Rusia: Ka vetëm një të vërtetë, duhet të krijohet shteti i Palestinës
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov tha se në Rripin e Gazës duhet të sigurohet armëpushim i përhershëm për të formuar shtetin e Palestinës, transmeton Anadolu.
Në një fjalim të mbajtur në Këshillin e Federatës, Dhomën e Lartë të Parlamentit rus Lavrov tha se në Gaza duhet të zgjidhen problemet lidhur me ndihmën humanitare. “Armëpushimi duhet të sigurohet në mënyrë të përhershme jo vetëm për zgjidhjen e çështjeve të ndihmës humanitare, por edhe për t’u marrë me problemin lidhur me krijimin e shtetit të Palestinës i cili nuk mund të zgjidhet prej 75 vitesh”, tha ai.
Lavrov tërhoqi vëmendjen lidhur me deklaratën e Izraelit se dëshiron të eliminojë plotësisht Hamasin dhe theksoi se për këtë ka dyshime se sa realiste është kjo, madje edhe në Perëndim, në botën arabe dhe në Izrael.
“Ka vetëm një të vërtetë: Duhet të krijohet shteti i Palestinës në kuadër të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB). Ky duhet të jetë një shtet i vetëm dhe i pavarur brenda kufijve të vitit 1967 me kryeqytet Kudsin Lindor, në të cilin do të jetohet në paqe dhe siguri me Izraelin”, deklaroi Lavrov.
Kryediplomati rus theksoi se SHBA-ja po përpiqet ta realizojë e vetme këtë dhe se kjo është e pamundur. “Edhe nëse ata (amerikanët) mund të bëjnë diçka, ajo nuk do të zgjasë shumë dhe nuk do të sjellë paqe dhe prosperitet as për palestinezët dhe as për izraelitët”, tha Lavrov.
Ai shtoi se mënyra e vetme për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë të drejtë dhe të përhershme është mbajtja e një konference ndërkombëtare në të cilën duhet të marrin pjesë 5 anëtarët e përhershëm të KS-OKB-së, përfaqësues të Ligës Arabe, Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Vendeve Arabe të Gjirit.
“Sigurisht që OKB-ja duhet të luajë rol udhëheqës në organizimin e një konference të tillë. Shpresoj që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres do të ndërmarrë iniciativë në këtë drejtim”, tha ministri i Jashtëm rus, Lavrov.



