqiptarëve. Në të vërtetë, qëndrimi ndaj albanologjisë, në periudhën e viteve 1946 – 1990, ishte tregues i qëndrimit të Shqipërisë ndaj pozitës së përgjithshme të shqiptarëve nën sundimin e shtetit të sllavëve të jugut, ndaj në këto materiale shpeshherë çështjet e veçanta (albanologjia) dhe të përgjithshme (statusi politiko-juridik) dalin të trajtuara si të pandara. Pra, përtej dimensionit të ngushtë albanologjik, në këto materiale shohim një interesim të institucioneve shtetërore shqiptare për pozitën e përgjithshme të shqiptarëve në Jugosllavi, madje dhe në mënyrë të veçantë edhe për pikëpamjet e tyre në raport me shtetin amë dhe sidomos në raport me sistemin politik dhe udhëheqjen e asokohshme të Shqipërisë.

Kështu, prof. dr. Nuridin Ahmeti bashkohet në përpjekjet e atyre hulumtuesve tanë shkencorë që kontribuojnë në këtë pikëpamje. Pas vitesh pune të palodhshme dhe insistuese, ai ka sjellë në një format botimi dyvëllimësh materialet me titullin “Albanologjia në Jugosllavi sipas dokumenteve të arkivave të shtetit shqiptar”, që përfshin periudhën nga viti 1946 e deri në vitin 1990. Në kuadër të këtyre materialeve janë përfshirë shkresa të ndryshme sikurse janë: relacionet e përfaqësive diplomatike (kryesisht të misionit diplomatik shqiptar në Beograd), informata e raporte lidhur me zhvillime dhe situata konkrete në terren, analiza për institucionet politike e shtetërore, kërkesa etj. Fjala është për një numër të madh dokumentesh, që bëhen të njohura për opinionin e gjerë dhe sidomos për studiuesit që janë marrë me këtë periudhë dinamike, e cila jo një herë ka qenë objekt i polemikave dhe debateve të ashpra. Ndaj them se publikimi i tyre hap rrugë për zgjidhje shkencore e të bazuara mbi dëshmi autentike arkivore. Gjithashtu, këto materiale arkivore do të zvogëlojnë ndjeshëm hapësirën e hamendësimeve lidhur me zhvillimet e asaj periudhe dhe rolin konkret të faktorëve të ndryshëm që ishin të përfshirë në to.

Në një shtrirje kohore këto dokumente, në fillimet e shfaqjes së tyre, kanë në fokus aspekte të pozitës e gjithmbarshme të shqiptarëve në Jugosllavi, duke filluar nga raportimi mbi dënimet me vdekje dhe dënime të tjera të një numri të madh shqiptarësh të Kosovës pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa raportimet a relacionet, pavarësisht materies që trajtojnë, janë produkt i përfaqësisë diplomatike shqiptare në Beograd, pa përjashtuar edhe kontribute të misioneve të tjera diplomatike të Shqipërisë. Pas trajtimit të situatës sa i përket teksteve shkollore dhe polemikës së zhvilluar rreth tre blejve të folklorit shqiptar të botuar në Kosovë, në vijim kemi një raport të vitit 1963 të ambasadës shqiptare në Beograd, në të cilin, në mënyrë të përmbledhur dhe sistematike përshkruhet, do të thosha me vërtetësi, pozita e vështirë e shqiptarëve, të cilët po përballeshin me dhunën politike e sociale që rezultonte me masa të rënda burgimesh ndaj tyre, por edhe me mospërfaqësim adekuat në organet drejtuese, me varfërinë ekstreme të Kosovës si pasojë e prapambetjes ekonomike në raport me vendet e tjera të Jugosllavisë, me problemet e mëdha në fushën e arsimimit dhe të përdorimit të gjuhës shqipe etj. Natyrisht si në pjesën dërrmuese të raporteve të shkruara, qoftë në Beograd, qoftë në Tiranë, dokumentet e këtilla përmbajnë edhe qëndrimin e shqiptarëve të Kosovës lidhur me Shqipërinë si shtet amë, me politikën dhe udhëheqjen e saj.

Përgjithësisht përmbajtjet e këtyre relacioneve marrin në konsideratë zhvillimet kulturore, arsimore, letrare, shkencore etj. të shqiptarëve në Jugosllavi dhe si të tilla janë një përkujtesë për udhëheqjen shqiptare të kohës. Një aspekt me interes për këto çështje e përbëjnë edhe vizitat ose qëndrimet me karakter kulturor, shkencor dhe akademik të kosovarëve në Shqipëri dhe anasjelltas të studiuesve e të profesorëve universitarë në Kosovë. Këto raporte, përveç aspekteve të veçanta të cilat i përshkruajnë grupet e caktuara ose individët që vizitonin Shqipërinë, përkatësisht Kosovën, përmbajnë edhe të dhëna të përgjithshme me interes për ta njohur realitetin e kohës. Merret vesh pashmangshëm del në pah edhe cilësimi ideologjik që u bëhet individëve, përkatësisht grupeve, që e vizitojnë shtetin amë, por jepen vlerësime edhe për personalitete të shquara të botës akademike, shkencore e kulturore të Kosovës e, ndonëse në raste më të rralla, edhe për udhëheqës politikë të shqiptarëve në Jugosllavi. Në këtë pikëpamje pothuajse si një klishe shfaqet konstatimi lidhur me vlerësimin që shqiptarët e mbetur jashtë atdheut kanë për shtetin e tyre amë, për udhëheqjen e tij, e i cili është përgjithësisht admirues e pozitiv etj.

Me kalimin e kohës dhe me intensifikimin e marrëdhënieve Shqipëri – Kosovë vërejmë të ketë edhe protokolle bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Tiranës në njërën anë dhe Universitetit të Prishtinës e Universitetit të Shkupit në anën tjetër, me çka krijohen premisa institucionale për zhvillimin e dijeve dhe kapaciteteve akademike ndër shqiptarët e mbetur në Jugosllavi, me theks të veçantë në shkencat e identitetit kombëtar sikurse janë disiplinat e rëndësishme albanologjike (gjuhësia, letërsia, historia, arkeologjia, etnologjia, folkloristika etj.). Vërehet një dominancë e pjesëmarrjes së profesorëve universitarë të Shqipërisë në Kosovë, kryesisht si ligjërues lëndësh në Universitetin e Prishtinës, teksa në kahun tjetër kemi më pak interesim për dijetarët nga Kosova që të ligjërojnë në auditoret e Tiranës. Grupet e vizitorëve nga Kosova janë të mëdha, marrë parasysh praktikat e kohës, ndërsa në secilin prej raporteve lidhur me qëndrimin e tyre në Shqipëri kemi një përshkrim karakterizues për ta, sigurisht i motivuar nga një bazë e padiskutueshme ideologjike e politike që e impononte logjika partiake e kohës. Kështu, sipas raporteve, në mesin e vizitorëve ka atdhetarë idealistë, admirues  dhe simpatizantë të udhëheqjes politike, kryesisht të Enver Hoxhës, por, megjithatë, për ndonjërin prej tyre hartuesit e raporteve shprehin rezervë, madje edhe dyshime, se janë agjentë jugosllavë të përfshirë në këto grupe vizitorësh. 

Strukturë heterogjene e materialeve albanologjike

Këto vëllime janë të paraprira nga një parathënie, kontribut autorial i Nuridin Ahmetit, i cili e ka qartësuar shtysën për të realizuar këtë projekt, duke bërë fjalë edhe për përzgjedhjen e dokumenteve, strukturën e tyre dhe synimet që janë mëtuar nëpërmjet botimit në këtë format. Secili nga dokumentet ka një argument të shkurtër përshkrues lidhur me përmbajtjen e tij, gjë që e lehtëson orientimin e të interesuarve për aspekte të caktuara kërkimore. Marrë parasysh faktin se hartuesit e këtyre dokumenteve, qofshin diplomatë, shoqërues grupesh, vizitorë që për çështje akademike e kërkimore kishin qëndruar në Kosovë etj., nuk i njihnin gjithmonë me saktësi emrat e personave dhe të vendeve e çështjet të tjera për të cilat flisnin, kanë bërë gabime që janë reflektuar në dokumentin e hartuar, është parë e nevojshme nga përgatitësi i vëllimeve që të jepen në poshtëshënime emërtimet ose të dhënat e sakta, duke e ruajtur kështu autenticitetin e akëcilit dokument.

Megjithatë dhe pavarësisht faktit se dokumentet kanë një strukturë heterogjene, fokusi i këtyre përmbledhjeve arkivore mbetet albanologjia në Jugosllavi. Ka në mesin e tyre dokumente që trajtojnë zhvillimin e disiplinave albanologjike, por edhe krijimin e institucioneve albanologjike (Instituti Albanologjik, Katedra e Albanologjisë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsisë dhe Kulturën Shqiptare etj.) dhe sidomos mbajtjen e aktiviteteve me rëndësi për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare (Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, Simpoziumi për Skënderbeun, pjesëmarrja e një grupi ekspertësh nga Shqipëria për hartimin e projektit të Kompleksit Muzeal të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pjesëmarrja në simpoziumin shkencor për kulturën e gjuhës shqipe, bashkëpunimi për projektin e Atllasit dialektologjik të shqipes etj.). Natyrisht vëmendje u kushtohet edhe kapaciteteve të formuara albanologjike në mesin e shqiptarëve të Kosovës, shkollave të tyre studimore, rezultateve, sfidave etj.

Interes të veçantë përbëjnë vlerësimet e profesorëve të Universitetit të Tiranës, të cilët mbanin ligjërata në Universitetin e Prishtinës si një mbështetje jetike për ta fuqizuar korpusin shqiptar të kuadrit të tij, ngaqë deri në ardhjen e tyre një numër të madh lëndësh në fakultete studentët shqiptarë detyroheshin t’i ndiqnin në gjuhën serbe. Relacionet e tyre lidhur me punën që bënin, por edhe mbresat nga takimet dhe njohja e realitetit të Kosovës së atëhershme janë po kështu me interes. Megjithatë, vëmendja e përgatitësit të vëllimeve, prof. dr. Nuridin Ahmetit, është përqendruar te sjellja e raporteve të shkruara lidhur me studiuesit kosovarë që kishin vizituar Shqipërinë kryesisht për qëllime studimore, përgatitje të doktoraturave, projekteve shkencore etj. Në to gjejnë vend gjithanshëm përshkrimet lidhur me interesimet e tyre studimore, fushat përkatësisht temat, projektet në të cilat punojnë. Në mesin e studiuesve të Kosovës, kryesisht albanologë, por edhe të fushave të tjera, të cilët kishin qëndruar në Shqipëri për qëllime hulumtimi, ose që kishin mbajtur ligjërata, apo kishin marrë pjesë në aktivitete të tjera veçohen:  Rexhep Qosja, Ali Hadri, Mark Krasniqi, Dervish Rozhaja, Syrja Pupovci, Fazli Syla, Aleksandar Stipqeviçi, Zef Mirdita, Sadri Fetiu, Skender Rizaj, Ramiz Kelmendi, Fehmi Agani, Minir Dushi, Hajredin Hoxha, Exhlale Dobruna, Isa Bajçinca, Ahmet Kelmendi, Rexhep Ismajli, Ali Aliu, Shefqet Pllana, Agim Vinca, Mehmet Gjevori, Bajram Krasniqi, Ibrahim Rugova, Shukri Rahimi, Isak Shema, Ismet Dermaku, Abdulla Zajmi, Anton Çetta, Emine Arifi, Shaqir Berani, Mehmet Halimi, Ruzhdi Ushaku, Demush Shala, Sefedin Fetiu, Muhamet Pirraku, Qamil Gexha, Ismail Ahmedi, Shpresa Siqeca, Shkelzen Raça, Zijadin Munishi, Drita Gunga, Muhamed Shukriu, Murat Blaku etj. Bazuar në të dhënat e prezantuara në këto materiale do thënë se kishte edhe një numër modest studiuesish nga radhët e kombeve të tjera, të cilët gjatë kësaj periudhe kishin qenë në Shqipëri për çështje studimore, ose edhe në vizita si përfaqësues institucionesh etj.

Nga ana tjetër, bazuar në dokumentet e këtyre vëllimeve, del se Shqipëria dërgoi në Kosovë elitën e saj të albanologëve me qëllim që të mbanin ligjërata në Universitetin e Prishtinës, sidomos në nivelin e studimeve të magjistraturës. Kjo ishte pa dyshim një nxitje e rëndësishme motivuese për zhvillimin e albanologjisë dhe përgjithësisht për krijimin e një elite akademike e intelektuale me premisa të qarta kombëtare. Një pjesë e shkencëtarëve u dërguan si pjesëmarrës në ekspedita shkencore që u zhvilluan në bashkëpunim me kolegët e tyre nga Kosova, sikundër që pati prej tyre edhe pjesëmarrës në grupe punuese dhe në aktivitete të ndryshme shkencore që u organizuan në Prishtinë. Pa mohuar faktin se u dërguan një numër i madh profesorësh, autoritete shkencore të kohës të të gjitha fushave, në sferën e albanologjisë kontribut të çmueshëm dhanë profesorët dhe dijetarët e shquar, si: Dhimitër Shuteriqi, Androkli Kostallari, Aleks Buda, Mahir Domi, Alfred Uçi, Skënder Anamali, Eqrem Çabej, Selami Pulaha, Kristaq Prifti, Bedri Dedja, Stefanaq Pollo, Jorgo Bulo, Enver Hysa, Jorgji Gjinari, Gjovalin Shkurtaj, Jani Thomaj, Kristo Frashëri, Anastas Dodi, Emil Lafe, Pavli Haxhillazi, Bahri Beci, Thanas Feka, Mehmet Çeliku, Hamit Boriçi, Selim Islami, Muzafer Korkuti, Ramazan Bogdani, Agron Xhagolli, Spiro Shkurti, Andromaqi Gjergji, Afërdita Onuzi, Ali Dhrimo, Dalan Shapllo etj.

Sinteza mbi albanologjinë

Krijimi i potencialeve profesionale, akademike e shkencore hapi një perspektivë më të qartë të zhvillimit të albanologjisë në Kosovë. Kështu, një varg dokumentesh arkivore të botuara në këto vëllime dhe që janë kryesisht të viteve 80 të shek. XX janë hartuar në trajtë sintezash lidhur me zhvillimin e disiplinave të ndryshme albanologjike. Spikat në to një qasje shteruese profesionale, krahas faktit që, herë pas here, në to del në pah edhe aspekti ideologjik, i kuptueshëm për kohën kur janë hartuar. Kështu, interes përbëjnë shkrimet për letërsinë dhe kritikën letrare në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, pikëpamjet rreth librit “Morfologjia e një fushate” të Rexhep Qosjes, pastaj sinteza përmbajtjesore e titulluar “Institucionet shkencore të Kosovës, struktura dhe problematika e punës së tyre studimore”, një vështrim mbi disa botime kosovare në fushën e gjuhësisë dhe prirjet që vihen re në to, trajtimi “Gjendja e studimeve albanologjike në Kosovë pas ngjarjeve të mars-prillit 1981”, material tjetër po ashtu me interes është edhe vështrimi “Për arsimin e kulturën shqiptare në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në Jugosllavi”, “Gjendja e monumenteve të kulturës shqiptare në Kosovë dhe përpjekjet e inteligjencies për mbrojtjen e tyre”, relacioni i Dritëro Agollit mbi botimin dhe popullarizimin e krijimtarisë së autorëve kosovarë në Shqipëri, informata mbi gjendjen e teksteve universitare në Kosovë, informata mbi shkencat albanologjike në Kosovë gjatë viteve 1983 – 1985, materiali përmbledhës mbi sulmet e serbomëdhenjve ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare, informacioni mbi planet studimore të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe të Institutit të Historisë së Kosovës për vitet 1985- 1987 etj.

Me një fjalë, një histori e albanologjisë në Kosovë, madje edhe një histori e përgjithshme e Kosovës, do të gjejë në këto vëllime një bazë të çmueshme dokumentare, që shpërfaq qëndrimet politike, ideologjike e profesionale të institucioneve të shtetit shqiptar, të cilat, sikurse shihet, nuk qëndronin indiferente në këtë pikëpamje. Interes përbën edhe dokumentimi i historikut të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për ngritjen e kapaciteteve institucionale e profesionale albanologjike, sidomos në Kosovë, por edhe përgjithësisht në arealin shqiptar. Ma thotë mendja se këto vëllime do t’u japin një zgjidhje shumë hamendësimeve lidhur me interesimin dhe rolin e Shqipërisë në zhvillimet historike rreth shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi. Një histori që – përtej mohimit absurd e absolut të këtij roli të shtetit amë dhe përtej pohimit glorifikues, sikur secila arritje e shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera etnike ka për kontribuuese të vetme Shqipërinë komuniste – do të bazohet në faktografi të verifikueshme. Për këtë e quaj të rëndësishme punën e kolegut Nuridin Ahmeti me urimin që të vijojë ta zgjerojë bazën burimore të historiografisë sonë dhe që e kaluara jonë të kundrohet e të vlerësohet gjithnjë e më shumë në dritën e faktografisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button