Turqia dënon bombardimin e spitalit të kancerit në Gaza nga Izraeli

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, Ankaraja dënon ashpër shkatërrimin e Spitalit të Miqësisë Turko-Palestineze nga Izraeli, i cili ishte ndërtuar nga Turqia dhe menaxhohej nga autoritetet lokale si një qendër trajtimi për pacientët me kancer.
Deklarata thekson: “Sulmi i qëllimshëm ndaj një spitali që ofron shërbime shëndetësore për civilët në Gaza është pjesë e politikës së Izraelit për ta bërë Gazën të pabanueshme dhe për të zhvendosur me forcë popullin palestinez.”
Ministria turke gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar “të ndërmarrë masa konkrete dhe parandaluese kundër sulmeve të paligjshme të Izraelit dhe terrorizmit të tij shtetëror sistematik.”
Deklarata theksoi se ata që “janë përgjegjës për gjenocidin e vazhdueshëm në Palestinë,” përfshirë Kryeministrin Netanyahu, “herët a vonë do të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit ndërkombëtar.”
Spitali, i cili ndodhej në Korridorin Netzarim pranë Rrugës Salah al-Din, ishte përdorur më parë si qendër komanduese nga forcat izraelite gjatë ofensivës së tyre ushtarake në Gazën qendrore dhe veriore.
Më herët sot, ai u hodh plotësisht në erë, pasi ishte rindërtuar me një donacion turk prej 34 milionë dollarësh në vitin 2017.



