Udhëheqësi i Egjiptit dhe ai i Jordanisë theksojnë nevojën për të rindërtuar Gazën pa zhvendosur palestinezët
![](https://alfax.mk/wp-content/uploads/2025/02/egjipt-780x470.jpg)
Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe mbreti i Jordanisë Abdullah II theksuan nevojën urgjente për të filluar rindërtimin e Gazës pa zhvendosur palestinezët, transmeton Anadolu.
Dy udhëheqësit riafirmuan qëndrimin egjiptiano-jordanez, duke theksuar zbatimin e plotë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, vazhdimin e lirimit të pengjeve dhe të burgosurve dhe lehtësimin e dërgesave të ndihmave humanitare për të lehtësuar vuajtjet në enklavën e rrethuar, thuhet në një deklaratë të presidencës egjiptiane pas një bisede të tyre telefonike.
Telefonata pasoi takimin e mbretit Abdullah me presidentin e SHBA-së Donald Trump në Washington.
Përveç kësaj, ata kanë nënvizuar domosdoshmërinë e përpjekjeve të menjëhershme të rindërtimit në Gaza duke siguruar që palestinezët të mbeten në atdheun e tyre.
Dy udhëheqësit u zotuan gjithashtu të punojnë ngushtë me Trumpin për të arritur paqen e qëndrueshme në Lindjen e Mesme, duke mbrojtur një rrugë që çon në krijimin e një shteti të pavarur palestinez të bazuar në kufijtë e 4 qershorit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet.
Jordania dhe Egjipti po përballen me presion në rritje të SHBA-së për të pranuar palestinezët pasi Trump bëri thirrje për marrjen e kontrollit të Gazës dhe zhvendosjen e palestinezëve, një ide e refuzuar me forcë nga palestinezët dhe liderët arabë.
Ndërsa priti mbretin jordanez në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha të martën se do ta “marrë” Gazën nën autoritetin e SHBA-së dhe do ta zhvillojë atë me hotele, ndërtesa, zyra dhe infrastrukturë tjetër.
Izraeli e ka kthyer Gazën në burgun më të madh të hapur në botë, duke mbajtur një bllokadë 18-vjeçare dhe duke detyruar afro 2 milionë nga 2,3 milionë banorët e saj të zhvendosen mes mungesës së madhe të ushqimit, ujit dhe ilaçeve për shkak të kufizimeve të qëllimshme.
Propozimi i Trumpit për të zhvendosur palestinezët erdhi në mes të një marrëveshjeje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi në Gaza më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila ka vrarë më shumë se 48.200 njerëz dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.