Rutte: Ajo që ndodhi në BeH dhe Kosovë, nuk duhet të ndodhë më kurrë

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Mark Rutte, i cili sot pritet të qëndrojë për vizitë në Kosovë, ka thënë se janë në komunikime të vazhdueshme me krerët e shtetit në Kosovë dhe ata në Bosnjë e Hercegovinë, por edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që tensionet në rajon të ulen.
Ai në një intervistë për për Al Jazeera Balkans, tha se Kosova është një shtet shumë i rëndësishëm, ku prania e NATO-s është e fortë, përmes trupave të KFOR-it.
“Kosova është vend shumë i rëndësishëm, ku NATO ka prezentë të fortë përmes KFOR-it. Është e rëndësishme të angazhohemi të gjithë që ky shtet të jetë në situatën më të mirë të mundshme. Atje ka pasur zgjedhje dhe do të shohim si do të formohet Qeveria e re. Gjithë kjo është pjesë e një procesi normal demokratik, gjë që është e mirë. Por në të gjithë rajonin situata po ndryshon. Jam në komunikime intensive, jo vetëm me krerët e Kosovës dhe ata të Bosnjë e Hercegovinës, por javën e kaluar kam biseduar edhe me Vuçiqin, që javën tjetër pritet të jetë së shpejti në Bruksel. Pra, komunikimet janë intensive që tensionet në rajon të ulen”.
Duke folur për rritjen e tensioneve në rajon, Rutte tha se ajo çka ka ndodhur në Bosnjë dhe Herecegovinë nga viti 1992 deri në vitin 1995, dhe në Kosovë deri në vitin 1999, nuk guxon të përsëritet kurrë më.