Fëmijët në Gaza luftojnë çdo ditë për të marrë ushqim për familjet e tyre

Palestinezët luftojnë me urinë për shkak të sulmeve të kryera nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës të bllokuar që nga 7 tetori 2023, raporton Anadolu.
Duke mbajtur tenxhere, enë plastike ose kanaçe, fëmijët që jetojnë në kampin “Nuseirat” në pjesën qendrore të Gazës u drejtohen organizatave bamirëse çdo ditë për t’u sjellë ushqim familjeve të tyre, pavarësisht moshës së tyre të vogël.
Përderisa bombardimet e pamëshirshme dhe vdekjeprurëse intensifikohen në Gaza, familjet po vuajnë nga uria dhe po u mohohen mjetet themelore të mbijetesës, sipas OKB-së dhe agjencive të ndihmës.
Të paktën 4.335 palestinezë janë vrarë dhe 13.300 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria izraelite ka kryer që nga 18 marsi e deri më tani, duke shkelur armëpushimin e arritur më 19 janar.
Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 54.607 ndërsa numri i të plagosurve në 125.341.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.