Mes altarit dhe fronit

Shekullaristët, duke e ndjerë veten triumfatorë në idetë e tyre, që plazmuan progresin material bazuar në shkencën e zhveshur nga hyjniteti, e kthyen besimin tek shkenca dhe progresin material në boshtin qendror të shoqërisë moderne, duke sjellë në jetë një fe pa Zot, shkencën moderne ose, thënë ndryshe, një fe ku Zot është njeriu, pasi shkenca është produkt i mendjes së tij.
Nuredin NAZARKO, Korçë
Moderniteti, si përpjekje e njeriut për ta zënë vendin e Zotit në modelimin e mënyrës së të jetuarit, nisi kur klerikalizmi europiano-perëndimor i mesjetës nga fuqi shpirtërore u zhvendos drejt një fuqie materiale, duke lënë në hije principet që predikonte. Predikimet shpirtërore që nuk i përgjigjeshin jetesës së përditshme të një pjese klerikësh u bënë kufiri prej ku nisi të frymojë bota e re, bota pa praninë e Zotit në qendër të saj. “Bëni si them unë e mos bëni ç’bëj unë!” shkaktoi thyerjen e besueshmërisë ndaj principeve fetare në Europën mesjetare.
Kisha, duke pasur në duart e saj fuqi politike, ekonomike dhe, pa diskutim, shpirtërore, nuk e vlerësoi gjendjen fillestare të reaksionit kundër saj dhe e përdori inkuizicionin për t’i goditur të gjitha mendimet që binin ndesh me rregullat e saj. Heretikët u vendosën në shënjestrën e gjuetisë së shtrigave. Tentativat e kishës në Europën perëndimore mesjetare për t’i ruajtur pozitat dominuese, përskaj ndryshimeve që po pësonte shoqëria, e shndërroi atë në institucion që e legjitimoi përndjekjen, dhunën dhe eleminimin e heretikëve. Ata besonin se po kryenin një detyrë të shenjtë dhe e gjithë veprimtaria e klerit për të qëndruar me kokëfortësi në të tyren, u kthye në kundërrymë, duke sjellë në jetë protestantizmin, dhe lindjen e ideve të reja mbi qeverisjen e mënyrën e të jetuarit, ku altari dhe froni nuk duhej të interferonin në punët e njëri – tjetrit.
Ndarja e kishës nga shteti, duke i caktuar kishës si kufij të veprimtarisë vetëm çështjet shpirtërore, u bë modeli bazë mbi të cilin u ngrit struktura e shtetit modern, shtetit shekullarist. “Emërtimi ‘Shekullar’ vjen nga Latinishtja saeculum, që do të thotë ‘kjo periudhë’ ose ‘koha e tanishme’, dhe ideja nënkupton gjendjen e botës në këtë kohë, periudhë apo epokë të veçantë. Në shkrimet e hershme të krishtera është përdorur për t’iu drejtuar botës së përkohshme përkundrejt asaj shpirtërore.” (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. (2022) Rivlerësimi i reformës në arsimin e lartë. Tiranë: AIITC), faqe 170).
Ky model shpesh është keqkuptuar dhe keqinterpretuar sa nga tradicionalistët aq dhe nga shekullaristët. Shekullaristët e aplikuan këtë model mbi të gjitha fetë, pavarësisht se konteksti historik ishte trualli i Europës Perëndimore mesjetare. Duke fituar terren dhe duke parë që progresi material u fuqizua ndjeshëm pasi u zbatua ky model qeverisje dhe jete individuale, e perceptuan njeriun si fuqi prodhuese dhe konsumatore, kurse për botën e tij shpirtërore asnjë shqetësim. Në rastin më të mirë je i lirë të veprosh si të duash, por në mjedisin tënd privat, kurse në jetën publike zero fetari. Në rastin më të keq, bota shpirtërore nuk ekziston dhe ti je një kombinacion reaksionesh kimike që kanë ndikim në jetën tënde biologjike. Ti jeton për t’i plotësuar dëshirat dhe e gjithë jeta jote është në shërbim të zhvillimit material dhe nevojave biokimike.
Shekullaristët, duke e ndjerë veten triumfatorë në idetë e tyre, që plazmuan progresin material bazuar në shkencën e zhveshur nga hyjniteti, e kthyen besimin tek shkenca dhe progresin material në boshtin qendror të shoqërisë moderne, duke sjellë në jetë një fe pa Zot, shkencën moderne, ose, thënë ndryshe, një fe ku Zot është njeriu, pasi shkenca është produkt i mendjes së tij. Shekullaristët e të gjitha variacioneve përpiqen ta mbrojnë dhe ta paraqesin këtë model jete e qeverisje si më të mirin e mundshëm, duke iu kundërvënë herë butësisht e herë ashpërsisht jetës bazuar mbi principe fetare. Duke pasur në dorë fuqi politike, ekonomike dhe ushtarake modelin modernist që u ngjiz në truallin e perëndimit mesjetar dhe u zhvillua në truallin e perëndimit modern, janë përpjekur dhe përpiqen ta imponojnë si arketipin që duhet ndjekur nga të gjithë popujt e botës, sepse vetëm kështu bota shkon para.
Tradicionalistët e panë mënyrën moderne të të jetuarit si kërcënim për vlerat tradicionale dhe u përpoqën të mbroheshin përballë kësaj batice. Kritika ndaj modernitetit, mbyllja në guaskën e vet mbrojtëse, përpjekja për të ruajtur me çdo kusht mënyrën e hershme të të kuptuarit dhe shpjeguarit të tradicionalizmit u bënë bosht qendror i veprimtarisë tradicionaliste.
Progresi material i epokës moderne ose shekullare është fakt që nuk mund të anashkalohet. Boshllëku shpirtëror që solli jeta shekullare, pasi njeriu nuk është vetëm përmasë materiale, është fakt që po ashtu nuk mund të anashkalohet. Përballë fakteve a duhet që tradicionalizmi dhe shekullarizmi të qëndrojnë secili në llogoret e tyre dhe të përpiqen ta ruajnë e zgjerojnë hartën e ndikimit apo do të ishte më e udhës të hynin në dialog për të dhënë e për të marrë nga njëri-tjetri?
Edhe shoqëria shqiptare nuk ka shpëtuar nga ky rivalitet mes tradicionales dhe shekullares. Ajo ka reflektuar ndikimet që fryjnë nga perëndimi modern, përpjekjet moderniste të erës zogiane, shekullarizmin ekstrem enverist, debatin e zjarrtë se a jemi me Lindjen arkaike apo Perëndimin modern e të emancipuar në erën tranzicionale demokratike. Me uljet dhe ngritjet e veta, ky debat duket se është zbutur ditët e sotme, por hera-herës shfaqet si një hije e fortë e së shkuarës ateiste, ku mënyra tradicionale e të jetuarit vihet në tabelën e qitjes dhe përdoret si gogol për të trembur përkrahësit e mitit progresist të shoqërisë që duhet të ecë vetëm para, por a do ta ketë njeriu fytyrën e vet në këtë ecje apo jo, nuk ceket e as nuk përmendet nga shekullaristët, që shpesh janë më katolikë se papa kur mbrojnë me patos atë që deri dje e mallkonin, perëndimin shekullar dhe dekadent.
Sot jetojmë ose, të paktën, besojmë se jetojmë në një shoqëri të lirë, ku secili bën zgjedhjet e veta mbi mënyrën e të jetuarit. Cilado qoftë zgjedhja, si tradicionalistët dhe shekullaristët, nuk duhet t’i fryjnë zjarrit të kundërshtive ideore për të mbajtur ndezur një përplasje të panevojshme në shoqëri që mund të prodhojë dhe gjuhën e urrejtjes e armiqësisë. Në vend të kësaj duhen gjetur rrugët e dialogut dhe marrjes e dhënies. Tradicionalizmi dhe shekullarizmi janë zgjatime të dualitetit njerëzor. I pari zgjatim i përmasës shpirtërore. I dyti zgjatim i përmasës materiale. Njeriu nuk duhet të vendosë në konflikt dy përmasat e tij, por duhet të gjejë ekuilibrin mes tyre, ku principet tradicionaliste do ta drejtojnë drejt përmbushjes së dimensionit material në akord të plotë me vlerat morale.