BFI: Qeveria i dha fund problemit 40-vjeçar të medresesë

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut ka përshëndetur endimin e Qeverisë për të miratuar propozim-ligjin e shumëpritur që rregullon statusin e shkollave të mesme fetare, duke i hapur rrugë njohjes formale të Medresesë “Isa Beu” dhe diplomave të saj.
Sipas njoftimit zyrtar të BFI-së, me këtë vendim përfundimisht zgjidhet një padrejtësi historike që e ka shoqëruar Medresenë që prej themelimit të saj në vitin 1984. Tashmë, kjo shkollë do të funksionojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin për Arsim të Mesëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Medreseja ‘Isa Beu’, me paralelet e saj të shtrira në vend, do të vazhdojë edhe më fuqishëm misionin e saj për arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj në frymën islame”, thuhet në komunikatën e BFI-së.
Kjo ngjarje cilësohet si një njohje e mundit dhe sakrificës shumëvjeçare të pjesëtarëve të komunitetit islam, të cilët, përmes përkushtimit dhe rezistencës, e kanë mbajtur këtë institucion të gjallë për katër dekada.
BFI shpreson që ligji të miratohet sa më parë edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe u bën thirrje të gjithë deputetëve, veçanërisht atyre që përfaqësojnë popullin shqiptar, të japin mbështetjen e tyre pa mëdyshje.
“Është koha që edhe nxënësit e medresesë të ndihen të barabartë në sistemin arsimor dhe të mos ndëshkohen për zgjedhjen e tyre edukative dhe fetare”, përfundon njoftimi i Bashkësisë Fetare Islame.


