Çka asht Dashnia?

Për aq kohë sa kjo Tokë nuk rroket me Dashni, Dinjitet, Drejtësi e Mirësi, ka për të qenë sa e huaj aq e mallkuar. Për aq sa shqiptarët të kenë në krye prijës që shohin veç xhepat dhe nallanet e tyre, ka për të qenë përherë e vështirë vazhdimësia e jetës së dinjitetshme këtyre anëve.
Fjolla SPANCA, Mitrovicë
Nji tufë flokë bore që e mbulon Tokën n’agshol?! Ose ca riga shiu diku, në muzg të vonë? Nji degë Fiku a nji rranjë Ullini? Buka e kallamojtë â Uji i Bunarit? A ndofta, paqtimi i paprekun prej xinglave t’dinarit?
• Duke rrëmih me gishtërinj kryefill, ndën rrënjë e rrëfime, zemra përpiqet ta gjejë, një grusht me shpjegime, mbi pikëpyetjet që u çelën prej Qitapit me Premtime:
Dashnia asht Fjalë, Andërr e Mall!
asht krahnori i gruas që e arnon kasollen me trandofila e kokrra shegësh … Dashni asht fjalë e burrit që ngjyhet me mjaltë gështenjash për ta amëlsue kosin e thartum dhe insanin e idhnum …
Dashni asht Zemra që rroket kah Fillimi.
as lindja as perendimi
veç Shpirti i Naltë
që soset n’hojëza t’kojshme Menimi!
Po atdheu, cili është?
Para ca javësh, një çift artistësh teksa gjegjeshin për hesap të një emisioni investigativ, të zënë ngushtë prej rrethanave aspak dinjitoze, thanë se edhe mund të kishin zgjedhur ikjen, pra të jetonin bashkë me fëmijët e tyre si mbret, diku tjetër, larg këtij vendi “të ndyrë e të poshtër.”
Hmmm. Në të tilla situata, një lëmsh idhtas e zapton stomakun se s’do mend që shija e fjalëve është e rëndë sa xehroret e një nëntoke të tërë. Të kesh çuar jetën në një copëz Toke që më vonë të përdëftohet e ndyrë dhe gjithaq e poshtër, njëmënd mund të emnohet tragjedi. Tek e mrama, njeriu në aq vite frymë sa hapëron për e nëpër Kohë, përpiqet e mundohet t’i gjej vetës hapësirë, aq sa për t’i çelur dhuntitë e së Bukurës që i janë falur qysh në krye të herës. Njeriu, në të thellat mistere shpirtnore, ëndërron prehjen në një aso djepi, të cilit ja mbanë mend edhe ernat e ninullave të të parëve. Përkatësia shpirtnore tejpërshkon çdo kufi e nahije. Ka diçka që qëndiset me aromë shtëpie. Të jesh aty ku do kesh edhe paqtimin e përkohshëm dhe të përkorë, afërmendsh është gjallëri e fisme. Megjithatë, kur dorëzohen dashuronjësit e së Bukurës, ata që matanë pamundësish e barrikadash gjejnë kapexhik për të afruar Dashninë me Pafundësinë; në mejdan, sa gjerë aq gjatë, nusnohet idhtas, pyetja e mrrolun, në e kanë dashtë ata/ato shpirtnisht të Bukurën a në e kanë përdorur Atë, për hesap egosh e dinarësh?!
Atëherë, çfarë në të vërtetë e zvetënoi rrezen e shpresës mbi atdheun e shqiptarëve?
… shpia e parë,
i mbanë n’kujtime
edhe shkronjat që i ke knue,
dikur me gabime. 2025.
Sofra e munguar okolla oxhakut ku dikur shtroheshin pa hile e pa hije menimet për ç’e keqe e priste vatanin dhe si mund të vihej në grep filli i ditëve më të lehta, tashmë dëfton dhimbshëm dhe pa zë zallamahinë e një moti që nuk njeh taban e rrënjë.
Lufta dhe epja e pafre për ta lënë në harresë çdo grimcë së mëmëdheut, veç dehjes mbas Perëndimit dhe mohimit fundamental të Lindjes, në të vërtetë kallëzon rrymimin e pakthyeshëm të një brezi që nuk bën por as gjenë rehat n’shtat të vetin; një brez që në çdo pulitje sysh bashkë me ikjen maratonomake prej atdheut, merr me vete edhe zhgënjimin, trishtimin, mërzinë e pafuqinë; forcën e kurrëgjetur për ta farkëtuar ndryshe, fatin e shekujve të heshtur. Dyzimi mes ç’ka mbetur brenda nesh dhe asaj që duam të rrokim matanë, pamëshirshëm prapton të gjitha nyjet e mbamendjes.
Ndërkaq, flama e tëhuajsimit dhe përbuzjes së të shkuarës gjithnjë në kërkim “të neutralitetit pa ojë e bojë” që sot qesëndiset lirshëm prej agjendash numerikisht të sakta por njerëzisht shtërpe, ka bërë që njeriu i “motit të asgjësë” zig-zag të kalamendet veç në grykesinë e pasosur të mendimit bosh.
Padyshim, në çorbën e një populli ku qari e qederi punojnë bashkë, s’do jetë kurrë e lehtë me u nda shapi nga sheqeri. Andejpari, Shpirti jeton bashkë më ajrin e rënduar nga lagështitë e tepruara – peshqesh prej lakmie e zilie. Shpirti, në të tilla shoqëri, as ka gurbet as ka shtëpi. Shpirti, i zënë ngushtë nga gradaçelat e nisuna dhe bitisuna me dinarë të grumbulluar në kurriz të vdekjes; zor se mësohet me tymnajat e rreme të lavdisë së rreme. Është koha e fabrikimit të lumturisë përmes fotografish që përcjellin lumturinë e sekondit dhe përvujtninë e shekullit. Koha e përhumbjes së Arsyes dhe Kritikës së kulluar. Ose, me gjasë, kjo edhe mund të jetë Koha, e Premtuar për veçim.
Unë po e thej qafën n’bostan
(Vukovc, Drenicë)
Ni zot shpije jau dajke punët mashkujve t’shpisë nadje. Gjithherë punët ma t’lehta për veti dajke. Ni ditë po u thotë:
– Ti ke me shkue me berre, ti shko n’mulli, ju dy shkoni n’arë e unë po shkoj e po e thej qafën n’bostan.
(Anton Cetta. Nga folklori ynë.)
Shqiptarët e të gjitha trevave, prej kohësh, po përballen me ndryshime demografike, padiskutueshëm të rëndësishme dhe alarmuese. Projeksionet demografike tregojnë se brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore, vitaliteti që karakterizonte hapësirën shqiptare në kontekstin ballkanik mundet të pësojë transformime thelbësore. Plakja e popullatës, e kombinuar me valët e vazhdueshme të emigracionit, pritet të gjenerojë pasoja strukturore afatgjata, duke ndikuar kështu në potencialin ekonomik, sistemin e mirëqenies sociale si dhe shpërndarjen gjeografike të komuniteteve shqiptare.
Në dimensionin e rikonfigurimit politik, Shqipëria, pavarësisht aspiratave, demonstron kufizime të konsiderueshme në kapacitetin e saj për të artikuluar dhe mbrojtur interesat e përbashkëta të hapësirës shqiptare. Kjo situatë mund t’i atribuohet pragmatizmit politik të elitave drejtuese, që shpesh orientohen sipas interesave afatshkurtra elektorale dhe jo sipas një vizioni strategjik kombëtar. Racionaliteti politik kaherë është sakrifikuar në favor të retorikës populiste që synon vetëm konsolidimin e pushtetit të brendshëm.
Identiteti shqiptar, në kontekstin e globalizmit bashkëkohor, ekspozon një dialektikë komplekse midis tendencave integruese europiane dhe imperativit për ruajtjen e substratit kulturor autokton. Kjo dialektikë nuk shfaqet thjesht si tension, por si një proces i vazhdueshëm negocimi ku elementet identitare rivlerësohen përballë strukturave të reja transnacionale.
Zhvillimet në arenën ndërkombëtare – manifestuar përmes konflikteve gjeopolitike me implikime globale – kanë vënë në pah asimetri të thella në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke hipotetizuar një epokë tranzicioni kompleks dhe potencialisht destabilizues. Në kontekstin global, shqiptarët, të rraskapitur nga dukuritë endemike të korrupsionit institucional dhe pabarazisë ekonomike, vazhdojnë të përballen me një dilemë socio-politike fundamentale: pra, dualizmi midis migrimit si zgjidhje individuale apo riinvestimi i besimit në proceset demokratike, duke mbështetur forca politike që, pavarësisht mungesës relative të eksperiencës, premtojnë të ofrojnë integritet dhe vizion transformues!?
Në anën tjetër, riorientimi i politikës së jashtme amerikane nën administratën e re presidenciale ka gjeneruar një ristrukturim të dinamikave gjeopolitike rajonale. Në këtë kontekst, dhe duke konsideruar trajektoret komplekse të rivalitetit strategjik midis Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian, Kinës dhe Rusisë, konsolidimi i shtetësisë së Kosovës shfaqet si imperativ ekzistencial që tejkalon përplasjet politike të brendshme. Ndërkohë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, tashmë si forcë politike relativisht e konsoliduar, pritet që të angazhohen në një proces të rivendosjes së barazisë substanciale brenda strukturës shtetërore që historikisht ka manifestuar kufizime në vizionin multikulturor dhe gjithëpërfshirës.
Çfarë mbetet atëherë, peng për Atdheun?
Mbi të gjitha, Dashnia. Për aq kohë sa kjo Tokë nuk rroket me Dashni, Dinjitet, Drejtësi e Mirësi, ka për të qenë sa e huaj aq e mallkuar. Për aq sa shqiptarët të kenë në krye prijës që shohin veç xhepat dhe nallanet e tyre, ka për të qenë përherë e vështirë vazhdimësia e jetës së dinjitetshme këtyre anëve. Në përjetim të një amaneti hyjnor se gjendja e një populli nuk ndryshon për pa ndryshuar ata vet-veten, le të jetë shpresa e vetëndërrimit – direku ku shqiptarët do rrokën për ta parë ndryshe botën, jetën dhe veten.