Mickoski propozoi marrëveshje për tregti të lirë me SHBA-në

“Doganat prej 33 për qind që na vendosën SHBA-të ishin të pritshme. Kjo ishte e qartë menjëherë pas inaugurimit të presidentit Donald Trump dhe ai e tha këtë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
“Asnjë vend në Evropë nuk ishte i përgatitur për këtë dhe askush nuk ishte përgatitur më herët. Kur problemi paraqitet, ulesh në tryezë dhe bisedon,” tha Mickoski.
Ai shtoi se në tarifarin tonë doganor, për disa grupe produktesh kemi dogana ndaj SHBA-ve më të larta se 60 për qind.
Mickoski theksoi se ka propozuar nënshkrimin e një marrëveshjeje për tregti të lirë me SHBA-të. “Që në janar, me zëvendës-ndihmës sekretarin e atëhershëm të shtetit, Alexander Kasanoff, kemi biseduar për nënshkrimin e një marrëveshjeje bilaterale në kuadër të Dialogut Strategjik midis dy vendeve, në pjesën e ekonomisë dhe tregtisë. Që atëherë kemi nisur, duke ditur se do të pasojnë procese të tilla. Mendoj se ishte rruga e duhur që nisëm të ecim. Më vonë, si pjesë e këtij procesi nga ana jonë u propozua nënshkrimi i një marrëveshjeje për tregti të lirë me SHBA-të dhe heqja e doganave. Kam dhënë urdhër që institucionet përkatëse të shqyrtojnë nëse mund të nënshkruajmë një marrëveshje të tillë, në përputhje me marrëveshjet ekzistuese dhe të njëjtën gjë ia propozova sekretarit amerikan për Tregti, Howard Lutnick,” tha Mickoski në një intervistë për TV Alfa.
Ai shtoi se për këtë temë në Bruksel ka biseduar edhe ministri i jashtëm Timço Mucunski me sekretarin Lutnick, si dhe me një tjetër përfaqësues të lartë të Shtëpisë së Bardhë, përgjegjës për Ballkanin.
“Kjo është përshëndetur nga të gjitha anët si një ide e shkëlqyer. Nëse është e mundur dhe nëse e realizojmë, kjo do të ishte një hap i jashtëzakonshëm përpara që do të konfirmonte dhe vuloste partneritetin strategjik,” tha Mickoski.
Për doganat amerikane ndaj BE-së në vlerë prej 20 për qind, Mickoski tha se ato do të kenë efekte dytësore mbi ekonominë tonë, sepse nuk ka rëndësi vendi i origjinës, por ku shkojnë paratë.
“Pres që dialogu ndërmjet BE-së dhe SHBA-ve, i cili do të zhvillohet në periudhën që vjen, të rezultojë me një marrëveshje dhe të gjejnë një mënyrë për të dalë nga kjo situatë. Kjo është rreziku më i madh, sepse në thelb në vitin 2024, sipas të dhënave të Entit tonë Shtetëror të Statistikave, kemi eksportuar mallra në SHBA në vlerë prej rreth 110 milionë eurosh, ndërsa kemi importuar 180 milionë euro, pra kemi deficit. Këtë vit, në janar, kemi pasur suficit – kemi eksportuar rreth 21 milionë euro dhe kemi importuar 12 milionë euro. Produkti që eksportojmë më së shumti janë autobusët që prodhohen nga një investitor i huaj në Shkup. Ata janë me origjinë nga këtu, por vendi shitës është Belgjika, sepse atje ndodhet selia e kompanisë,” shpjegoi Mickoski.