Kur ekstremizmi na shitet si vlerë

Mjetet për përhapjen e ekstremizmit janë sot më të përhapura se kurrë. Rrjetet sociale funksionojnë përmes algoritmeve që privilegjojnë përmbajtjet polarizuese. Sa më i fortë emocioni, aq më shumë “shitet lajmi”, aq më e madhe shtrirja. Kjo do të thotë se idetë përçarëse, përjashtuese, nxitëse të urrejtjes – qoftë ndaj emigrantëve, grave, pakicave, fesë apo grupeve të tjera – marrin më shumë vëmendje dhe përforcohen vazhdimisht.

Shkruan: Besim NEBIU, Shkup

Jetojmë në një kohë kur skajshmëritë po bëhen gjithnjë e më tërheqëse. Diskutimet me ton dhe fjalor të moderuar, në të cilat qëllimi është përafrimi me bashkëbiseduesin, po humbin nga popullariteti. Tani, në qendër të vëmendjes janë ata që flasin me zemërim, që përjashtojnë të tjerët dhe që thërrasin me grushtin lart. Ekstremizmi modern nuk është më një kërcënim i largët, një hije e historisë, por një realitet. Ai është bërë pjesë e diskursit politik, është normalizuar në mediat sociale dhe mbështetet nga miliona njerëz të zhgënjyer.

Ky fenomen nuk është i kufizuar në një rajon ose ideologji të vetme. Në të dy anët e Atlantikut, populizmi dhe ekstremizmi retorik ka ndikuar në peizazhin politik dhe e ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si perceptohet politika. Në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump-i ka ndryshuar mënyrën se si flitet në politikë, duke i dhënë legjitimitet një lloj retorike që nxit ndarje dhe përçarje ndërmjet pjesëve të ndryshme të popullatës amerikane. Retorikat e tilla polarizuese, përjashtuese, që nxisin ndarje dhe përçarje, sjellin vota dhe fitore elektorale. Duke qenë se është kështu, diskursi politik është bërë shumë më agresiv. Në Europë, rritja e partive të ekstremit të djathtë është kthyer në fenomen të zakonshëm: në Francë me Marine Le Pen, në Itali me Giorgia Meloni, në Poloni e Hungari me modele të vetëquajtura “joliberale” që vënë në pikëpyetje themelet e sistemit demokratik dhe të shtetit të së drejtës.

E përbashkëta e këtyre prirjeve është zhvendosja e diskursit politik drejt një përkufizimi gjithnjë e më të ngushtë të identitetit dhe përkatësisë në baza përjashtuese. Kërkohet “pastrim” i kombit nga të huajt, nga të ndryshmit. Diskursi i tillë nuk mëton të qeverisë për të gjithë, por të mbrojë vetëm një pjesë të shoqërisë, në kurriz të të tjerëve. Në këtë kuptim, shohim një zbehje të ideve të përbashkëta dhe një rritje të ndarjeve të thella – kulturore, etnike, fetare, politike. Në Indi, kjo gjendje merr një formë tjetër, por me pasoja të ngjashme. Qeverisja e kryeministrit Modi dhe partisë së tij është mbështetur në një ideologji nacionaliste që shpesh vendos në pozitë të vështirë dhe diskriminon komunitetet johinduse, veçanërisht myslimanët. Në Izrael, politikat ndaj palestinezëve janë bërë gjithnjë e më të ashpra e krejtësisht të çnjerëzuara, duke i dehumanizuar ata dhe kështu duke reduktuar hapësirën për dialog dhe zgjidhje të drejtë të konfliktit. Këto nuk janë më vetëm çështje të politikave të brendshme, por shembuj të qartë të një mënyre të të bërit politikë, që qëllimisht dhe haptazi përjashton e nuk përfshin. Shto kësaj edhe ekstremizmin e lindur nga bindje fetare të përdorura për qëllime politike. Grupe të ndryshme e përdorin fenë për ta justifikuar dhunën dhe për të krijuar një atmosferë të mbështetur në frikë dhe urrejtje. Ata krijojnë një përfytyrim të vetëm për botën që nuk pranon asnjë realitet tjetër, përveç të vetit. Ky ekstremizëm ka lënë pasoja të mëdha jo vetëm duke shkatërruar jetët e njerëzve, por edhe duke ndikuar në mënyrën se si e sheh bota fenë dhe marrëdhënien me “tjetrin”. Ky ndikim është shumë më i thellë dhe ka shkaktuar një ndarje të madhe midis njerëzve, duke bërë që të jetë më e vështirë të gjejmë një bazë të përbashkët për të komunikuar dhe të kuptuar njëri-tjetrin.

Në zemër të shoqërive perëndimore, një version tjetër i ekstremizmit po merr hov – ai që përdor gjuhën e lirisë dhe të drejtave, por në të vërtetë mbyll hapësirën për debat. Në disa universitete perëndimore, kultura e ashtuquajtur “e anulimit” (cancel culture) ka bërë që mendimet alternative nga ata të mejnstrimit liberal të stigmatizohen dhe të anashkalohen, në vend që të diskutohen hapur. Në emër të tolerancës, janë krijuar rregulla të pashkruara që pengojnë pyetjen, kritikën ose dyshimin ndaj narrativave dominuese. Edhe ky fenomen është një formë e përjashtimit, edhe pse vjen nga një krah diametralisht i kundërt në rrafshin ideologjik. Kjo na bën ta pyesim veten: a është kjo vërtet tolerancë apo është një mënyrë e re për t’i kontrolluar mendimet dhe fjalët e njerëzve?

Nuk mund ta kuptojmë ekstremizmin pa i analizuar faktorët që e ushqejnë.

Në radhë të parë, ai lind në shoqëritë që përjetojnë pasiguri – qoftë ekonomike, politike ose identitare. Kur njerëzit ndihen të humbur në një botë që ndryshon me shpejtësi, ashtu siç po ndodh sot, e kuptueshme është që të kërkojnë strehë në ide që u japin siguri, përkatësi dhe shpjegime të thjeshta për probleme jo edhe aq të thjeshta!

Ekstremizmi e ofron pikërisht këtë: dikë për ta fajësuar, një të kaluar për ta idealizuar dhe një të ardhme të qartë (sado të rreme) për t’u premtuar!

Mjetet për përhapjen e ekstremizmit janë sot më të përhapura se kurrë. Rrjetet sociale funksionojnë përmes algoritmeve që privilegjojnë përmbajtjet polarizuese. Sa më i fortë emocioni, aq më shumë “shitet lajmi”, aq më e madhe shtrirja. Kjo do të thotë se idetë përçarëse, përjashtuese, nxitëse të urrejtjes – qoftë ndaj emigrantëve, grave, pakicave, fesë apo grupeve të tjera – marrin më shumë vëmendje dhe përforcohen vazhdimisht. Kjo nuk është vetëm çështje teknologjike, por edhe shoqërore: përmes këtij sistemi, krijohen komunitete virtuale që jetojnë në botëra të mbyllura, ku ideja tjetër nuk haset më as si kundërshtim, por si rrezik.

Ekstremizmi nuk është më vetëm një dukuri e margjinës. Në shumë vende, ai është bërë pjesë e diskursit qendror. Politikanë kryesorë adoptojnë gjuhën e përjashtimit për të fituar vota. Media e trajton retorikën ekstreme si një pikëpamje mes të tjerash, duke e vënë në të njëjtin nivel me mendimet e bazuara në fakte e analiza. Dhe, shoqëritë, ngadalë, mësohen me këtë normalitet të ri.

Përballë këtij realiteti, duhet të ngrihet një reflektim serioz: si mund të ndërtojmë rezistencë ndaj kësaj prirjeje? Cilat janë mjetet që mund t’i përdorim për t’i ruajtur hapësirat e përbashkëta, për ta rikthyer besimin në institucione, për të ndërtuar politika që nuk ndërtohen mbi ndarje, por mbi përfshirje?

Përgjigjja nuk është e thjeshtë, por ka disa drejtime të qarta. Së pari, arsimi duhet të mbajë një rol thelbësor – jo vetëm përmes transmetimit të dijes, por përmes zhvillimit të mendimit kritik dhe të ndjeshmërisë sociale. Së dyti, mediat dhe platformat digjitale duhet të mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si përhapin informacion dhe ndikojnë në formësimin e opinionit publik. Së treti, politika ka nevojë për figura që flasin me përgjegjësi, jo me retorikë të ndezur. Dhe, së fundmi, secili prej nesh ka një rol për të luajtur – në mënyrën si flasim, si dëgjojmë, si i ndërtojmë marrëdhëniet tona me të tjerët.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button