Lista Serbe: Rashiqi – shërbëtor i Kurtit që uzurpoi mandatin me votat e shqiptarëve

Lista Serbe ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq të cilët thanë se kjo parti ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, i cili ka ndërhyrë në zgjedhjet e 9 shkurtit me anë të një liste të përpiluar, në të cilën ndodheshin emrat e shtatë kandidatëve të Listës Serbe që duhet të votoheshin në këto zgjedhje.
Në reagimin e saj, Lista Serbe është shprehur krenare që ka mbështetjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se “falë kësaj mbështetjeje serbët në Kosovë mbijetojnë në këto hapësira”.
Kjo parti tutje e ka akuzuar Rashiqin si shërbëtor të Kurtit, që dëshirojnë “të dëbojnë gjithçka serbe”.
“Lista Serbe është krenare që ka marrë mbështetjen më të madhe të popullit serb dhe që, pavarësisht të gjitha presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve, ka arritur të qëndrojë falë unitetit dhe solidaritetit të popullit tonë, duke treguar edhe një herë se nuk ka dorëzim! Po ashtu, jemi krenarë që qëndrojmë nën flamurin serb dhe kemi mbështetjen e presidentit Aleksandar Vuçiq, sepse falë kësaj mbështetjeje, serbët mbijetojnë në këto hapësira, ndërsa Rashiq qëndron përkrah Kurtit, i cili dëshiron të dëbojë gjithçka serbe. Pas kësaj konference, është e qartë për të gjithë se ata që sulmojnë Vuçiqin dhe kërkojnë dorëheqjen e tij janë zgjatime dhe shërbëtorë të Albin Kurtit, të cilët dëshirojnë që të mos ketë më serbë në Kosovë dhe M.”, thuhet në reagim.
Kjo parti tutje ka akuzuar Kurtin dhe Rashiqin për gënjeshtra brutale dhe se ky i fundit e ka uzurpuar mandatin me vota të shqiptarëve.
“Rashiq sot u vendos nën hijen e Albin Kurtit, me të cilin ka kurdisur plane për të uzurpuar institucionet serbe dhe i ka treguar gjithë botës se ai kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë përfaqësues i popullit serb. Për ta bërë situatën edhe më të keqe, si ish-ministër për komunitetet dhe kthimin, ai ka dalë kundër të drejtës së serbëve të zhvendosur për t’u kthyer në Kosovë dhe M., dhe për të ushtruar të drejtën e tyre themelore njerëzore dhe politike për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Kjo do të mbetet e regjistruar përjetësisht, ashtu si fakti që Rashiq është një serb që ka votuar që serbët dhe shteti i Serbisë të shpallen gjenocidalë, që ka mbështetur konfiskimin e tokës serbe dhe ka ftuar të rinjtë serbë të bëhen ushtarë të Kurtit”, ka shtuar kjo parti.