Nëndega e BDI-së në Teqe së shpejti i bashkohet VLEN. Zeqiri: Mesazh për ata që harruan popullin

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale, Valon Zeqiri përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar për një takim të realizuar me të rinjtë, respektivisht banorët e lagjes Teqe, në Komunën e Tetovës, njofton gjurme.info.
Sipas informacioneve, të gjurme.info bëhet fjalë për komplet nëndegën e BDI-së e cila nga ish partia e pushtetit do të kalojē nē VLEN, respektivisht do ti bashkangjiten Lëvizjes Besa.
Zeqiri në njoftimin e tij ka thënë se ky takim është porosi për të gjith ish pushtetarët që kanë harruar popullin.
Njoftimi i plotë;
Takim me banorët e lagjes Teqe – Mesazh i qartë për ata që harruan popullin!
Sot patëm një bashkëbisedim të hapur dhe të sinqertë me banorët e lagjes Teqe, ku diskutuam për projektet konkrete që Komuna e Tetovës ka paraparë për këtë lagje të rëndësishme. Shumë prej këtyre banorëve, ish-aktivistë të “Frontit Europian”, u lanë në harresë dhe në mëshirë të fatit nga regjimi i mëparshëm, që i përdori për vota e i braktisi sapo mori pushtetin.
Ne nuk bëjmë anketa për t’i mashtruar njerëzit – ne flasim me punë, me projekte dhe me fakte. Populli nuk harron! Tetova nuk harron! Tetori është afër dhe bashkë do t’u japim goditjen përfundimtare atyre që menduan se mund ta mashtrojnë këtë qytet përgjithmonë.
Në këtë takim mori pjesë edhe deputeti Adnan Azizi, i cili bashkë me ne, dëshmoi se ky ndryshim nuk ndalet!