Zelensky akuzon emisarin e Trumpit se po përhap narrativa ruse

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Steve Witkoffin, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës se po “shpërndan narrativa ruse” për luftën, dhe ka theksuar se Ukraina s’do të diskutojë rreth çështjeve territoriale deri në arritjen e një armëpushimi, transmeton “The Guardian”.
“Besoj se zoti Witkoff ka marrë përsipër strategjinë e palës ruse. Mendoj se është shumë e rrezikshme, sepse ai në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme, nuk e di, po shpërndanë narrativat ruse”, ka deklaruar Zelensky.
Ai ka folur po ashtu në lidhje me marrëveshjen e mineraleve të rralla, për të cilën ka thënë se Ukraina mund ta nënshkruajë një memorandum me Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë ditës së enjte (sot).
Ndër të tjera, sipas Zelenskyt, vendi i tij ka fakte se Kina është duke e furnizuar Rusinë me artileri dhe barut.
“Besojmë se përfaqësuesit kinezë janë të përfshirë në prodhimin e disa armëve në territorin e Rusisë”, ka thënë ai gjatë një konference për shtyp në Kiev, ndonëse s’e ka specifikuar se a e kishte fjalën për sisteme të artilerisë apo predha.
Pretendimet e presidentit ukrainas kanë gjasa të dëmtojnë raportet në mes Kievit dhe Pekinit, të cilat tashmë janë në pikë të ulët pasi që autoritetet ukrainase kishin bërë të ditur se shtetas kinezë janë kapur duke luftuar për Rusinë, sipas Reutersit.
“Ne tashmë kemi fakte për këtë bashkëpunim në mes të Kinës dhe Rusisë për të forcuar kapacitetet e tyre mbrojtëse”, ka shtuar Zelensky.
Muajin e kaluar, administrata Trump pati propozuar një marrëveshje të re dhe më të gjerë për mineralet, e cila nuk i ofron Ukrainës asnjë garanci të sigurisë, por i kërkon t’i vendosë të gjitha të ardhurat nga shfrytëzimi i burimeve natyrore nga ndërmarrjet shtetërore dhe private në të gjithë territorin ukrainas brenda një fondi të përbashkët investimi.