Historia që Izraeli u përpoq ta shkatërrojë në Gaza po nxirret nga rrënojat me “duar”

Ministria e Vakëfeve në Gaza po përpiqet të gjejë dhe të nxjerrë nga mesi i rrënojave historinë që Izraeli shkatërroi.

Sipas të dhënave të shpallura nga Ministria e Vakëfeve më 18 shkurt, Izraeli ka shkatërruar plotësisht 834 nga 1244 xhamitë në Gaza dhe ka shkatërruar pjesërisht 275 prej tyre.

Xhamia e Madhe Omari dhe biblioteka e saj, e njohur si xhamia më e madhe dhe më e vjetër në Rripin e Gazës, u dëmtuan rëndë nga këto sulme. Biblioteka e cila mbylli dyert e saj për vizitorët kur filluan sulmet në tetor 2023, u shkatërrua në një sulm më 8 dhjetor 2023 ndaj Xhamisë së Madhe Omari, e cila ka një histori rreth 1.400 vjet, në qytetin e Gazës në veri të Rripit të Gazës.

Aktualisht një ekip teknik i lidhur me Ministrinë e Vakëfeve po bën përpjekje të shpëtojë “me duart e saj” trashëgiminë historike dhe fetare dhe që të nxjerrë dorëshkrimet, dokumentet dhe mijëra libra të rrallë 5-7 shekullor nga Biblioteka e Xhamisë së Madhe Omari, biblioteka e tretë më e madhe në Palestinë.

Puna e përpiktë e kryer “me dorë” për historinë

Hanin el-Amassi, drejtoresha e Ekipit të Restaurimit të Koleksionit të Dorëshkrimeve të Xhamisë Omari, foli për Anadolu për luftën e tyre për të shpëtuar dorëshkrimet dhe koleksionet e tjera në Bibliotekën e Xhamisë Omari.

El-Amassi tha se deri më tani, nga rrënojat në bibliotekë ata kanë hequr 123 nga 228 dorëshkrime dhe 36 nga 78 dokumente. Duke vënë në dukje se gjendja e dorëshkrimeve ishte “e mjerueshme”, Amassi tha se këto vepra të cilat mbetën nën rrënoja për 500 ditë po kalben për shkak të lagështisë.

– Nga gjenocidi i Izraelit u prekën edhe dorëshkrimet

Amassi tha se në bibliotekë kishte dorëshkrime 500 deri në 700 vjeçare, që datojnë nga mamlukët deri në periudhën e vonë osmane. Ndërsa për dëmet e shkaktuara nga Izraeli ndaj tyre ajo deklaroi se “Njerëzit, strukturat dhe madje edhe dorëshkrimet iu nënshtruan gjenocidit”.

Ajo thekson se si Departament i Dorëshkrimeve të Ministrisë së Vakëfeve, ata aktualisht janë duke punuar në nxjerrjen e dorëshkrimeve dhe se më pas do të përpiqen t’i ruajnë këto vepra dhe t’i kthejnë ato në gjendjen e paraluftës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button