Llavrov: OSBE u shkatërrua kur bombardoi Serbinë dhe ia mori Kosovën

Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Llavrov po merr pjesë në takimin e OSBE-së në Shkup, ku ka kritikuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
“Vendet e NATO-s dhe BE-së shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së. Në vitin 1999, NATO kreu një agresion brutal të pa maskuar kundër Jugosllavisë, një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe në vitin 2008, duke shkelur rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu mor Kosova pa asnjë referendum”, theksoi Lavrov, raporton Alfax.
Ai kujtoi se për pak më shumë se një vit Akti Final i Helsinkit do të mbushë 50 vjet.
“Në këtë drejtim, me keqardhje themi se OSBE-ja e mirëpret këtë përvjetor në një gjendje të dhimbshme dhe perspektivat e saj janë të paqarta”, tha ministri rus.
Pjesëmarrja e Llavrovit në Shkup u lejua nga Ministria e Jashtme dhe nga vendet e BE-së të cilët hapën hapësirën ajrore. Kjo është vizita e tij e parë në një vend të NATO-s që nga fillimi i luftës në Ukrainë. /Alfax/



