VLEN: Statusi i Taravarit dërgoi BDI-në në opozitë

Sot bëhet një vit nga momenti kur vendimi historik i z. Arben Taravari për t’iu bashkuar opozitës shqiptare e dërgoi BDI-në në histori dhe i dha një grusht të madh korrupsionit të instaluar nga kjo parti për më shumë se dy dekada.
Në vend që të reflektojë për krimet dhe korrupsionin e saj të pafund, BDI sot përpiqet të manipulojë opinionin publik duke pretenduar se ky vendim paska dëmtuar shqiptarët. E vërteta është krejt e kundërta: vendimi i Taravarit ishte akti që shkatërroi mburojën politike të korruptuarve dhe i detyroi shumë ish-zyrtarë të BDI-së, si Artan Grubi dhe Përparim Bajrami, të arratisen nga drejtësia.
Kjo datë shënon fillimin e fundit për një regjim që e kishte kapur shtetin dhe e kishte shndërruar në një mekanizëm për pasurim personal dhe për ndëshkimin e kundërshtarëve politikë. Sot, qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut janë më të vetëdijshëm se kurrë për keqqeverisjen e BDI-së dhe për nevojën e një ndryshimi të vërtetë, që e sjell vetëm VLEN.
Koalicioni VLEN është i përkushtuar për të vazhduar betejën kundër korrupsionit dhe për të ndërtuar një të ardhme ku shqiptarët do të qeverisen me dinjitet, transparencë dhe drejtësi. Bashkë, do ta çrrënjosim sistemin e kalbur të BDI-së dhe do të sjellim një epokë të re për të gjithë qytetarët tanë.