Aktori i “The Crown” dhe i mbijetuari i Holokaustit thirren në polici pasi morën pjesë në marshimin për Palestinën

Policia Metropolitane e Londrës ka thirrur për të dhënë deklarata aktorin Khalid Abdalla, i cili luan rolin e Dodi Al Fayed në serialin televiziv “The Crown” dhe 87-vjeçarin e mbijetuar të Holokaustit, Stephen Kapos, të cilët morën pjesë në një marshim në mbështetje të Palestinës ku u bënë arrestime të shumta, transmeton Anadolu.

Në postimin nga llogaria e tij në X, Abdalla tha se ai u thirr për të dëshmuar së bashku me një grup protestuesish, përfshirë të mbijetuarin e Holokaustit, Kapos, i cili mori pjesë në protestën në mbështetje të Palestinës më 18 janar.

Abdalla theksoi se kishte marrë një letër nga Policia Metropolitane e Londrës që e thërriste për të dhënë deklaratë. “Liria për të protestuar është nën sulm në këtë vend. Ne të gjithë duhet të mbrojmë lirinë për të protestuar”, shtoi ai.

Më tej Abdalla tha se ata që ngrenë zërin pavarësisht spastrimit etnik kundër palestinezëve po censurohen. “Këto nuk do të funksionojnë. Periudha e heshtjes përballë provokimeve ka mbaruar. Pamë që me fitimin e Oscarit për “No Other Land” fuqia e atyre që qëndrojnë pranë drejtësisë dhe njerëzimit po rritet”.

Në një deklaratë nga Fushata e Solidaritetit të Palestinës (PSC) e cila organizoi protestën e paautorizuar më 18 janar, ku policia bëri arrestime të shumta, njoftoi se për të dhënë deklaratë u thirrën Abdalla dhe Kapos si dhe drejtuesit e “Stop the War Coalition” Linsey German, Alex Kenny, Andrew Murray, Sekretarja e Përgjithshme e “Fushatës për Çarmatimin Bërthamor” Sophie Bolt dhe Ismail Patel kreu i “Miqtë e Aksasë”.

Në deklaratë rikujtohet se drejtuesi i Koalicionit “Stop Luftës”, Chris Nineham u arrestua më 18 janar, ndërsa kryetari i PSC, Ben Jamal, ish-udhëheqësi i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn dhe deputeti John McDonnell u thirrën për të dëshmuar menjëherë pas protestës.

“Këto hapa u ndërmorën me presionin e politikanëve që mbështesin Izraelin gjenocidal”, thuhet në deklaratën ku përfshihet edhe arsyeja e thirrjes së Kapos për të dëshmuar.

Sipas kësaj, u pretendua se Kapos u thirr për të dëshmuar sepse mbante në dorë një tufë lulesh. Policia e Londrës tha se gjithsej tetë persona u thirrën për të dhënë deklarata si pjesë e një hetimi për shkelje të ligjit të rendit publik.

Itinerari dhe data e marshimit në mbështetje të Palestinës që u mbajt në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër më 18 janar, ishin njoftuar muaj më parë. Mirëpo, policia ditë para protestës tha se nuk do të lejonte protestën pasi në itinerarin ku ishte mbajtur dy herë marshimi vitin e kaluar kishte sinagogë.

Grupet organizatore të protestës deklaruan se në itinerar nuk kishte sinagogë dhe se do të protestonin në të njëjtën rrugë si në të kaluarën, por përpjekjet e tyre rezultuan të pasuksesshme.

Protestuesit të cilët u mblodhën pas kësaj para Kryeministrisë u përpoqën të ecnin mbrapsht gjatë rrugës së paralajmëruar më parë dhe të shkonin para BBC-së.

Policia pengoi marshimin dhe arrestoi më shumë se 70 protestues.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button