Pafajësia e fajshme e ekstremistit

Ekstremisti është i burgosuri i iluzionit, peng i nji ideali që ekziston vetëm në mendje apo në libra, ndaj dhe është vazhdimisht i pakënaqur, i parahatshëm gati me çdokënd e me gjithçka.

Në nji thanie të Profetit Muhamed lexojmë: “Kujdes prej ekstremizmit, sepse ajo që i ka shkatërru të tjerët para jush ka qenë bash ekstremizmi!”. Ekstremizmi nënkupton qartazi teprim, humbje ekuilibri, e – për pasojë – edhe humbje harmonie.

 Edison ÇERAJ, Tiranë

Në thelb, qëllimi i ekstremistit është i mirë, por dihet që kjo nuk mjafton.

Nji ekstremist nuk është gja tjetër, veçse nji qenie e dëshpëruar, e pushtuar nga ethet e përsosurisë; nji qenie që kërkon nji realitet apo nji botë të përkryer, pa mëkate, pa gabime apo pa të meta. E nji botë e tillë dihet që është e pamundur “këtu dhe tani” dhe kjo ia shton edhe ma shumë mërzinë, derisa mllefi bahet i pashmangshëm, pikërisht ngaqë kjo është nji përballje me të pamundurën.

Ekstremisti e ka të sigurt humbjen, shpeshherë edhe damet që lë pas.

Historia e ka tregu në shumë raste se ekstremizmi, kur buron nga nji botëkuptim religjioz, lidhet me ngutin apo padurimin me ndërtu parajsën në tokë; ose, kur buron nga nji botëkuptim laik, me ndërtu ma të mirën e botëve (utopia).

Arti i është kundërvu natyrshëm këtij fenomeni, veçmas letërsia. Arti na kujton dramën njerëzore, uljet dhe ngritjet e përhershme të një shpirti në kërkim; pamundësinë e përmbushjes së njeriut këtu. Ja pse Platoni, kur idealizon ma të mirën e botëve, shtetin ideal te “Republika”, i përjashton artistët, pasi këta të fundit prishin punë, ngaqë na kujtojnë pamundësinë e utopisë dhe se sa artificiale është ajo.

Ekstremisti është i burgosuri i iluzionit, peng i nji ideali që ekziston vetëm në mendje ose në libra, ndaj dhe është vazhdimisht i pakënaqur, i parahatshëm gati me çdokënd e me gjithçka.

Në nji thanie të Profetit Muhamed lexojmë: “Kujdes prej ekstremizmit, sepse ajo që i ka shkatërru të tjerët para jush ka qenë bash ekstremizmi!”. Ekstremizmi nënkupton qartazi teprim, humbje ekuilibri, e – për pasojë – edhe humbje harmonie.

Qenia njerëzore nuk mund të jetë kurrë “ideale”, e përsosur, sepse “njeriu është kriju i dobët” (Kurani, 4:28), me të meta, dhe – si i tillë – nuk mundet me ndërtu nji realitet ose nji botë pa të meta, të përsosur. Ajo që mbetet është përpjekja për ma të drejtën e ma të mirën, pa u fiksu kur e drejta/e mira nuk vjen ashtu siç mund ta mendojmë ne.

“Ajo që e bën angazhimin dhe luftën tonë njerëzore e të arsyeshme, ajo që ia jep vulën e maturisë e të qetësisë është bindja se rezultati përfundimtar i çdo gjëje nuk është në duart tona. Detyra jonë është të përpiqemi; rezultati është në dorë të Zotit. Ta kuptosh mirëfilli jetën tënde në këtë tokë do të thotë të bësh përpjekjet e tua pa pasur ambicien për të arritur dhe pushtuar gjithçka, si dhe të jesh i gatshëm të pranosh fatin apo atë që quhet vullneti i Zotit…” (Izetbegoviq)

Pikërisht me këtë të fundit e ka problemin ekstremisti, me vullnetin e Zotit, të cilin e ka fort të vështirë me e pranu. Këtu qëndron ngërçi dhe drama e tij. Ekstremisti ka prirjen e ngulët me kontrollu edhe rezultatin, atë që në thelb nuk është në dorën e njeriut.

Vullneti i Zotit është larmia në krijim, diversiteti, ndër të tjera: njerëz që besojnë dhe mendojnë në mënyra të ndryshme – pikërisht këtë e ka problem ekstremisti, sepse kërkon që të gjithë t’i nënshtrohen nji botëkuptimi, nji rendi dhe nji mënyre jetese.

Ideologji të caktuara, të çfarëdo ngjyre qofshin, si në të kaluarën (komunizmi), ashtu edhe sot (liberalizmi), kanë provu e vazhdojnë me provu me njësu mënyrën e jetesës, siç është rasti me barazinë, por dihet përfundimi. Barazia është padrejtësi në këtë rast. Siç thotë Sollzhenjicini, “njerëzit lindin me aftësi të ndryshme: nëse janë të barabartë, nuk mund të jenë të lirë; e nëse janë të lirë, nuk mund të jenë të barabartë”.

Vetëm në kushte lirie njeriu mund të japë ma të mirën e vet; vetëm në kushte lirie veprimi njerëzor mund të jetë veprim moral, me përgjegjësi vetjake, jo duke u fshehë pas përgjegjësisë kolektive apo shtetërore.

Ikja nga përgjegjësia është ikje nga vetja, refuzim për ta njohur veten; ndrydhje e stolisur me dafinat e rahatisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button