Qeveria: Pengimi i ndryshimeve kushtetuese i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm

Qeveria e Maqedonisë së Veriut njofton se dje në Bruksel ka përfunduar procesi i skriningut të shtetit nga BE.
Me këtë është hedhur një bazë solide për vazhdimin e reformave të ardhshme, të cilat do ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut që sa më shpejt të bëhet anëtare e plotë e BE-së, thonë nga Qeveria, transmeton Alfax.
“Falë ndihmës dhe mbështetjes së përfaqësuesve të Komisionit Evropian, u vendos një themel i shëndoshë për zbatimin e mëtejshëm të suksesshëm të proceseve reformuese deri në përputhjen e plotë me standardet evropiane, që do të nënkuptojë edhe anëtarësimin tonë të plotë në BE. Rruga për integrim të suksesshëm evropian të Maqedonisë së Veriut është shtruar dhe nuk duhet lejuar që të pengohen proceset kjo do të thotë largim i vendit nga BE-ja. Me përfundimin e skriningut, Republika e Maqedonisë së Veriut pritet të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të vazhduar dinamikën e negociatave me BE-në. Pranimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet i vetmi parakusht për të ecur përpara, prandaj është e një rëndësie vendimtare që të gjithë aktorët politikë në vend të tregojnë pjekuri dhe të vendosin për të mirën e përbashkët dhe për të ardhmen e begatë të vendit tonë si anëtar i Bashkimit Evropian. . Çdo vonesë dhe pasiguri e negociatave dhe anëtarësimit tonë të plotë është një vendim politik i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm”, thotë Qeveria.Alfax.



