Izraeli: Ndryshimet e Hamasit për armëpushim janë “të papranueshme”

Izraeli deklaroi të shtunën se grupi palestinez Hamas ka bërë “ndryshime të papranueshme” në një propozim të ndërmjetësuar nga Katari për një armëpushim në Rripin e Gazës.
“Ndryshimet që Hamasi kërkon të bëjë në propozimin e Katarit na u përcollën mbrëmë dhe janë të papranueshme për Izraelin”, thuhet në një deklaratë të Zyrës së Kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Në përputhje me vlerësimin e situatës, kryeministri Netanyahu ka udhëzuar që ftesa për bisedime të ndërmjetme (proximity talks) të pranohet dhe kontaktet për kthimin e pengjeve, mbi bazën e propozimit të Katarit, të cilin Izraeli e ka pranuar, të vazhdojnë”, thuhet më tej.
Sipas deklaratës, ekipi negociator izraelit do të udhëtojë të dielën drejt Katarit për të zhvilluar bisedimet.
Hamasi njoftoi të premten mbrëma se ka dorëzuar përgjigjen e tij për ndërmjetësuesit pas konsultimeve të brendshme me fraksionet palestineze dhe forcat e rezistencës.
Grupi palestinez e përshkroi përgjigjen si “pozitive” dhe theksoi “gatishmërinë serioze për të hyrë menjëherë në një raund negociatash për mekanizmin e zbatimit të marrëveshjes”.
Tel Avivi vlerëson se në Gaza mbahen peng rreth 50 izraelitë, prej të cilëve 20 janë gjallë. Ndërkohë, më shumë se 10.400 palestinezë mbahen në burgjet izraelite, ku përballen me tortura, uri dhe mungesë trajtimi mjekësor, që ka çuar në vdekje të shumta, sipas raporteve të organizatave palestineze dhe izraelite për të drejtat e njeriut.