Kovaçevski: Së shpejti takim liderësh

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski paralajmëroi takim mes liderëve të partive parlamentare për caktimin e dates së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Në këtë takim do të vendoset nëse 8 maji do të mbetet data për zgjedhjet e dyfishta.
“Zgjedhjet do të jenë në terminin e rregullt edhe parlamentaret edhe presidencialet. Se kur do të mbahen varet nga afatet. Prandaj kam thënë se muaji maj është mundësi për organizim edhe të zgjedhjeve parlamentare edhe ato presidenciale. Këtë e konfirmuan edhe disa kryetarë partish dhe kryetari i Kuvendit. Dhe pasi të bëhet ai takim në pajtueshmëri me qëndrimet e të gjithë partive politike, sepse një vendim i tillë sillet me konsenzus të gjerë. Takimi do të jetë në nivel liderësh dhe do të jetë sikur takimi i fundit, mes partive parlamentare, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut”, tha Kovaçevski.
Lidhur me koalicionet e mundshme parazgjedhore, Kovaçevski tha se janë dy blloqe, ai evropian dhe ai kundër tij. Blloku evropian do të jetë një koalicion i gjerë, siç tha Kovaçevski, që do të nisë edhe negociatat zyrtare me BE-në. /Alfax/



