Ançeloti arsyeton zëvendësimin e Mbapes: Do të na ndihmojë gjatë ditës së mërkurë

Fitorja ndaj Rajo Valejkanos e riktheu Real Madridin në krye të La Liga-s, edhe pse Barcelona ka golaverazh më të mirë dhe duhet të luajë ende ndeshjen e shtyrë ndaj Osasuna.
“Ndjesia është e mirë, qëllimi ishte të merrnim tri pikët. Pjesa e parë ishte shumë e mirë, ndërsa në të dytën loja u bë pak më e komplikuar. Patëm disa mundësi për ta thelluar avantazhin në 3-1, por kur arrin në minutat 70-të ose 75-të me rezultatin 2-1, duhet të mbrohesh mirë dhe të shmangësh problemet.
E kuptoj që tifozëve nuk iu ka pëlqyer pjesa e fundit e ndeshjes, por të gjitha ekipet që luajnë në Ligën e Kampionëve patën vështirësi gjatë fundjavës: Interi, Liverpool-i, Bayern Munich… Pastaj, edhe Rayo luan me shumë intensitet,” tha Ançeloti pas ndeshjes.
Ndërkohë trajneri italian u ndal edhe në çështjen e Mbapes.
“Shënoi një gol spektakolar. Luajtëm shumë mirë deri në minutën e 70-të, mund të kishim shënuar golin e tretë. Kur mendoj se duhet të mbroj, i heq sulmuesit. Nuk është problem, do të na ndihmojë në ndeshjen e të mërkurës. Kylian është mirë, shënoi një gol spektakolar, luftoi. E ka bërë shumë mirë punën e tij,” tha në fund italiani.