Rama reagon për arrestimin e kryebashkiakut Veliaj: Proces hetimor i çuditshëm
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se me sa ai kupton bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm, transmeton Anadolu.
Në komunikimin e tij në rrjetet sociale rreth pyetjeve të adresuara në platformat e mediave sociale, Rama ka folur për arrestimin e Veliajt dhe çështje të tjera.
“Marrja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla çerek milion zgjedhësh, jo një herë, por tre herë, është një ngjarje tejet e madhe. Me sa kuptoj, këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm”, është shprehur Rama.
Rama ka shtuar se ka kohë që gjërat t’i diskutojnë dhe t’i flasin ashtu si duhet duke u bazuar tek faktet, duke shtuar se lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë pa kompromis, sipas tij majtas dhe djathtas.
“Ngjarja e djeshme (arrestimi i Veliajt) është një ngjarje që do të kërkojë fokusin dhe do të kërkojë konsolidimin e një pozicioni të qartë të Partisë Socialiste duke i dhënë mbështetje të plotë drejtësisë dhe duke kërkuar nga drejtësia standarde të panegociueshme demokratike dhe njëkohësisht për të kuptuar çfarë ka bërë kryetari i bashkisë që duhet hequr nga puna dhe kujt duhet t’ia kërkojë kryeqyteti arsyen pse është lënë pa kokë, pa gjyq”, është shprehur Rama.
Rama ka theksuar se e ka mbështetur dhe do ta mbështesë punën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke shtuar se “Natyrisht, edhe në punën e SPAK-ut ka probleme që nuk shkojnë”.
Duke iu përgjigjur thirrjeve për dorëheqje nga partitë opozitare, por edhe nga qytetarët në rrjetet sociale, Rama është shprehur: “Ma keni kërkuar që kur kam hy në politikë dhe për të më larguar mua nga politika ka vetëm dy rrugë, ose më largon zemra, në qoftë se nuk më rreh mjaftueshmërisht që të më zgjojë të parin në mëngjes ose më largon populli i Shqipërisë”.
Rama më pas ka komentuar edhe momentet e problemeve teknike gjatë fillimit të komunikimit të tij online, ku shikohet që godet tavolinën në zyrën e tij, duke theksuar se “këtu kush nuk nxehet me telefonin, por këtu nuk është punë telefoni, këtu është punë pasioni për Shqipërinë, për drejtësinë, për demokracinë dhe për Evropën këtu në Shqipëri”.
– Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u më 10 shkurt
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar më 10 shkurt, i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa ndaj bashkëshortes se kryebashkiakut Veliaj, Ajola Xoxe, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, e dyshuar për korrupsion, pastrim parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Në Shqipëri janë organizuar për muaj me radhë protesta për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës” dhe me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj.
Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.