VMRO: Dezertori Xhaferi do të qeverisë vendin

Pas njoftimit të Bashkimit Demokratik për Integrim se kryeministri i ardhshëm teknik do të jetë kryetari aktual i Kuvendit Talat Xhaferi, partia më me madhe maqedonase në opozitë VMRO DPMNE ka reaguar duke e quajtur Xhaferin si dezertor. Ata kritikojnë edhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski që nuk hoqi dorë nga Qeveria teknike, raporton Alfax.
“LSDM ikën me dëmet që i shkakton Maqedonisë. Kovaçevski dezertoi nga ushtria, duke u shtirur si i sëmurë, vetëm për të mos kryer obligimin e tij, ashtu si pasardhësi i tij si kryeministri teknik, Talat Xhaferi, i cili u transferua nga Ushtria në UÇK në vitin 2001.
Despoti i Forinos do të mbahet mend për shkeljet e ligjit dhe procedurës dhe mënyrën e paligjshme të vendosjes së tij në atë vend. Ai hodhi poshtë iniciativat për referendum, duke u vënë në rolin e gjyqtarit suprem dhe kushtetues, pastaj rreshtoi flamujt evropianë në të gjitha ligjet e dëmshme me të cilat kjo qeverisje e BDI-së dhe LSDM-së e vodhi popullin dhe shtetin.
Talat Xhaferi do të mbahet mend edhe për miratimin antikushtetues dhe antiligjor të ligjit për gjuhët dhe një sërë ligjesh të tjera sistematike.
Tani është e qartë pse Kovaçevski nuk hoqi dorë nga një qeveri teknike. Dezertori Kovaçevski do të zëvendësohet nga një dezertor i ri Xhaferi”, kanë reaguar nga VMRO DPMNE.



