Llavrov në Shkup, për herë të parë në territor të NATO-s që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Rreth 1.000 delegatë nga 76 delegacione nga 57 vende anëtare dhe partnere të OSBE-së sot vijnë në Shkup për Këshillin e 30-të Ministror të Organizatës. Maqedonia e Veriut këtë vit është udhëheqëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Takimi ministror do të diskutojë për të ardhmen e organizatës dhe sfidat me të cilat përballet, si dhe priten vendime për zgjedhjen e udhëheqësit për vitin 2024, për të cilin u arrit një konsensus në takimin përgatitor të ambasadorëve të 57 vendeve anëtare këtë javë në Vjenë që këtë pozicion ta marrë Malta. Duhet të vendoset për buxhetin, si dhe për emërimet për postet kyçe në institucionet e OSBE-së.
Janë planifikuar dy ngjarje shoqëruese: Nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe përdorimit të dixhitalizimit, e cila do të pasohet nga adresimi i ndikimit të ndryshimeve klimatike në sigurinë njerëzore në zonën e OSBE-së.
Takimi do të shënojë praninë e diplomatëve të parë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, Antony Blinken dhe Sergey Lavrov, duke e bërë atë një nga ngjarjet e rralla që do t’i gjejë të dy në të njëjtin vend që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Blinken sot pasdite mbërrin në Shkup dhe do ta fillojë pjesëmarrjen në samitin e OSBE-së me një takim me Bujar Osmanin, ndërsa pas takimit me Osmanin, Sekretari Amerikan i Shtetit do të marrë pjesë në një darkë joformale që i paraprin Këshillit Ministror të nesërm.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov pritet gjithashtu në Shkup, që do të jetë vizita e tij e parë në një vend anëtar të NATO-s që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.
Zëdhënësja e MPJ-së ruse Maria Zakharova tha sot se një sërë vendesh kanë paraqitur kërkesë për takim bilateral me Lavrov në margjinat e samitit të OSBE-së në Shkup.
“Mund të konfirmoj se ka shumë kërkesa për takime dypalëshe. Do të ketë edhe takime shumëpalëshe”, tha ajo në konferencën e sotme në Moskë.
Pasi u konfirmua prania e Lavrov, ministrat e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë vendosën të bojkotojnë samitin e OSBE-së.
Zyrtarisht Këshilli i Ministrave do të fillojë nesër në Qendrën sportive “Boris Trajkovski” në ora 10:00, ndërsa fjalë hyrëse do të mbajë kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Për shkak të mbajtjes së mbledhjes ministrore, nesër është ditë jopune për të gjithë punonjësit në administratën shtetërore dhe publike, si dhe për shkollat fillore dhe të mesme në zonën e kryeqytetit. Njëkohësisht do të mbyllen për qarkullim një pjesë e rrugëve nëpër qytet nëpër të cilat do të kalojnë delegacionet e huaja.



