Rrugëtimi i Sami Frashërit në gazetari
Sami Frashëri, që konsiderohet si një nga ideologët kryesorë të Rilindjes Kombëtare, para se të angazhohej në krijimin e veprave madhore për kulturën osmane dhe turke, ka ushtruar gazetarinë si kryeredaktor dhe redaktor i tetë gazetave dhe revistave turke. Aktiviteti i tij publicistik dhe roli në drejtimin e këtyre botimeve u shtri përgjatë një periudhe 12-vjeçare, nga viti 1873 deri në vitin 1885.
Shkruan: Festim RIZANAJ, Prizren
Sami Frashëri është konsideruar si pionier i gazetarisë shkencore dhe strukturimit përmbajtësor të gazetave në Turqi. Me shkrimet e tij të thelluara dhe përpjekjet për të sjellë njohuri nga fusha të ndryshme shkencore në gazetari, ai ka hapur rrugën për zhvillimin e këtij lloji të gazetarisë në vend.
Samiu ka pasur një lidhje të ngushtë me gazetarinë për shkak të punës së tij në Matbuât Kalemi (Shërbimi i Shtypit), duke e bërë atë një figurë të njohur në këtë fushë. Kur arriti në Stamboll, Samiu u njoh me disa nga gazetarët më të njohur të periudhës së tij. Veçanërisht, Ebuzziya Tevfik ka pasur një ndikim të rëndësishëm në jetën dhe karrierën e tij, pasi ai ishte mentori i parë i Shemseddin Samiut dhe atij i është ofruar mundësia për të filluar gazetari nën udhëheqjen e tij.
Gazetat
Përveçse autori i romanit të parë origjinal në letërsinë turke, Şemseddin Samiu (1850-1904) ka dhënë vepra me rëndësi të jashtëzakonshme, që vazhdojnë ta ruajnë vlerën e tyre edhe sot, duke sjellë risi dhe udhërrëfime në fusha si teatri, përkthimet, enciklopeditë, fjalorët dhe gramatika. Ai është gjithashtu i njohur për personalitetin e tij në fushën e gazetarisë dhe publicistikës.
Pasi përfundoi shkollën fillore në Frashër, Samiu mori një arsimim në gjimnazin grek Zosimea në Janinë, ku e mësoi gjuhën greke, greqishten e vjetër, frëngjishten dhe italishten, si dhe arabishten dhe persishten. Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1872, ai u shpërngul në Stamboll dhe e filloi punën në sektorin e shtypit.[1] Po atë vit e nisi karrierën e tij si gazetar, duke iu bashkuar gazetës Hadika. Samiu e ka shpjeguar këtë lidhje në një shkrim të botuar në Servet-i Fünûn, duke përmendur se ai kishte filluar të punonte si gazetar në gazetën Hadika (Kopshti), e cila ishte drejtuar nga Ebuzziya Tevfik. Ai theksoi se ky ishte një hap i rëndësishëm për ta fituar përvojë në fushën e gazetarisë, duke iu referuar atij si një mundësi për ta praktikuar përkthimin dhe redaktimin e artikujve.[2]
Samiu e nisi karrierën e tij në botën e shtypit si përkthyes dhe ndihmësredaktor në gazetën Hadika. Gjatë periudhës së katërt të botimit të gazetës, Samiu mori drejtimin e saj. Gazeta pësoi disa ndërprerje të publikimit për shkak të presioneve të pushtetit, por, pas botimit të numrit të saj të 59-të, më 1873, drejtimin e saj e merr Samiu, pasi që drejtuesit tjerë ishin arrestuar. Samiu, në numrin e 63-të, botoi një artikull kritik ndaj politikës së qeverisë ndaj Rusisë, gjë që solli një paralajmërim nga Administrata e Shtypit. Megjithatë, pas përgjigjes së tij të ashpër, Âshir Efendiu, i shqetësuar për pasojat e mundshme, vendosi ta ndalonte përkohësisht botimin e gazetës pas numrit të 64-të dhe e njoftoi këtë vendim përmes gazetave të tjera. Pas një ndërprerjeje njëmujore, Shemsedin Samiu mori me qira gazetën Hadîka nga Âshir Efendiu dhe më 20 maj 1873 e filloi botimin si gazetë ditore me profil politik. Për shkak të kritikave të tij të vazhdueshme ndaj politikave qeveritare, gazeta u mbyll përgjithmonë pas numrit të saj të 72-të, duke iu revokuar edhe licenca e botimit.[3]
Gjatë kësaj kohe, Samiu shkroi artikuj në gazetën Hadîka dhe realizoi përkthime të ndryshme nga frëngjishtja. Po atë vit, ai e botoi romanin Taaşşuk-ı Tal‘at ve Fitnat, i cili konsiderohet si romani i parë origjinal në letërsinë turke. Gjatë kësaj periudhe, njoftimi për romanin e tij të njohur Taaşşuk-ı Talat ve Fitnat vazhdoi të publikohej në këtë gazetë.[4]
Pas mbylljes së Hadika-s, Samiu punoi si redaktor dhe përkthyes për një kohë të shkurtër në gazetën Sirac,[5] të cilën e nxirrte Ebüzziyâ Tevfik, shkrimtar e politikan osman. Më pas kaloi në të përkohshmen Sirac, ku punoi si redaktor e përkthyes. Por, edhe ajo shpejt u ndalua, më 6 prill 1873.
Më 1874 Sami Frashëri dërgohet në Tripoli (të Libisë), si internuar, për ta drejtuar aty nga numri i saj i 256-të gazetën e Vilajetit që e mban emrin e këtij qyteti në gjuhën turke (Trablusgarb). Kjo gazetë, që botohej prej tetë vitesh, kishte një faqe në turqisht dhe një në arabisht. Pas një viti si kryeredaktor i Trablusgarb, Samiu u kthye në Stamboll dhe për një periudhë të shkurtër mori drejtimin e revistës Muharrir në emër të Ebüzziyâ Tevfik-ut, i cili ndodhej në mërgim në Rodos. Që nga mbërritja e tij në Stamboll, Samiu ishte i angazhuar aktivisht në botën e shtypit. Gazeta e parë që ai drejtoi vetë ishte Sabah, e cila filloi botimin më 8 mars 1876. Samiu ishte redaktori kryesor i gazetës, ndërsa Mihrani[6] ishte drejtor, ndërsa Papadopulos-i ishte mbajtës i së drejtës së botimit. Në një autobiografi të botuar në revistën Servet-i Fünûn, Samiu shkruante: “Pas një kohe që punova si shkrimtar në disa gazeta, vendosa të nxjerr gazetën time të quajtur ‘Sabah’, e cila ishte gazeta e parë në vendin tonë që botohej për dhjetë para. Kjo gazetë vazhdoi për rreth një vit”.[7]
Samiu, i njohur për strukturën e tij të organizuar të të menduarit, e krijoi gazetën Sabah sipas vizionit të tij. Gazeta përfshinte seksione të ndryshme si: Çështjet (Şuunat), Politika (Siyasiyât), Vilajetet (Vilayât), Nga këtu e nga atje (Şundan Bundan), Shtetet e huaja (Memâlik-i Ecnebiye), Telegrafi (Telgraf) dhe Njoftime (İlanlar). Nga analiza e të gjitha numrave rezulton se Sabah-u ishte një gazetë që trajtonte ngjarjet e përditshme politike me një qasje kritike të hollë. Përveç kësaj, ajo përmbante shkrime humoristike, duke iu drejtuar audiencës së përgjithshme një përmbajtje të kuptueshme, të thjeshtë dhe me çmim të përballueshëm për të gjithë.[8]
Samiu filloi të njihej në botën e shtypit dhe letërsisë, duke shkruar artikuj në gazetën Sabah. Kjo e ndihmoi atë ta tërheqë vëmendjen e pjesës intelektuale të shoqërisë, duke e bërë një figurë të njohur dhe të respektuar në rrethin e aydın-ëve (intelektualëve) të kohës. Gazeta Sabah është aktiviteti më i rëndësishëm gazetaresk i Samiut. Ajo ka arritur të bëhet gazeta më e gjatë në kohë e shtetit osman. Edhe popullariteti i tij u përhap përmes kësaj gazete.
Pas 11 muajsh si kryeredaktor i Sabah-ut, Şemseddin Sami-u kaloi te gazeta Tercüman-ı Şark, e cila u botua nga Mihran Efendiu. Para se Samiu t’i bashkohej, gazeta ishte një platformë e zakonshme për raportimin e ngjarjeve politike ditore dhe publikimin e telegrameve nga vende të ndryshme të botës, pa ndonjë rregullim të veçantë cilësor. Më 22 qershor 1878, në faqen e parë të gazetës, u shfaq një shënim ku thuhej: “Çështjet editoriale të gazetës sonë, duke filluar nga sot, i janë besuar Sami Beut”. Në të njëjtin numër u botua artikulli i Samiut me titull “Socializmi dhe Komunizmi”, ku ai e shpjegon ndryshimin mes këtyre dy koncepteve. Ai argumenton se socializmi nuk është komunizëm (përkthyer si iştirâk-ı emvâl) dhe e përshkruan atë si një lëvizje shpirtërore, që në të ardhmen do të sigurojë mirëqenien dhe lumturinë e njerëzimit. Po ashtu, në këtë numër fillon botimi i rubrikës “Nga këtu e nga atje” (Şundan Bundan), e përgatitur nga Samiu, e cila u fokusua veçanërisht në çështjet politike të Rumelisë dhe Ballkanit. Pas numrit të 90-të (8 korrik 1878), gazeta u pezullua për tre javë për shkak të një lajmi të raportuar gabimisht. Numri i 91-të u botua më 29 korrik 1878, ku Samiu shkroi një artikull të fuqishëm mbi gazetarinë dhe lirinë e shtypit, duke dhënë një leksion të rëndësishëm për këto tema.[9] Në gazetën Tercüman-ı Şark, Sami Frashëri u dallua veçanërisht për artikujt që trajtonin çështjen e të drejtave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ai përdorte editorialin si mjet kryesor, duke qenë se ky zhanër ofron një qasje orientuese dhe pasqyron mendimin e qëndrimin e redaksisë mbi temat e trajtuara.[10]
Samiu tregoi interes të veçantë për ngjarjet politike të kohës së tij, andaj si një intelektual i përgjegjshëm nuk ngurroi t’i shprehte hapur pikëpamjet e tij. Më 4 nëntor 1878, gazeta Tercüman-ı Şark u mbyll. Megjithatë, mund të thuhet se shkrimet e tij politike luajtën një rol të rëndësishëm në këtë vendim.
Gjatë kohës që e drejtonte gazetën Tercuman-i Sark, Samiu shkruante artikuj të rëndësishëm për çështjen shqiptare edhe në gazetën e njohur Tercuman-i Hakikat në Stamboll. Shkrimet e tij, të vlerësuara nga intelektualët e kohës, përcillnin ide të qarta dhe të reja mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Përveçse udhëhiqte gazeta të ndryshme, ai kontribuoi në periodikë të tjerë, si Teran-i hakikat, për të përhapur idetë përparimtare dhe për t’i mbrojtur të drejtat kombëtare të shqiptarëve.[11]
Revistat
Një nga mjetet e përdorura nga intelektualët e kësaj periudhe për ta informuar shoqërinë ishin revistat. Duke fituar përvojë në botimet e shtypit pranë një emri të rëndësishëm të jetës mediatike osmane, si Ebuzziya Tevfik, Samiu dëshiron të publikojë një revistë të pavarur për të përcjellë mendimet e tij drejtpërdrejt te publiku. Ky hap përfaqëson përpjekjen e tij për të kontribuar në informimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë, duke përdorur median si një mjet të fuqishëm për edukim dhe përhapjen e ideve të tij intelektuale dhe kulturore. Përvojën e tij të parë në këtë fushë e pati me revistën Muharrir.
Ebuzziya Tevfik, i internuar në Rodos në prill të vitit 1873, dëshironte ta nxirrte një revistë gjatë ditëve të fundit të internimit të tij, para se të kthehej në Stamboll në qershor të vitit 1876. Megjithatë, për shkak se ishte ende në mërgim, katër numrat e parë të revistës i botoi Samiu në emër të tij. Revista doli për herë të parë në janar të vitit 1876. Shumica e artikujve të Muharrir-it nuk kishin autor të nënshkruar, por besohet se përkthimet janë realizuar nga vetë Samiu. Në ballinën e revistës figuronin inicialet “S” dhe “M”, të cilat thuhet se i përkisnin Samiut dhe Mihranit.[12]
Revista “Aile” (Familja) ishte një botim tjetër i drejtuar nga Samiu, i cili filloi botimin e saj më 27 maj 1880. Kjo gazetë kishte si synim kryesor gratë, veçanërisht ato të pasura, duke u ofruar artikuj që i trajtonin ato si pjesë të rëndësishme të familjes dhe me shumë përgjegjësi. Samiu, si autori i vetëm i gazetës, e theksonte rëndësinë e gruas si pjesë e themeleve të familjes dhe u jepte atyre këshilla të vazhdueshme. Revista përfshinte gjithashtu disa histori dhe lojëra për fëmijët. Megjithatë, revista kishte pak vizualizime, pa figura ose foto, dhe nuk kishte ndonjë veçori të veçantë që të tërhiqte shumë vëmendje. Për më tepër, shumë artikuj përmbanin fraza të gjata dhe të ngatërruara. Sot janë ruajtur vetëm 3 kopje të gazetës, ndërsa ajo është konsideruar si një botim mesatar.[13]
Revista Aile është botuar në fund të periudhës së fundit të Perandorisë Osmane dhe ka qenë një gazetë që i drejtohej kryesisht familjes. Megjithatë, duke qenë se Samiu ishte autori i vetëm i gazetës, e vërteta është se ajo është më shumë një revistë për gratë sesa për të gjithë anëtarët e familjes. Edhe pse Samiu e shpjegon që gazeta do t’i drejtohej familjes në përgjithësi, duke përfshirë burrat dhe fëmijët, në praktikë gazeta përqendrohej shumë më tepër te temat që lidhen me gratë. Çështjet që mund të preknin burra ishin të pakta dhe më shumë ishin të orientuara drejt gruas dhe menaxhimit të jetës familjare. Pjesa që ishte përgatitur për fëmijët ishte e kufizuar në një rubrikë të quajtur “Çocuklara Hikâye” (Tregime për Fëmijë), e cila ofronte përmbajtje edukative dhe argëtuese për ta.[14]
Një nga revistat ku Samiu luajti një rol të rëndësishëm ishte revista Hafta (Java), ku ai shërbeu si shkruesi kryesor. Revista Hafta, një nga botimet më të rëndësishme të periudhës dhe një pasqyrë e jetës letrare dhe intelektuale të Samiut, u publikua për herë të parë më 18 gusht 1881. Nën emrin e revistës shkruhej: “Një përmbledhje për Letërsinë, Shkencat dhe Artet”. Redaktori i saj ishte Şemsettin Sami-u, ndërsa pronar ishte Mihrani. Në artikullin hyrës, të titulluar “İfade-i Meram” (Shprehja e qëllimit), Samiu theksonte objektivat kryesore të revistës: “Qëllimi i kësaj reviste është t’u prezantojë publikut të gjerë njohuri dhe tema të dobishme që do të sjellin përfitime të përgjithshme. Duke synuar përhapjen e arsimit, ky publikim shihet si një eliksir lumturie dhe burim jetik shpirtëror që do të kontribuojë, me modesti, për të edukuar dhe ringjallur popullin tonë”.[15]
Këto rreshta pasqyrojnë vizionin e Samiut për edukimin si një mjet për zhvillimin e shoqërisë dhe përmirësimin e gjendjes së saj shpirtërore e intelektuale. Megjithatë, revista arriti të botohej vetëm për një periudhë pesëmujore, duke përfshirë gjithsej 20 numra.[16]
Sipas të dhënave nga korniza informuese (künyesi), Samiu ishte autori i vetëm i revistës Hafta. Përjashtim bën vetëm një poezi, ndërsa të gjitha shkrimet e tjera janë hartuar nga ai vetë. Çdo numër i revistës ishte konceptuar si një format prej 16 faqesh, me synimin që brenda një viti të përmblidheshin dy vëllime prej 416 faqesh secili. Për këtë arsye faqet e çdo numri vijonin numërimin nga numri paraardhës. Në përfundim të numrit të 20-të revista arriti një total prej 320 faqesh, duke formuar një vëllim të vetëm. Në përputhje me kornizën e saj, revista përmbante tema nga letërsia, shkenca dhe artet e ndryshme. Përveç këtyre, në pothuajse çdo numër përfshiheshin shkrime argëtuese nën titujt “Garâib” (Kuriozitete), “Letâif” (Anekdota), “Emsâl” (Fjalë të urta) dhe “Lügaz” (Gjëegjëza).[17]
Samiu, i vetëm, i mbushi faqet e saj me artikuj që përfshinin një gamë të gjerë temash, nga biologjia dhe gjeografia, deri te gjuha, letërsia, artet e bukura, antropologjia, fizika, kimia, historia, filozofia dhe bujqësia. Duke reflektuar identitetin e tij si enciklopedist, shkrimet e tij në këto tema e bënë revistën Hafta një botim serioz dhe cilësor, duke e dalluar nga shumë gazeta dhe revista të tjera të kohës.[18]
Në revistën Hafta gjenden tre artikuj të rëndësishëm kushtuar Hoxha Tahsinit, një figurë që pati ndikim të madh në mendimet dhe personalitetin e Samiut. Hoxha Tahsini ishte i njohur për dijet e tij të thella në fusha si astronomia, gjeografia, psikologjia dhe filozofia. Njëri nga këta artikuj, i titulluar Hoca Tahsin, u botua në dy pjesë në numrin e 5-të dhe të 6-të të revistës. Në këtë shkrim, Samiu e trajton botëkuptimin, mënyrën e jetesës dhe pasionin e Hoxha Tahsinit për shkencën.[19]
Pas publikimit të revistës Hafta, Samiu, si një intelektual që ndiente përgjegjësi për zhvillimin kulturor të shqiptarëve dhe për krijimin e ndërgjegjes gjuhësore, nisi botimin e revistës Drita (Dritë) më 10 gusht 1884 në Stamboll, së bashku me vëllain e tij Naimin.
Kjo revistë nuk kishte përmbajtje politike. Artikujt e saj përfshinin kryesisht përkthime të artikujve të botuar më parë nga Samiu në botime të tjera, tashmë në gjuhën shqipe, si dhe poezi të Naimit. Pas tre numrave të parë, që u publikuan me emrin Drita, revista vazhdoi botimin e saj me titullin Dituria (Dija/Shkenca), duke arritur gjithsej 12 numra.[20]
Falma Fshazi, në një analizë të saj mbi revistën, thekson se për shkak të rrethanave të kohës, artikujt shpesh ishin pa emër. Artikujt e Samiut identifikoheshin me tre yje, ndërsa ata të Naimit shënoheshin me shkronjën “D”. Megjithatë, disa shkrime mbanin emrat e autorëve, ndërsa për disa të tjerë autorësia mbetej e panjohur. Kjo revistë pasqyroi përpjekjet e vëllezërve Frashëri për të promovuar kulturën dhe gjuhën shqipe në një periudhë të vështirë për identitetin shqiptar.
Bazuar në analizën e Falma Fshazit, revista Drita, e cila më vonë u ribotua me emrin Dituria, përmbante artikuj të thelluar kulturorë dhe edukativë. Në numrin e parë, Samiu kishte shkruar një artikull të titulluar Dituria, Shkenca, ku theksonte rëndësinë e dijes për zhvillimin individual dhe shoqëror të një personi. Ndërkohë, Naimi kontribuoi me një shkrim mbi Platonin dhe Sokratin, një këshillë për fëmijët dhe poezinë Qiriu, e cila vazhdon të ketë një domethënie të veçantë për shqiptarët edhe sot.[21]
Në numrat vijues, Samiu botoi artikuj të tillë si Civilizimi, Civilizimi Grek, Civilizimi Arab dhe Civilizimi Europian, duke pasqyruar një përqendrim të veçantë në historinë dhe zhvillimin e civilizimeve botërore. Këto tema tregojnë qartësisht se revista kishte një karakter thellësisht kulturor dhe edukativ, me fokus në përhapjen e njohurive dhe ndërgjegjësimin shoqëror.[22]
Gjithashtu, revista përfshinte edhe poezi nga Naimi, të pranishme pothuajse në çdo numër. Artikujt e tjerë trajtonin tema nga fusha të ndryshme si historia, gjeografia dhe filozofia, duke u bërë një platformë e pasur për shpërndarjen e njohurive nga shkencat shoqërore.
Drita dhe, më pas, Dituria ishin pasqyrime të përpjekjeve të Samiut dhe Naimi për të kontribuar në zhvillimin kulturor të shqiptarëve. Përkushtimi i tyre ndaj edukimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar pasqyrohet gjithashtu në shërbimin e tyre në seksionin kulturor të Cemiyet-i Arnavudiyye (Shoqata Shqiptare) në Stamboll, duke luajtur një rol kyç në përhapjen e vlerave kombëtare dhe ndriçimin intelektual të kohës.
Krahas kësaj, për historinë e gazetarisë shqiptare një rëndësi të veçantë ka traktati “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, i botuar në vitin 1899 në gazetën shqiptare “Drita” të Bukureshtit (Rumani). Ky traktat është një manifest i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Hamit Boriçi vlerëson se gazetaria ishte një pjesë e pandashme e qenies shoqërore, kulturore dhe politike të Samiut, i cili e përdori publicistikën për t’u shërbyer interesave kombëtare të Shqipërisë në momentet kyçe të historisë së saj. Ai ishte mjeshtër i polemikës, duke u angazhuar me mediat e kohës për të sfiduar dhe mbrojtur idetë e tij, duke përdorur fjalën e shkruar si një mjet për të promovuar vlerat dhe të drejtat e shqiptarëve. Në këtë mënyrë, Samiu luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e ndërgjegjes kombëtare, duke u bërë një figurë kyçe në debatet politike dhe sociale të periudhës.[23]
Prandaj, Sami Frashëri, që konsiderohet si një nga ideologët kryesorë të Rilindjes Kombëtare, para se të angazhohej në krijimin e veprave madhore për kulturën osmane dhe turke, eka ushtruar gazetarinë si kryeredaktor dhe redaktor i tetë gazetave dhe revistave turke. Aktiviteti i tij publicistik dhe roli në drejtimin e këtyre botimeve u shtri përgjatë një periudhe 12-vjeçare, nga viti 1873 deri në vitin 1885.
[1]https://kutuphane.ttk.gov.tr/details?id=435158&materialType=KT&query=Levend%2C+Agah+S%C4%B1rr%C4%B1.
[2] Muammer Öztürk (2014): Şemsettin Sami’nin hayatı, edebî kişiliği ve eserleri üzerine bir inceleme, Doktora Tezi, Izmir.
[3] https://islamansiklopedisi.org.tr/hadika
[4] Ömer Faruk Akün, Temel Türkçe Sözlük.
[5]https://kutuphane.ttk.gov.tr/details?id=435158&materialType=KT&query=Levend%2C+Agah+S%C4%B1rr%C4%B1.
[6] Mihran Efendi (Nakashjan) ka qenë një ndër intelektualët armenë më të njohur të kohës.
[7] Muammer Öztürk (2014): Şemsettin Sami’nin hayatı, edebî kişiliği ve eserleri üzerine bir inceleme, Doktora Tezi, Izmir.
[8] Po aty.
[9] Po aty.
[10] Boriçi, Hamit. 2024. “Gjurmime Në publicistikën E Sami Frashërit”. Univers 16 (16): 22-29.
[11] Po aty.
[12] Po aty.
[13] Bilge, H. (2018). Şemsettin Sami’nin Osmanlıca Kadın ve Çocuk Gazetesi: Aile, Sosyal, Beşeri ve İdari Bilimler Dergisi, 1 (2):55-64.
[14] Po aty.
[15] Muammer Öztürk (2014): Şemsettin Sami’nin hayatı, edebî kişiliği ve eserleri üzerine bir inceleme, Doktora Tezi, Izmir.
[16] Çakmaker, S. (2019). Şemseddin Sami’nin Hafta Dergisi ve Sistematik İndeksi (An Analysis on Şemseddin Sami’s “Hafta” Journal and Its Systematic Index). Sosyal Ve Kültürel Araştırmalar Dergisi (SKAD), 5(10), 89-113.
[17] Po aty.
[18] Po aty.
[19] Po aty.
[20] Falma Fshazi, “İstanbul’da İlk Arnavutça Dergi: Drita ve Dituria”, Müteferrika, 2002, nr: 21.
[21] Po aty.
[22] Po aty.
[23] Boriçi, Hamit. 2024. “Gjurmime Në publicistikën E Sami Frashërit”. Univers 16 (16):22-29.