BE-ja do të kërkojë që Marrëveshja e Ohrit të përfshihet në kornizën e negociatave për Serbinë

Bashkimi Evropian (BE) do të kërkojë zyrtarisht nga Komisioni Evropian të përfshijë detyrimet e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në negociatat për anëtarësim ndërmjet Bogradit dhe Brukselit. Në projekt-konkluzionet, në të cilat Radio Evropa e Lirë pati një pasqyrë, thuhet se “Këshilli kërkon nga Komisioni dhe përfaqësuesi i lartë që urgjentisht t’i propozojnë Këshillit, deri në fund të janarit 2024, ndryshime dhe plotësime në kriteret për kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit të Serbisë”.

Të njëjtat konkluzione më pas pritet t’i konfirmojë edhe Këshilli Evropian në samitin e liderëve evropianë që do të mbahet më 14 dhe 15 dhjetor.

Kapitulli 35 në negociatat e anëtarësimit ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian përfshin marrëdhëniet me Kosovën.

BE-ja paralajmëron rregullisht se shpejtësia e procesit të anëtarësimit me Serbinë varet nga përparimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Serbia dhe Kosova më 27 shkurt arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më 18 mars, në Ohër u ra dakord për një aneks për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Edhe pse Beogradi dhe Prishtina nuk e nënshkruan marrëveshjen, as aneksin e zbatimit, sipas deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhozep Borrell, marrëveshja konsiderohet ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët. 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button