Itali, policia arreston mbi 180 persona në operacionin kundër mafias në Siçili

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka bërë të ditur se policia italiane ka arrestuar mbi 180 të dyshuar gjatë një operacioni kundër mafies siçiliane në provincën Palermo, transmeton Anadolu.
Meloni e përshkroi operacionin si “një goditje shumë të rëndë” për mafien siçiliane, e njohur si Cosa Nostra, e cila vepron në Itali prej vitesh.
Siç njoftoi kryeministrja italiane në platformën sociale X, gjatë operacionit të “jashtëzakonshëm” u arrestuan disa bosë.
Sipas mediave italiane, të arrestuarit përballen me akuza të tilla si konspiracion i stilit mafioz, tentativë për vrasje, zhvatje, trafik droge, ndihmë dhe nxitje, vepra penale me armë, krime pronësie, krime ndaj individëve, si dhe lojëra të paligjshme të fatit.
“Krimi i organizuar është në fund, lufta kundër mafies nuk ndalet dhe nuk do të ndalet”, tha Meloni, duke theksuar se disa kriminelë tashmë po planifikojnë të largohen nga vendi.
Ajo theksoi se “mafia duhet të mposhtet me vendosmëri dhe pa asnjë kompromis”, si dhe përsëriti “angazhimin e pamëshirshëm të qeverisë së saj për luftën kundër krimit të organizuar”.