Përse (nuk) ranë bankat?!

Shkruan: Driton DEMIRI, Gostivar
Konteksti global, vitin që shkoi (mars 2023) kaloi në një trajtë tjetër. Atë të normave të larta të interesit dhe rrezikut moral. Kështu, disa banka ranë. Falimentuan. Meqenëse, sistemi, shpejtë u rehabilitua, droja ishte për një krizë më të thellë, ndoshta edhe më të gjerë.
Gjithçka filloi në sistemin bankar amerikan, për të vërshuar në Europë. “Kemi problem me likuiditetin, por mos u shqetësoni për asgjë, do ta mbulojmë”. Kështu, një deklaratë e pamatur nga drejtuesit, ndaj klientëve (depozituesve), kërcënoi reputacionin e bankës, gjegjësisht sistemin bankar në SHBA, dhe jo vetëm. Gjithçka ndodhi për një ditë. Me një click (klikim) të klientëve, në mobile banking, u tërhoqën 42 miliardë dollarë nga sistemi bankar për 24 orë në Silicon Valley Bank. Kjo situatë, tregon, se çfarë mund të bëjë një informacion kur tashmë ka panik në treg. Paniku është i keq kudo, veçanërisht kur bëhet fjalë për para, … dhe kur bëhet fjalë për bankat. Shqetësimi, për një “stampedo financiare”, filloi. E gjitha, për ti dhënë theks, në kohë të një sektori bankar likuid të shëndetshëm e shumë të qëndrueshëm në ekonomi. Edhe pse rëniet e bankave nuk janë të reja. Sipas, Federal Deposit Insurance Corp (FDIC) më shumë se 550 banka në SHBA kanë rënë, falimentuar, janë mbyllur, nga viti 2001 deri më vitin 2023.
…
Kur, Rezervat Federale të SHBA-së dhe Banka Qendrore Europiane ngritën normat e interesit për të ulur inflacionin, shumë banka u gjendën nën mbikëqyrje, para së gjithash: Silicon Valley Bank, më pas Signature Bank, Silvergate Bank, First Republic Bank, Creditt Suisse Bank si dhe Deutsche Bank. Edhe pse rreziku, droja, (siç u potencua në fillim) ekzistonte, por, nuk mendohej se do vijë në një krizë të madhe të sistemit bankar deri në një pikë të një domino efekti si në atë të vitit 2008-2009. Sepse, atëherë, siç dihet, ishte në pyetje një treg financiar përsëtepërmi i liberalizuar, përmes hipotekave në letra me vlerë, ose në gjuhën tjetër; të huave të hipotekave të ashtuquajtura -“Subprime”-, ku i gjithë tregu financiar u tkurr në huadhënie. Që tregon se kishte të bëjë me marrëveshjet me huamarrësit, me histori të dobët huaje, që zakonisht kishin kushte të pafavorshme, siç ishin normat e larta të interesit. Pra, ky shqetësim, kjo tronditje, nëse mund të thuhet kështu, ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo krizë e vitit 2008-2009, pasi që, ishte më tepër teknike dhe sektoriale. Si dhe, ajo që dihet se bankat ishin (dhe vazhdojnë të jenë) me efektshmëri të lartë, të shëndosha dhe të qëndrueshme përgjatë krizës. Megjithëse, për të parandaluar, që situata të prekë të gjithë sistemin bankar global, rregullatorët global: Rezervat Federale të SHBA-së, Bankat e Anglisë, Kanadasë, Japonisë, Banka Qendrore Europiane dhe Banka Kombëtare e Zvicrës, reaguan shpejtë dhe ndërhynë për të ofruar likuiditetin e jashtëzakonshëm.
Si erdhi deri tek rënia?
Pra, për ta qartësuar, siç u tha, tek disa banka ishte sektoriale, vetëm në atë të ekspozimit të tepërt përkundrejt kompanive të start-up-eve, në teknologji, rasti i Silicon Valley Bank, e cila shiti obligacionet për të ruajtur likuiditetin. Që do të thotë, se, u zhvilluan, u forcuan, shumë shpejt, nëpërmjet klientëve (depozituesve) me rrezik të lartë. Kryesisht, ku në kohë të pandemisë patën zenitin (për të vazhduar investimin e rezervave në letra me vlerë me norma të ulëta të interesit, që ishin paguar edhe për disa vite më parë), më pas kur normat e interesit u rritën, paratë u bënë më të shtrenjta dhe interesimi për huamarrje në atë domen ra, bankat nuk arritën aftësinë e pagesës, ose ndryshe siç quhet, nuk arritën solvenitetin, duke pësuar humbje të mëdha. Tjetra, për shkak të një miksi investimesh të papërshtatshme, të aq. të këqija, dhe humbje të papritur të besimit nga klientët depozitues, u gjetën në vështirësi. Kështu, situata krijoi ndërlikime të mëdha, për ato banka. Klientët, depozituesit, (siç u theksua më lartë) përmes mobile banking-ut thjesht filluan të tërhiqnin paratë (depozitat) e tyre, që solli deri tek rënia, falimentimi. Një situatë mjaft e egër, dhe shumë e komplikuar në botën financiare, për ta përkufizuar. Ashtu ishte dhe rasti i Signature Bank, e cila u mbyll nga rregullatorët për keq menaxhim, në përpjekje për të frenuar panikun, si dhe frikën që mund të pasonte për shëndetin e sektorit bankar në tërësi, pasi depozituesit tërhoqën shuma të mëdha parash pas rënies së, Silicon Valley Bank. Të dyja bankat ishin dështimi më i madh i sektorit bankar në SHBA, që nga mbyllja e Washington Mutual në vitin 2008. Silvergate Bank e cila kryesisht u shërbente klientëve në industrinë e kriptomonedhave, gjithashtu, pushoi së funksionuari, ra, u mbyll, dhe ua ktheu depozitat klientëve, pasi trazirat, në tregun më të gjerë të aktiveve dixhitale, shkaktuan një acarim në bankë. Më pas, për më tepër se një muaj qetësi akoma në ujërat e paqeta, (në fillim të majit, 2023), në të njëjtën formë, për shkak të depozitave të pasiguruara, të cilat nuk mbuloheshin nga Federal Deposit Insurance Corp(FDIC…-limiti i mbulimit deri 250 mijë dollarë) ra, falimentoi dhe një bankë tjetër, një ndër më të mëdhat në Shtetet e Bashkuara First Republic Bank. JP Morgan Chase bleu shumicën e aktivit.
Ndërsa, tek disa të tjera, për një aspekt të të ashtuquajturës “arrogancë dhe krenari të shfrenuar”, siç ndodhi në Europë, rasti i Creditt Suisse Bank, e cila, duhej të blihej nga banka rivale UBS- Union Bank of Switzerland, me një ndërhyrje emergjente të ndihmuar nga rregullatorët dhe qeveria zvicerane, për të siguruar stabilitet në tregun financiar. Ishte po ashtu një lëvizje e rëndësishme, për të parandaluar trazira të mëtejshme dhe për të rivendosur besimin. Rrëzimi ishte kryesisht për shkak të skandaleve financiare, menaxhimit (udhëheqjes) të dobët dhe humbjeve të konsiderueshme, duke çuar edhe në humbjen e besimit të investitorëve. Për ta përmendur, edhe Deutsche Bank (e cila pati një lëkundje jo dhe aq të fortë), që i shpëtoi rënies, shmangu falimentimin edhe atë, vetëm për arsye të metodës tradicionale të shërbimeve, tërheqjes së depozitave (parave) nëpërmjet sportelit.
Sigurisht, përveç kësaj, problemi ishte se masat e politikës monetare funksiononin me një vonesë kohore. Ashtu që, në fakt, në atë moment, nuk mund të dihej me siguri nëse rritja e normave të interesit do ishte në limite ose vërtet e limituar, sepse inflacioni binte shumë ngadalë. Nuk dihej as edhe nëse rritja e normave të interesit do zgjaste e do kishte shkuar shumë larg;- dihej vetëm se do të ndodh, dhe se vinte me vonesë. Bankat janë punë që sjellin ngatërresa. Çfarëdo që të bëni sot, pasojat do ti shihni nesër, në treg, në rrugë, kudo. Dhe ato ngatërresa ishin emetimi i parave. Ngaqë, në vitin 2020 dhe 2021, bankat qendrore kryesore globale (Rezervat Federale të SHBA-së, Banka Qendrore Europiane, Banka Qendrore kineze, Banka Qendore e Japonisë dhe të tjera ndoqën një politikë ekspansioniste, duke emetuar (hedhur në qarkullim) para si asnjëherë më parë në histori, rreth 20 mijë miliardë dollarë, që përfaqësonin sa një të katërtën e përgjithshme të GDP-së globale. Domethënë, gjithçka që prodhojnë të gjithë qytetarët dhe të gjitha ekonomitë e globit në një vit. Derisa, inflacioni, saktësisht u shfaq si problem jo vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2021. Trendi i rritjes filloi që në fillim të pandemisë. Ndërkaq, lufta e agresionit rus në Ukrainë vetëm se vulosi spiralen inflacioniste.
P.S. Në kohë të krizave, sidomos kur ekonomia bie, ose është në rënie të jashtëzakonshme, posaçërisht siç ishte rasti i lockdownit (mbylljes së plotë), shkaku i pandemisë, kemi një formë kapitalizmi jo pak të deformuar. Ky është kapitalizëm me ndërhyrje shtetërore. Sa herë që nuk funksionojnë mekanizmat e tregut, vjen në shprehje ndërhyrja shtetërore, e cila “tenton” të rregullojë gjithçka dhe do(n) të emetojë shuma parash, ndonjëherë mjaftueshëm, ndonjëherë të tepruara.