Bektashizma ndërmjet kripto-krishterimit, herezisë dhe patriotizmit

Edmond Brahimaj [Baba Mondi], kreu i Rendit Botëror Bektashi, nga ndjekësit i nderuar si “Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba”, e quajti nismën e mikroshtetit “të jashtëzakonshme” dhe “një mrekulli”, kurse të tjerët e konsideruan si  mundësi “për prishjen e marrëdhënieve sektare në vend”. Analistët politikë e vlerësuan si “të çuditshëm dhe absurd”, ndërkohë që KMSH-ja e quajti nismën “një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e vendit” dhe e kritikoi faktin se ajo nuk ishte diskutuar me komunitetet fetare përpara se të propozohej!

Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork

Shqipëria po planifikon një shtet të ri mysliman brenda kryeqytetit të saj” ishte titulli i një artikulli të shkruar nga Varshava, prej shefit të zyrës së Europës Lindore dhe Qendrore për “The New York Times” – Andrew Higgins, që u publikua në gazetën e datës 21 shtator 2024. Sipas këtij artikulli, kryeministri shqiptar dëshiron t’u japë bektashinjve të rendit “sufi-shiitë” një enklavë sovrane të stilit të Vatikanit, me kufij dhe pasaportë (jeshile), pa ushtri, roje kufitare ose gjykata: “me qëllim të promovimit të një version tolerant të Islamit, me të cilin do të krenohet Shqipëria”! Kryeministri thotë se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”. Ky mikroshtet, që aktualisht është “Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve”, do ta kontrollojë territorin me madhësinë e pesë blloqeve të qytetit Nju-Jork (saktësisht 27 hektarë në Tiranën lindore, ¼ e madhësisë së Vatikanit) dhe do të lejojë alkoolin, t’i lejojë gratë të veshin çfarë të duan dhe të mos vendosin rregulla të stilit të jetesës, sepse sipas kryegjyshit Edmond Brahimaj, një ish-oficer i Ushtrisë Shqiptare: “Zoti nuk ndalon asgjë, prandaj na dha mendjen” [New York Times, 21. 09. 2024]! Një ditë më pas, kryeministri shqiptar, në Samitin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në sallën prestigjioze ku mblidhen liderët botërorë, tha se: “Frymëzimi ynë është të mbështesim transformimin e Qendrës Botërore Bektashiane në Tiranë në një shtet sovran, një qendër të re moderimi, tolerance dhe bashkëjetese paqësore” [La Croix International, 24. 09. 2024]!

Ky propozim ngjalli konfuzion, lavdërime dhe debate të ndezura të zakonshme zhurmuese “pro” dhe “kundër”, meqë nisma është ende në fazat e para dhe publiku është plotësisht në errësirë për detajet dhe origjinën e planit. Natyrisht, kjo do të ketë nevojë për një miratim parlamentar, përkatësisht një legjislacion për miratim nga Kuvendi i Shqipërisë [Deutche Welle, 26. 09.2024] nëpërmjet një ndryshimi në kushtetutën e Shqipërisë, por duke qenë se kushtetuta shqiptare [neni 1 pika 2] aktualisht e përcakton Shqipërinë si shtet “unitar dhe të pandashëm” [Albania Daily News, 25. 09. 2024], mund të kërkojë edhe një amandament kushtetues. Sipas një raporti të bërë më 31. 07. 2012, Shqipëria nuk ka një fe zyrtare, por të gjitha fetë janë të barabarta dhe kanë një shkallë të lartë njohjeje dhe statusi social, bazuar në prezencën e tyre historike në vend [The Constitution of the Republic of Albania, Article 10]. Pas kësaj, vetvetiu vjen pyetja se përse kjo ide tani dhe kështu e rrufeshme, nga e ka origjinën dhe kush do të përfitojë prej saj!? Zëra të ndryshëm paraqesin “arsye” të ndryshme, disa prej të cilëve dyshojnë me takimin paraprak të “kreut” të mikroshtetit me presidentin e Izraelit, gjë që në këto ditë të trazuara gjenocidi u ndihmoi edhe deklarata e tij dhënë gazetës izraelite “The Jeruzalem Post”, se: “Unë e konsideroj veten vëlla të popullit të Izraelit”!

Pyetja tjetër, që po ashtu vjen vetvetiu, është se përse bektashinjtë, që konsiderohen njëkohësisht brenda dhe jashtë Islamit? Ka një sërë studimesh të huaja mbi historikun e bektashizmës, mbi origjinën e saj edhe sot të diskutueshme dhe lidhjet e saj me shqiptarët dhe Islamin. Fillimisht thuhet se është një rend (sekt) alevit, një degë tolerante dhe mistike e Islamit, e hapur ndaj feve dhe filozofive të tjera, që për themelues ka Haxhi Bektash Veliun (1209–1271), por si organizatë e strukturuar filloi me një numër lëvizjesh sufiste që ndodhën në Lindjen e Mesme gjatë shekujve XI-XII, prej nga shkuan në Anadoll [Doja: 2008, f. 19]. Disa burime të tjera thonë se rendi ishte themeluar më herët dhe se Haxhi Bektash Veliu ishte një “shenjtor” i mëvonshëm i këtij rendi.

Për fillin e këtij sekti është edhe një emër tjetër, dikush që u quajt Fadlullah Hurufi (1340-1394), i cili e shpalli veten se ishte “mishërim i Allahut”, duke pretenduar se ishte mësim i barabartë për të gjitha fetë. Ai i refuzoi praktikat islame, si p.sh. agjërimin e Ramazanit dhe faljen e pesë kohëve ditore, ngrënien e një ushqimi ritual (të ngjashëm me bashkësitë e krishtera) dhe rrëfimin e mëkateve te një “Baba” ose klerik prijës.

John Birge dyshon se forma e sotme e bektashizmit u shfaq në shekullin XVI nga Balým Sultan (1452-1516), i cili gjithashtu konsiderohet se ka qenë fëmija i një martese të përzier [Birge: 1937, f. 56]. Ai zakonisht njihej edhe si Pîr-i Sânî ose “themeluesi i dytë” dhe prej atëherë urdhri është udhëhequr nga një dedebaba ose stërgjyshi i madh, shkalla më e lartë në hierarkinë shpirtërore bektashiane [Quaderns de la Mediterrània #17/2012, f. 107-116].

Në Perandorinë Osmane, ndërsa Islami Sunit dominonte miletin mysliman, bektashizmi u bë fe e korpusit dhe forcë dominuese jeniçere në politikën osmane. Duke qenë se u konsideruan si heretikë dhe si jomyslimanë, si nga sunitët, ashtu edhe nga shiitët, ata u përballen me persekutime, kurse në vitin 1826 Mahmudi II i shfuqizoi jeniçerët pas Incidentit të Famshëm dhe më pas miratoi një fetva që ndalonte urdhrin bektashi. Pas kësaj, shumë nga ata qëndruan në rajonet rurale me kontroll minimal të qeverisë, si në malësitë e Anadollit Lindor dhe në viset shqiptare [Robert Elsie: “Dictionary…” (2001), f. 29].

Sidoqoftë, origjina e bektashizmit në Shqipëri mbetet edhe sot e diskutueshme. Një grup studiuesish mendojnë se prania e parë e bektashizmit në Shqipëri daton jo më herët se fundi i shekullit XVII, që më shumë lidhet me islamizimin relativisht të vonë të shqiptarëve. Të tjerët mendojnë se ata janë më të hershëm dhe janë bartës të Islamit ndër shqiptarët para prezencës së Perandorisë Osmane [Ahmataj: 1999, f. 82]. Disa të tjerë janë të mendimit se për përhapjen e bektashizmit në Shqipëri një rol të rëndësishëm pati Ali Pasha i famshëm i Janinës (1740-1822) [Quaderns de la Mediterrània #17/2012, f. 107-116]! Elsie thotë se bektashizmin në Shqipëri e solli Sari Salltëku në shekullin XIII [Elsie: 2020, f. 200, 203], kurse Norrisi e përmend Qazim Babanë (1451-1481) në kohën e Bajazidit II (1481-1542) si për klerikun e parë aktiv që ka ndërtuar shumë teqe në Ballkan [Norris: 1993, f. 128].

Në janar të vitit 1921, një kuvend rreth 100 delegatësh bektashianë vendosi të ndahej nga tuela e Ankarasë, deri atëherë seli e bektashit suprem, dhe e transferoi veten në Tiranë, e cila u bë qendër e bektashizmit. Sërisht pas vitit 1925, kur qeveria republikane turke shtypi rendet fetare të dervisheve në Turqi dhe i mbylli teqetë bektashiane [Elsie: 2020, f. 200, 203], shumë prej tyre u detyruan të migrojnë në Shqipëri. Kaseri thotë se në fundin e shekullit XIX, teqetë bektashiane kishin adoptuar zërin kombëtar dhe ishin bërë qendra të disa bandave të armatosura! Numri i teqeve u dyfishua në periudhën 1878-1912, por megjithatë “Islami bektashian” mbeti minoritar, diku rreth 15%, më shumë se numri i katolikëve (10%) në Shqipëri, më i vogël se numri i ortodoksëve (20%) dhe 55% synive [Kaser: 2006, f. 192].

Në pjesën e dytë të shekullit XVII selia e bektashizmit shqiptar ishte në Krujë. Në vitin 1929, Babingero [Babinger, f. 61] ka gjetur një dorëshkrim osman në malin e Sari Saltikut në Krujë, të datuar nga viti 1692, kurse Haslucku [Christianity and Islam, II, f. 550] thotë se ka pasur aty një çeshme me një mbishkrim nga viti 1776. Ippeni, në fillim të shekullit XX, e përmend “të shenjtin” Haxhi Hamza, i cili ka vdekur në vitin 1553, të cilin e lidh me origjinën e bektashizmit në Krujë. Vetë bektashinjtë mendojnë se të parët kanë arritur në Shqipëri me ushtritë e Sulltan Muratit II, në fillim të shekullit XV. Kieli thotë se në fund të shekullit XVII një numër i rëndësishëm misionarësh bektashi jetonin në Krujë dhe shumica e tyre vdiqën aty. Varrezat e tyre i bënë vende pelegrinazhi, duke ngritur tyrbe mbi to [Kiel: 1990, f. 173-190]. Po aty Silzbergeri e kishte takuar baba Myrtezanë e Krujës, që i kishte treguar një poemë bektashiane dhe, derisa po pinin raki në manastir, i kishte thënë: “Të fshehtat e mija nuk mund të kuptohen, për të gjitha krijesat kam qenë vëlla” [Silzberger: 1969, f. 46]!

Edmond Brahimaj [Baba Mondi], kreu i Rendit Botëror Bektashi, nga ndjekësit i nderuar si “Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba”, e quajti nismën e mikroshtetit “të jashtëzakonshme” dhe “një mrekulli”, kurse të tjerët e konsideruan si  mundësi “për prishjen e marrëdhënieve sektare në vend”. Analistët politikë e vlerësuan si “të çuditshëm dhe absurd”, ndërkohë që KMSH-ja e quajti nismën “një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e vendit” dhe e kritikoi faktin se ajo nuk ishte diskutuar me komunitetet fetare përpara se të propozohej [Albania Daily News, 25.09.2024]! Vetë përfaqësuesit e Federatës Alevite-Bektashiane lëshuan një deklaratë përmes rrjetit “Haber Global”, duke thënë se “bektashizmi dhe shteti fetar janë koncepte të papajtueshme me njëri-tjetrin”. Vetë aktivisti i Federatës Bektashiane Alevite në Turqi, Zeynel Abedin Koç, tha se: “Unë nuk e kuptoj pse duhet një shtet i tillë. A janë bektashinjtë e Turqisë pjesë e tij apo është çështje shqiptare kjo?! Ne në asnjë mënyrë nuk aprovojmë një shtet mbi baza fetare”. Por, ish presidenti i Federatës Bektashiane Alevite, Ali Bakiz, beson se feja bektashiane nuk mund të krijojë një shtet religjioz, ndërkohë që presidenti aktual i këtij sekti, Husein Guzelgul, nuk e konsideron si të drejtë dhe pozitiv krijimin e një shteti mbi baza fetare, sepse në asnjë mënyrë kjo nuk i shërben tolerancës, paqes dhe dashurisë [Albanian Daily News, 23. 09. 2024]!

Kreu i Rendit Botëror Bektashi (Baba Mondi), në një intervistë të vitit 2018, pati thënë se “të jesh bektashi do të thotë të jesh njeri”, kurse së fundmi nismën për miktoshtetin bektashi e quajti “të jashtëzakonshme” dhe “një mrekulli”, duke deklaruar për “New York Times” se: “Ne jemi të vetmit në botë që e themi të vërtetën për Islamin (dhe) nuk e ngatërrojmë atë me politikën”. Këtu vërejtjen na e tërheq Andrew Higginsi për një “shtet” që “lejon konsumimin e alkoolit dhe veshjen e grave sipas dëshirës së tyre” [New York Times, 21.09.2024]. Nisur nga këto “principe”, disa studiues e kanë futur në rendin e “laramanizmit” ose të “kripro-krishterimit”, një terminologji që ka për qëllim të përcaktojë statusin e njerëzve që bartin pikëpamje fetare, por që nuk përputhen me përkatësinë e fesë zyrtare dhe për këtë shkak mundohen ta fshehin nga publiku i gjerë. Këta u bënë sipërfaqësisht myslimanë, por mbetën të krishterë, edhe pse në shumicën e rasteve fëmijët e tyre do të shndërroheshin në të konvertuar të vërtetë [Stavrianos: 2000, f. 500].

Megjithëse te shqiptarët si dukuri ka mbetur si një çështje e lënë anash ose shumë pak e studiuar, përveç ndonjë shkrimi të njëanshëm dhe sipërfaqësor, për shumë studiues të huaj është parë si derivat i “mungesës së besimit të sinqertë”, përkatësisht si një përzierje e çuditshme e Islamit, Krishterimit dhe elementeve pagane. Joseph Swire e sheh më shumë si një “filozofi sesa fe që ka bazë të përbashkët me budizmin e zoroastrianizmin dhe që përhapej në botën islame nën mantelin e muhamedanizmit, ndonëse s’ka të bëjë me këtë fe” [Swire: 1929]. Karl Kaseri thotë se është “përzierje e zoroastrianizmit, budizmit dhe animizmit dhe i ripërtërirë në Shpirtin e Shenjtë të Krishtit” [Kaser: 2006, f. 192]. Anton Minkovi thotë se doktrina bektashiane e trinitetit konsiston në Zotin, Muhamedin dhe Aliun, ngjashëm me doktrinën e krishterë, ndërkohë që besimi në Aliun dhe 12 imamët konsistonte në Krishtin dhe 12 dishepujt! Nga ana tjetër, lideri bektashi “Baba”, konsiston me priftërinjtë “At”. Edhe një ngjashmëri e këtillë ishte “rrëfimi i mëkateve” para “babait” bektashi [Minkov: 2004]! Ndryshe, në konceptin e faktorit religjiozo-kulturor pak a shumë mund të interpretohet edhe “islamizimi i të krishterëve përmes sektit bektashi” [Birge: 1937]. Shpeshherë ka qenë në diskutim nëse ky rend heretik ka të bëjë fare me Islamin! Brailsfordi konstatonte se në Shqipëri, sidomos në jug dhe në Kretë, ky islam mistik ishte një lloj “franko-masonerie e islamit” [Degrand 1901, f. 235-247]! Francesco Jacomoni shkruante se: “Bektashinjtë kanë qenë gjithmonë përkrahës të ndikimit italian në Shqipëri” [Jacomoni: 2005, f. 201-202]!

Ndryshe nga ajo që shkruante Naim Frashëri në “Fletor’e bektashinjvet”, Ippeni këmbëngulte edhe mbi faktin se bektashinjtë nuk i përfillnin udhëzimet kryesore të Islamit, ata nuk kishin xhami, nuk i respektonin pesë faljet, nuk bënin abdesin dhe nuk ndiqnin Ramazanin. Duke iu referuar Mehdi Frashërit (1872-1963), bektashizmi pretendon se abdesti para namazit nuk është urdhër për pastërti trupore, por “si pastërti të zemrës e të shpirtit”, ndërkohë që namazi nuk duhet të falet 5 herë në ditë, mjafton në mëngjes e në mbrëmje, për të sjellë në mendje e në zemër Zotin e vërtetë. Ndryshe nga Islami, që ndalon pirjen e alkoolit, bektashizmi lejon pirjen e alkoolit deri në mosdehje! Islami urdhëron mbulesën tek femrat, ndërsa bektashinjt thonë se qëllimi i kësaj cipe është nderi, e jo cipa materiale, andaj mjafton që gruaja të jetë e ndershme dhe s’ka nevojë t’i mbulojë bukuritë që ia ka dhënë Zoti. Përveç kësaj, ndryshe nga Islami, bektashizmi nuk e pranon parajsën dhe ferrin, por i marr si një panteizëm. Ai e njeh shpirtin e njeriut që nuk humbet, por kur vdes njeriu, shpirti i përzihet me shpirtin e përgjithshëm të natyrës. Për agjërimin e Ramazanit, bektashizmi thotë se qëllimi nuk është që të hajë natën e të agjërojë ditën, por të ruhet gjithnjë nga e tepërta [Frashëri: 2000, f. 46-47]!

Robert Elsie shton se, sikurse myslimanët e tjerë, shumica e bektashinjve refuzojnë të hanë mish derri dhe u shmangen posaçërisht lepujve. Disa prej tyre pinë alkool, ndonëse kjo ndryshon nga teqja në teqe [Elsie: 2020, f. 24-25]! Ata nuk mbajnë Ramazan, por kanë njëmbëdhjetë ditët e Muharremit kur agjërojnë, tërhiqen nga bota dhe e lëndojne trupin [Elsie: 2020, f. 114-115]. Falen vetëm në lindje e perëndim të diellit dhe nuk kthehen drejt Mekës. Ata besojnë se njeriu nuk vdes, por transformohet, se nuk ka parajsë as ferr, por këto njeriu i krijon për veten nga veprimet e veta. Besimet e tyre – thotë Elsie – sigurisht që janë përzier me bestytnitë e legjendave pagane, shumë nga ato me qëllim të shpikura për të identifikuar disa shenjtorë lokalë, faltore ose hyjni tribale me ato të vetat [Elsie: 2020, f. 199].

Hupchicku mendon se “sinkretizmi religjioz i dervishëve” bëri që shumë liderë të kishave të krishtera të pretendonin se konvertimet e shqiptarëve në Islam ishin “kripto-krishtere”, që e fshinin besimin e tyre të vërtetë nën petkun islam [Hupchick: 2002, f. 152]! Christo Vakarelski mendon se një aspekt i rëndësishëm social i këti rendi ishte “liria” që i jepte femrës në kundërshtim me traditën islame! Në këtë mënyrë, të krishterët inkurajoheshin me praktikat e reja islame, por u lejonin edhe praktikat e vjetra të krishtera [Zeitschrift für Balkanologie, #4/1966, f. 149–172]! Në dhjetor të vitit 1904, konsulli italian në Janinë pohonte se bektashinjtë, ndonëse ishin myslimanë, nuk ndiqnin rregullat e Muhamedit, por ato të Aliut, se praktikat e tyre fetare ishin të ndryshme nga ato të myslimanëve, se ata i kryenin lutjet në një mënyrë tjetër, mund të pinin pije alkolike, nuk mund të hanin mishin e lepurit, nuk ndiqnin Ramazanin dhe mbanin një agjërim të posaçëm! Kështu i kishte parë edhe diplomati austriak Theodor Ippen (1861-1935), i cili kishte shkruar: “nuk i përfillin udhëzimet kryesore të islamit; ata nuk kanë xhami, nuk falen pesë herë, nuk bëjnë avdes dhe nuk ndjekin Ramazanin…” [Clayer: 2009, f. 439]. Ippeni thotë se janë më shumë në konflikt me Islamin sunitë dhe më paqësorë me të krishterët, kurse Haclucku mendon se kanë pozitë të dykuptimshme mes sunive, që i konsiderojnë si myslimanë të këqinj, dhe të krishterëve, që i shohin më të hapur ndaj ideve të tolerancës sesa sunitët. Sipas tij, këta mbajnë lidhje më të afërta me fqinjët ortodoksë, për faktin se shumica e tyre janë të konvertuar shumë vonë nga Krishterimi, gjë që mbahet ende mend nga të dyja anët [Hacluck: 1929]. Fischeri thotë se “është një markë mistike e Islamit që bashkon shumë koncepte suni dhe shii” [Fischer: 2014, f. 27]. Kështu, një grup i konsideroi “suni” për shkak të lidhjes së tyre me traditat ligjore, kurse grupi tjetët i konsideroj “shii” për shkak të praktikave të tyre “ezoterike” dhe respektit të veçantë për Aliun [Kasser & Kressing: 2002, f. 34–65]!

Sidoqoftë, Ger Duijzingsi tregon se një imam anonim nga një qytet i vogël i Kosovës i akuzoi dervishët se pinë alkool dhe duhan në publik gjatë Ramazanit, për të demonstruar mosrespektimin e normave islame: “Sapo të bëheni dervish, ju liroheni nga të gjitha detyrimet themelore islame, siç janë lutja, agjërimi, zekati [taksat e bajrakut], etj” [Duijzings: 2000, 105-125]. Nathalie Clayeri na tregon se: “Një bektashi i kishte thënë Braisford-it se edhe një i krishterë mund të bëhej antar i tarikatit, gjithë duke qëndruar i krishterë, megjithatë atij nuk ju tregua asnjë rast konkret” [Clayer: 2009,  f. 440]! Ajo përmend një mbledhje që u thirr afër Prishtinës, në pranverë të vitit 1899, kur “toskët” nuk u ftuan të merrnin pjesë, për shkak se i  konsideronin si “bektashinj heretikë”.

Ndryshimi midis gegëve dhe toskëve nganjëherë merrej si dallim midis myslimanëve sunitë dhe myslimanëve bektashinj! Kush ishte shqiptar, lidhej me teqenë, dhe kush lidhej me teqenë, ishte “shqiptar”. Të qenit “bektashi” prirej gjithashtu të kuptohej si të qenit “shqiptar” në kuptimin e “patriotit shqiptar” ose të veprimtarit të shqiptarizmit [Clayer: 2009,  f. 445]. Wolffi thotë se liderët e sektit bektashi luajtën një rol të dukshëm në lëvizjen nacionaliste dhe në tolerancën e pashembullt ndërfetare [Wolff: 1967, f. 27]. Ata që më parë ishin të dobishëm në përhapjen e Islamit, tani ishin një lidhje e vlefshme midis tre grupeve fetare [Arnakis: 1963, f. 141]. Synimi i tyre ishte krijimi i një pavarësie shqiptare me një besim të pranueshëm liberal për të gjitha fetë: “për të hequr shkaqet e mosmarrëveshjeve kombëtare” [Mann: 1955, f. 40].

Nisur nga kjo, Naim Frashëri (1846-1900) përmes “Fletore e Bektashinjët” (1896) u përpoq ta përshkruajë bektashizmin më të favorshëm për orientimin kombëtar, sepse “ata e duan vendin e tyre dhe bashkatdhetarët e tyre dhe kjo është më e drejta e të gjitha virtyteve” [Hasluck: 2007, vol. 2, f. 556]. Në këngën e fundit, tek “Qerbelaja”, ai flet vetëm për problemet me të cilat përballej Shqipëria gjatë asaj periudhe, siç janë arsimi, gjuha dhe nevoja për unitet kombëtar dhe vëllazëri midis shqiptarëve [Doja 2008, f. 65]. Ai bëri përpjekje të mëdha për ta bindur elitën bektashiane për nevojën e formimit të një komuniteti bektashian shqiptar dhe për të ndërprerë lidhjet me Teqenë nënë në Turqi [Skendi: 1976, f. 123-4; Hasluck: 1925, f. 602], kurse për Shqipërinë preferonte “të bëhej një ditë feja e gjithë Shqipërisë, derisa bektashizmi merrte frymëzimin e vet si nga Ungjilli dhe nga Kurani” [Bartl: 2006, f. 166]. Në këtë mënyrë do të ishin në gjendje të kapërcenin ndarjet fetare në Shqipëri dhe të krijojnin një urë midis dallimeve të Islamit dhe Krishterimit [Shekulli, 21.10.2001, f. 14-15].

Tendenca të tilla kombëtare u shprehen nga shumë trashigimtarë të letërsisë alamaide shqiptare bektashiane, që filluan në shekullin XIX [Buletin për shkencat shoqrore #3/1955. f. 131-142]. E tillë ishte vjersha e patrotit bektashi Dervish Veli, i cili më 1865në vjershën greqisht, shkroi: “Besa besë të jepni, të gjithë të betoheni, ose të vdesni të gjithë, ose të çliroheni” [Studime Historike, II, 1980, f. 102]. Në të njëjtën rrugë do të ecte më pas edhe Komuniteti Mysliman Shqiptar, i cili do të kërkonte të ishte i pavarur nga Stambolli, ndonëse bektashinjtë e patën më të lehtë, për shkak se ky sekt në Perandorinë Osmane ishte i padëshiruar dhe u ndalua së vepruari në vitet 1826 dhe 1828 [Rexhepi: 2003], kur anëtarët e këtij tarikati u vendosën në gjendjen e viktimës [Degrand: 1901, f. 248]! Ndarja e “turkut” nga “Islami” nuk ishte megjithatë e vetmja mënyrë e përdorur nga veprimtarët e shqiptarizmit, për të ndërtuar një dallim midis myslimanëve shqiptarë dhe atyre turq, disa e kthyen bektashizmin në një Islam heterodoks, si alternativë: “për të hedhur poshtë islamin e imponuar nga sundimtarë turq” [Clayer: 2009, f. 427]. Schmitti thotë se bektashinjtë tradicionalisht qëndronin larg kalifit dhe e vazhduan vijën e tyre të “islamit europian” [Schmitt: 2012, f. 175].

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button