Elon Musk, fituesi i dytë i zgjedhjeve pas Trumpit
Gjiganti i teknologjisë, Elon Musk, ka qenë mbështetës i madh i fushatës së presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, duke dhuruar miliona dollarë. Shumica e pasurive neto të Muskut vijnë nga mbështetja e Qeverisë që kompanitë e tij, siç janë Tesla dhe SpaceX, kanë marrë gjatë viteve të fundit. Por, Tesla përballet me rreziqe, përkundër fitores së Trumpit, meqë shumë besojnë se Trumpi do t’i japë fund kësaj mbështetjeje
Asnjë biznesmen nuk ka bërë kaq shumë për ta mbështetur kandidaturën e presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, sesa Elon Musku. Por, miliarderi dhe mbretëritë e tij të biznesit përballen me gjëra pozitive dhe negative, pasi Trumpi doli fitues i zgjedhjeve presidenciale në SHBA më 5 nëntor.
Musku i ka dhuruar gati 119 milionë dollarë deri më tani, një komiteti të veprimit politik që ai e ka ngritur për ta mbështetur Trumpin, sipas dosjeve të Komisionit Federal të Zgjedhjeve. Ai është shfaqur me Trumpin në tubime dhe ka organizuar një intervistë me të në X, platforma e tij e rrjeteve sociale.
“Ai ka vënë bast të madh këtu. Ai u zhyt në kokë e këmbë në këto zgjedhje”, ka thënë Daniel Ives, analist i teknologjisë në Wedbush Securities.
Herët të mërkurën, investitorët veçse kanë qenë duke vënë bast se fitorja e Trumpit do të jetë gjithashtu fitore e madhe për Teslan (TSLA) të Elon Muskut, duke i dërguar aksionet e prodhuesve të automjeteve elektrike deri në 13 për qind më lart në tregun e hapur.
Kjo e ka ngritur vlerën e 411 milionë aksioneve të Teslas, që Musku zotëron plotësisht me më shumë se 13 miliardë dollarë, dukshëm më shumë se 119 milionë dollarët që ai ia ka dhuruar Trumpit. Por, Tesla përballet me rreziqe, edhe prej fitores së Trumpit.
Shumica e pasurive neto të Muskut vijnë nga mbështetja e Qeverisë që kompanitë e tij, siç janë Tesla dhe SpaceX, kanë marrë gjatë viteve të fundit. Edhe nëse do të fitonte zëvendëspresidentja, Kamala Harris, shumica e këtyre parave do të vazhdonin të vinin.
Por, edhe nëse mbështetja e Qeverisë për veturat elektrike është zvogëluar ose është ndaluar, siç mund të ndodhë pas fitores së Trumpit, pasuria e Muskut do të vazhdojë të mbetet e paprekur. Në fakt, Tesla mund të përfitojë edhe nëse mbështetja e Qeverisë për automjetet elektrike përfundon.
Çfarë do të thotë Trumpi për Teslan
Musku ka postuar disa “tweets” në platformën e tij të rrjeteve sociale X, duke festuar fitoren e Trumpit.
“Njerëzit e Amerikës u kanë dhënë mandat të qartë për ndryshim sonte”, ka shkruar ai në një prej tyre.
Trumpi ka qenë haptazi armiqësor ndaj automjeteve elektrike, duke thënë se janë shumë të shtrenjta e se janë të kufizuara në çështjen e kalimit të distancave. Gjithashtu se do të shuanin vendet e punës dhe shkatërronin industrinë amerikane të automjeteve.
Megjithatë ajo që mund të duket si goditja më e madhe për Teslan nga një tjetër presidencë e Trumpit – reduktim, nëse jo fundi i mbështetjes federale për automjetet elektrike – mund të mos jetë edhe aq i keq për Teslan dhe Muskun.
Por, politikat e tjera që janë në qendër të planeve të Trumpit mund të shkaktojnë probleme të mëdha.
Trumpi ka premtuar se do ta përfundojë atë që ai e quan “mandati i automjeteve elektrike i Bidenit”, edhe pse një mandat i tillë nuk ekziston dhe nuk është e qartë se kujt po i referohet.
Por, nën udhëheqjen e Bidenit ka pasur mbështetje të rëndësishme nga Qeveria për ndërtimin dhe blerjen e automjeteve elektrike, përfshirë miliarda dollarë kredi për t’i inkurajuar prodhuesit e automjeteve, të investojnë në fabrika, për ndërtimin e automjeteve elektrike dhe baterive në Shtetet e Bashkuar të Amerikës, mbështetje për stacionet e karikimit dhe një kredi tatimore prej 7500 dollarësh për shumë blerës të makinave elektrike.
Shumë ekspertë të industrisë besojnë se Trumpi do t’i përfundojë këto programe. Trumpi mund ta urdhërojë Departamentin e Thesarit t’i ndryshojë rregullat që përcaktojnë se kur mund të kualifikohen për kredi blerësit e makinave, duke e limituar kështu disponueshmërinë e kredisë tatimore.
Ose, nëse Trumpi ka Kongres të kontrolluar nga republikanët, ai mund ta kalojë legjislacionin për ta eliminuar komplet kredinë.
Por, Musku ka thënë se nuk është i shqetësuar për fundin e kredisë tatimore, pasi Tesla e sheh atë si ndihmë të përpjekjeve të prodhuesve tradicionalë të automjeteve, për të kaluar në tregun e automjeteve elektrike dhe për të krijuar kështu më shumë konkurrencë.
“Hiqni subvencionet. Kjo vetëm do ta ndihmojë Teslan”, ka postuar Musku në X në korrik.
Duke iu falënderuar rritjes së konkurrencës, shitjet botërore të Teslas kanë rënë për 2 për qind në nëntë muajt e këtij viti, në krahasim me vitin e kaluar. Ishte hera e parë që kompania ka përjetuar një rënie të tillë në historinë e saj.
Politikat e automjeteve vetëvozitëse mund të ndryshojnë
Trumpi mund të ketë më shumë gjasa t’u japë dritë jeshile automjeteve vetëvozitëse të Muskut, që ende nuk ka ndodhur, ka thënë Ivesi, së bashku me një flotë të ashtuquajtur “robotaksi”, që bëjnë udhëtime pa asnjë lloj shoferi në bord.
Garrett Nelson, analist i CFRA Research, ka rënë dakord.
“Në pikëpamjen tonë, Tesla dhe drejtori ekzekutiv, Elon Musk janë ndoshta fituesit më të mëdhenj të rezultateve të zgjedhjeve dhe besojmë se fitorja e Trumpit do të ndihmojë përshpejtimin e miratimit rregullator të teknologjisë vetëvozitëse të kompanisë”, ka thënë ai në një shënim për klientët të mërkurën, duke e rritur rekomandimin e tij për aksionet e Teslas, nga “në pritje” në “blej”. Ai e ka rritur cakun 12-mujor të vlerës së aksioneve nga 110 dollarë në 375 dollarë për aksion.
Deri më tani, veçoritë e shoferit ndihmës të kompanisë, të njohura si “Autopilot” dhe “Full Self-Driving” ose FSD, janë duke u përballur me hetime nga rregullatorët e sigurisë federale pas një seri të aksidenteve, të lidhura me teknologjinë.
Këto hetime mund ta ngadalësojnë aprovimin e lejimit të veturave vetëvozitëse Tesla nëpër rrugë, pavarësisht pretendimit shumë të njohur të Muskut, se Teslat që voziten nga FSD-ja veçse janë më të sigurta, sesa ato që voziten nga njerëzit.
“Nën Trumpin, këto hetime mund të zhduken ngadalë”, ka thënë Ivesi.
Nuk duket se do të zhduket e gjithë mbështetja e Qeverisë për automjete elektrike në administratën e ardhshme të Trumpit. Përtej kredisë tatimore të blerësve, shumë nga dollarët e taksapaguesve që po shpenzohen për ta mbështetur përdorimin e automjeteve elektrike vijnë në formë të kredive qeveritare për prodhuesit e automjeteve dhe furnitorët e tyre, që të ndërtojnë fabrika në shtetet “e kuqe” jugore.
Nuk ka gjasa që Trumpi do të dëshironte ta ndalonte këtë mbështetje dhe premtimin për vende të punës në këto shtete, edhe nëse në fund ato ofrojnë konkurrencë për Muskun dhe Teslan.
Prodhuesit tradicionalë të automjeteve thonë se do të vazhdojnë me planet e tyre për të prodhuar dhe për të shitur më shumë automjete elektrike në të ardhmen. Ata thonë se automjetet elektrike janë e ardhmja e industrisë, edhe nëse shkalla e përdorimit ka filluar të ulet kohëve të fundit.
“Nuk është strategji ku ne pengojmë zgjedhjet presidenciale ose zgjedhjet e ardhshme dhe të shohim se si mund të shpëtojmë nga Agjencia e Mbrojtjes së Ambientit (EPA)”, ka thënë drejtori ekzekutiv i Fordit, Jim Farley para investitorëve në korrik. “E vetmja mënyrë që ne besojmë se do të jetë e qëndrueshme është të fitojmë para nga shitja e automjeteve të vogla elektrike. Dhe ky është basti ynë”.
Prodhuesit e automjeteve janë duke bërë shtysë për të shitur më shumë automjete elektrike, në mënyrë që kompanitë të përballen me rregulla gjithnjë e më të vështira të ambientit në SHBA, Evropë dhe Azi.
Edhe nëse Trumpi ndikon që EPA-ja t’i ndryshojë rregullat e emetimeve, krijuesit e automjeteve mund të motivohen të krijojnë automjete elektrike që përkasin me rregullat e vendeve të tjera ose rregulla më të ashpra të mjedisit në shumë shtete të SHBA-së, duke përfshirë Kaliforninë, e cila veç i ka rregullat e ashpra të emetimit.
Ekspertët e industrisë thonë se nuk presin që rritja e shitjeve të automjeteve elektrike të ndalet, edhe nëse Trumpi i ndryshon rregullat e emetimeve, pjesërisht për shkak të rritjes së kërkesës së konsumatorit.
“Ne mund të shohim një adaptim të ngadaltë të automjeteve elektrike pas ndryshimit të rregullave”, ka thënë Jeff Schuster, kreu global i industrisë së automobilave në GlobalData. “Por, me të gjitha investimet, ne nuk do ta shohim zvogëlimin e përdorimit të tyre”.
Politika e Trumpit ndaj Kinës mund ta dëmtojë Teslan
Problemi më i madh i Teslas me fitoren e Trumpit është se mund të ketë luftë të re të tregtisë me Kinën, ka thënë Ivesi, duke e ditur rëndësinë e fabrikës së kompanisë në Shangai për shitjet dhe përfitimet globale.
Me fitoren e Trumpit, “ai do të jetë më i ashpër me Kinën dhe pastaj gjërat negative mund të jenë të më mëdha sesa pozitivet për Teslan”, ka thënë Ivesi. “Mbi 40 për qind e dërgesave vijnë nga tregu i Kinës. Tesla do të zihet mes dy zjarreve”.
Dhe kjo mund të jetë problem për Teslan, nëse Trumpi vendos Muskun për t’i udhëhequr përpjekjet e administratës së tij, për të shkurtuar atë që e quajnë mbeturinë qeveritare, siç e kanë përmendur të dy përgjatë fushatës.
Çfarëdo qoftë rezultati i këtyre përpjekjeve, dhe nëse ka ose jo Musk rol qeveritar formal ose joformal në administratën e re të Trumpit, gjëja e fundit që investitorët e Teslas do të donin është ta shihnin Muskun të shpërqendruar tutje nga drejtimi i Teslas, ka thënë Ivesi.
“Përfshin më shumë kohë larg Teslas, në një kohë që Tesla ka më së shumti nevojë për vëmendje”, ka thënë Ivesi.
Ndikim më të vogël në SpaceX dhe X
Biznesi tjetër i madh i Muskut, SpaceX, me siguri nuk do të kishte marrëdhënie ndryshe me Qeverinë federale, pavarësisht fituesit. Kundërshtari më i madh i kompanisë, Boeing, është duke pasur probleme serioze me anijet kozmike, me të cilin NASA ka lidhur kontratë për t’i dërguar dhe kthyer astronautët nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës.
Dhe pronësia e X e Muskut është kritikuar gjerësisht, veçanërisht nga demokratët, për përhapjen e dezinformatave. Gjiganti i teknologjisë, ia ka ofruar në gusht të këtij viti platformën X, presidentit të zgjedhur Donald Trump, ku ai e pati lirinë që të flasë pa verifikim faktesh, teori konspirative e ekstremizëm, teksa përpiqej ta ngadalësonte rritjen e Harrisit.
Por, ajo nuk është ndaluar apo penguar nga ndërveprimet e Qeverisë nën Joe Bidenin, dhe administrata e re e Trumpit ka të ngjarë që gjithashtu të mos ndërmarrë asnjë veprim kundër tij.
Dhe duke pasur parasysh humbjet financiare që nga blerja e kompanisë, tani ajo është pjesë relativisht e vogël e vlerës së përgjithshme neto të Muskut.